MENU
klinika

Nga Rrahim Sadiku

Një pamflet joreal e johistorik dhe dezinformues

15.02.2020 - 18:36

*Disa fjalë reale për pamfletin romantik e antishqiptar“Kur janë dashur shqiptarët dhe serbët”, botuar nga Instituti Columbis, Prishtinë, shkurt 2020 dhe përhapur falas, bashkë me gazetën“Koha ditore”, më 9 shkurt 2020.

Në fillim po jua kujtoj pamfletistëve: Aleksandër Pavloviq, Agron Bajrami, Dushko Lopandiq, Natasha Markoviq, Jeton Neziraj, Armanda Hysa, Ana Petrov, Srgjan Atanovski, Jelena Lonçar dhe Fahri Musliu se nuk janë një përqindje shumë e vogël individësh, tejet e vogël, ata që përcaktojnë dhe tregojnë urrejtjen ose dashurinë midis dy popujve.

Sidomos midis shqiptarëve e serbëve, kur të dy popujt kanë shtetet e tyre të ndara dhe institucionet e tyre të mirëfillta për të krijuar hapësira dashurie, bashkëpunimi e ardhmërie. Po nga shteti serb këto hapësira janë mbyllur gjithnjë dhe vazhdojnë të mbyllen edhe sot e gjithë kohën. Askush në Serbi, zyrtarisht, nuk do t’ia dijë se dikush si ju (nëse së paku kështu synoni) do që të hap dritare nga mund do të ketë dritë për të gjithë.

Realitetin në Serbi duhet ta dinë, ta ndjejnë e ta thonë edhe pamfletistët. Ata gjithashtu duhet ta dinë, ta ndjejnë e ta thonë se nuk është koha, nuk është as nevoja e nuk e lejon as momenti historik që të guxojnë të bëjnë lojëra të rrezikshme dhe të përqeshin shqiptarët. Se është jashtë logjikës t’i vëjnë shqiptarët aq të mjerë e të bërë dele, përballë gjakatarëve të tyre shekullorë, serbëve. E them këtë sepse pamfleti, në esencë, ngre lart popullin serb, duke e bërë madhështinë dhe tolerancën e tij adresë trajtimi meritor, kurse shqiptarët i vë në vazhdimësi në rolin e viktimës jorezistuese, të inkoshinecës kombëtare e njerëzore dhe i paraqet si turma inferiore e të nënshtruar pa kushte.
Mospëlqimin tim me këtë pamflet po e vazhdoj me citimin e akademikut të ndjerë, Mark Krasniqit:

“I ligu prej të fortit
Gjithmonë është në rrezik,
Delja kurrë nuk mundi
Ujkun ta bëj mik!
Për këtë shembuj kemi
Sa të duash në jetë,
Shumë herë nga kjo pësoi
Edhe qengji i shkretë!”

E citova këtë sepse pamfletistët kanë vënë përballë serbët (në rolin e ujqëve) dhe shqiptarët (në rolin e deleve) dhe ashtu duan të na bindin të gjithëve, që të mos i shohin me sy real raportet shqiptare-serbe dhe anasjelltas.
Ata duan të thonë se ujku mund të hajë sa të dojë dhe i lejohet të ndjehet i kënaqur, tek sheh rrjedhën e gjakut dhe kur nuk ndjen as edhe një fije pendesë për këtë. Kur ai nuk ndjen pendesë, u dashka që të mblidhen delet (domethënë shqiptarët), të bashkohen me ujqit e ngopur (domethënë serbët) dhe duke besuar se nuk do të jenë më ushqim për ujkun, të gjejnë momente dashurie e lumturie, që paskan mundur të ndodhin derisa ndodhte ploja, ndoshta edhe para e pas saj.

Ej, pamfletistë! Nuk e shihni e nuk e ndjeni se nga ploja e madhe e serbëve mbi shqiptarët nuk kanë kaluar më shumë se dy dekada? Nuk e dini se serbëve as u ka shkuar ndërmend të kërkojnë falje e të pendohen për ato veprime çnjerëzore që kanë bërë tashti e shumë shekuj me radhë? A nuk e dini se shekuj me radhë nuk kanë kaluar kurrë më shumë se dy dekada pa plojë serbe mbi shqiptarët? Si keni sy e faqe të merrni si shembuj afrie të serbëve me shqiptarët individët, duke sjellë nidis tyre edhe fotografinë e Mark Milanit (jo Milanovit, si e shkruani) i cili ndikoi shumë për asimilimin dhe sllavizimin e kuçëve në trevat e sotme të Malit të Zi, duke bërë gjatë gjithë jetës së tij lufta shqiptarësh me shqiptarë, për të fituar nga ato një grup i vogël sllavësh malazazë?! Si ua zë mendja e thoni se Milan Rakiqi ishte i ndikuar nga politika antishqiptare? Apo nuk e dini se Rakiqi nuk ishte i ndikuar, por ngulitësi më i madh i antishqiptarizmit ndër serbët e më gjërë?! Atishqiptarizmi i tij është kurrgjë te vjersha“Sytë e Simonidës”, krahasuar me urrejtjen dhe të pavërtetën që thot në vjershën “Në Gazimestan”, e cila ishte këngë e eshaloneve serbe, tek pushtonin trojet shqiptare e kur masakronin shqiptarët!

Thënia e fillimit:“Nëse për marrëdhëniet serbo-shqiptare do të gjykonim vetëm duke u bazuar në atë çka do të flasin politikanët aktualë (ne do të shtonim: edhe ata joaktualë) e medidet, do të mendonim se popujt tanë, që prej se mbahet mend, vetëm janë urryer dhe konfrontuar dhe asgjë e mirë dhe e bukur nuk ka ndodhur mes nesh” është shumë e qëndrueshme. Shqiptari rob në tokën e vet e në shtëpinë e vet nuk ka mundur të ketë ndonjë ndodhi të mirë e të bukur me serbin që i rrinte mbi kokë, që donte me çdo kusht ta heqte nga faqja e dheut dhe që gradualisht ia ka marrë, pa mundësi kthimi, trojet e tij etnike. Shqiptari nuk mund të gëzonte e donte atë që ia kishte përvetsuar objektet e kultit (Patrikanën e Pejës, Deçanin, Manastirin e Deviçit, Graçanicën, Levishkën e plot objekte të tjera) dhe nga ato gjuante gurë e me hekur mbi të. Shqiptari nuk mund të gëzonte e të donte kur pushtuesi i tij krenohej me numrin e shqiptarëve të vrarë, me qyete e fshatra shqiptare të djegura, me vargane shqiptarësh të përzënë në kohëra dimrash të egër e netësh të acarta, që lanë mijëra të vdekur e mijëra të ikur anembanë botës, ku u tretën si kripa në ujë.

Kujt i duhet kjo dashuri serbo-shqiptare, kjo idilë e paqenë?! Serbëve e shqiptarëve jo, sepse ata jetojnë me realitetin e me historinë e tyre e jo me ato që do e synon pamfleti. Martesat e shqiptareve në Serbi dhe martesa e Faruk Begollit e Bekim Fehmiut me serbe janë zgjedhje individuale e jo kombëtare. Janë gjëra personale e kush nuk ka të drejtë as të gjykojë e as të mbështetet në to, kur flitet për gjëra e ndodhi shumë të përgjithshme midis dy popujve.
Popujve të Ballkanit Perëndimor, si gjithë popujve në botë u duhet pajtimi, bashkëpunimi dhe rrugët për të sotme e të ardhme të përbashkët. Por, ky pajtim nuk vjen midis serbëve e shqiptarëve pse duan pamfletistët e punëdhënësit e tyre. Pajtimi vjen kur politika vendimmarrëse në Prishtinë e në Beograd, në Sarajevë e në Tiranë e tutje nuk flet me urrejtje, me kërcënime, me veprime të fshehta e djallëzore, po pranon gabimet e synon dhe tregon se do të punojë pa ligësi, pa e përkrahur të kaluarën e errët e pa kërkesa që ngjallin e thellojnë armiqësinë midis shqiptarëve e serbëve. Pajtimi ndodh kur institucionet shtetërore, të shqiptarëve e të serbëve, e trajtojnë drejt të kaluarën, kur marrin mësim nga ajo dhe kur i kthehen denjësisht të ardhmës e me besim të plotë reciprok.

Pamfleti hap edhe një derë të mbyllur: atë të identitetit malazes e të atij serb! Apo harrojnë pamfletistët se serbët e malazezët, qëmoti, po edhe në ditët e sotme, janë dy popuj të ndryshëm, kanë shtete të ndryshme, politika kombëtare e ligje të vetat? Sepse këtu, sipas titullit, flitet për raportet serbo-shqiptare e në brendi na dalin, shumë shpesh, raportet shqiptare-malazeze, kur gjithnjë malazezët janë të adresuar si serbë! Ky veprim i pamfletistëve hap edhe një synim që kishin sllavomëdhenjtë dikur: atë të kinse shqiptarizimit të sllavëve, duke i quajtur të shqiptarizuar krasniqët, hotët, kuçët e disa të tjerë. që na qenkan bërë shqiptarë! Pamfleti sikur e forcon atë që thot politika serbe: se malazazët janë zemra e serbizmit! Synohet të hapen apo të mbyllen plagë me këtë pamflet?!
Pamfleti është edhe një vajtim i thellë dhe i padukshëm, i futur ndërmjet rreshtave e në nëntekst, për ish Jugosllavinë.

Petrit Imami, Fahri Musliu, Enver Petrovci e shumë shqiptarë të tjerë jetuan, punuan e vepruan në Beograd, duke lënë vepra për shqiptarët e për serbët, por ata asnjëherë nuk patën ndikim për krijimin e botëkutimeve reale e reciproke të serbëve ndaj shqiptarëve dhe nuk mbetën të dashur e të afërt për asnjërin komb, sepse urrejtja dhe mbivlerësimi i serbizmit nga serbët e nënvlerësimi i shqiptarëve kudo kanë lënë gjurmë të thella.
Dimitrije Tucoviqi, Kosta Novakoviqi e ndonjë serb tjetër shkruan ndonjë fjalë e përmendën padrejtësitë ndaj shqiptarëve, më shumë të ndikuar nga ideologjia që kishin përqafuar, sesa nga ajo që e ndjenin thellë dhe bindshëm atë krim e shkatërrim që po i ndodhte popullit të pafajshëm e të pambrojtur shqiptar. Në kohën tonë si individ që foli të vërtetën për krimin serb në Kosovë ishte Natasha Kandiq, po ndikimi i saj ishte i pavërejtshëm në politikën serbe dhe ju atë nuk e përmendni fare.

I pyes: a e kuptoni ju pamfletistë se edhe sikur mijëra e mijëra pula e le më njerëz t’ia dëmtosh një populli, nuk mund të flitet më për afri, respekt e mirëkuptim midis palës së dëmtuar e dëmtuesit, derisa dëmtuesi nuk dënohet, nuk kërkon falje e nuk merr përgjegjësitë ligjore për krimet e kryera?! A e kuptoni se viktima mund të ishit edhe ju, familjarët tuaj, ashtu si ishin bashkëvendasit tuaj? Si do të ndiheshit ju nsikur ende pa u tharë gjaku i të vrarëve, të shkonte dikush te vrasësi e të kërkonte mirëkuptim, pika afrimi e marrëzi të tjera kësodore, vetëm që të tregohet tolerant, mirëkuptues e të përfitojë nga e gjithë kjo?!

Për pamfletistët serbë e kuptoj se kryejnë detyrën e tyre, mund të kenë edhe dhembje njerëzore, por kjo dhembje jona nuk është brenda tyre, është diçka që atyre u shërben si arritje profesionale, si shpëlarje e krimit të njerëzve të tyre. Po ju shqiptarët që na shkruani pallavra, ku e keni qëllimin?! Me ato që keni thënë, keni treguar se nuk e njihni as edhe një fije historinë e popullit tuaj dhe vuajtjet e sakrificat e tij; keni treguar se nuk e ndjeni fare vuajtjen e humbjet e paradokohshme e të vazhdueshme të shqiptarëve, nga dora e atyre që paskan pasur edhe respekt për ne?! Apo doni të thoni se na vranë duke na dashur e duke na respektuar?!

Për fund: ju bëfshin mirë honoraret, ju bëfshin mirë shitjet e lira të vetes dhe u kthjellofshi, pafshi e kuptofshi që mund edhe ta duash dikend, por nuk mund ta detyrosh me dhunë të të dojë. E politika serbe dhe shteti serbë po tregon se nuk na ka dashur e nuk do të dojnë edhe për një kohë. Po që do të ketë shqiptarë e serbë të shoqëruar e të të dashuruar mes veti, kjo dihet. Sepse nuk ka politikë as shtet që mund të pengojë tërësisht mendjet dhe zemrat e njerëzve. Por nga kjo nuk vjen dashuria dhe mirëkuptimi midis dy popujve, njëri i vrarë e tjetri vrasës i papenduar dhe vazhdimisht kërcënues se do të kryej edhe krime të reja.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit