MENU
klinika

‘Deklaroni pasurinë brenda 48 orësh’

OFL shënjestron Dritan Dajtin dhe biznesmenin në Durrës

12.02.2020 - 11:45

OFL vijon me shënjestrimin e eksponentëve kriminalë të dënuar më parë për vepra të rënda penale duke i dërguar formularin për të deklaruar pasurinë.

Dritan Dajti, me banim në Tiranë i dënuar për vrasje dhe disa vepra të tjera penale i është dërguar formulari për deklarim të pasurisë së tij. Ai ka qenë një nga personat më të kërkuar në Shqipëri dhe fillimisht u dënua me 20 vite heqje lirie nga Gjykata e Tiranës për vrasjen e biznesmenit Agim Beqa në 1999.

Më pas ai mori famë për arratisjen nga Gjykata e Tiranës më 17 nëntor 2003 pak para se të fillonte seanca. Me një pistoletë ai kërcënoi trupën gjykuese dhe Policinë dhe u largua me motor me pranga në duar.

Prej 6 vitesh ai ishte në arrati dhe në 2009 gjatë një operacioni policor ai vret efektivët e të Forcave Operacionale Saimir Duçkollari, Kastriot Feskaj, Altin Dizdari dhe Fatos Xhani, ndërkohë ngeli dhe vetë i plagosur. Po ashtu mbeti i vrarë edhe një efektiv tjetër i Policisë Ledion Mara.

Kalvari i seancave gjyqësore për Dritan Dajtin vijoi prej disa vitesh me 278 seanca pasi avokatët refuzonin ta përfaqësonin por ai vetëm një vit më parë i shpëtoi 4 dënimeve të përjetshme.

Në 2014 Gjykata e dënoi Dritan Dajtin me 4 burgime të përjetshme por ai e apeloi vendimin.

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar që ja ul dënimin në 25 vite burg.

Po ashtu edhe Xhevdet Troplini, me banim në Durrës i dënuar për trafik të lëndëve narkotike duhet të deklarojë pasurinë brenda 48 orësh. Ky person del në listën e biznesmenëve të gjobitur në Durrës nga një eksponent shumë i njohur kriminal në Shqipëri si Emiljano Shullazi.

NJOFTIMI NGA POLICIA

OFL, 12 shkurt 2020

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, si dhe për sekuestrimin e pasurisë në kushtet e emergjencës.

Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:

– D. D., me banim në Tiranë, i dënuar për veprat penale: “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”;

– Xh. T, me banim në Durrës, i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme. OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.