Kryeministri Albin Kurti dhe kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani janë pritur me protesta në minierën e Trepçës në Stantërg. Kryeministri Kurti para protestuesve tha se ashtu siç veproi me Bordin e Telekomit, do të veprojë edhe me të tjerë, nddërsa u premtoi se kërkesat e tyre do të merren parasysh.
“Dje shkarkuam bordin e Telekomit dhe do të vazhdojmë edhe me bordet e tjera por që na duhet kohë të veprojnë pasi jemi vetëm në javën e dytë të qeverisjes”, tha ai.
Arsim Musa, nga këshilli organizativ i protestës, kërkoi nga kryeministri Kurti që të shkarkoi edhe Bordin e Trepcës, pasi që sipas tij kanë bërë shkelje në konkursin e fundit, duke punësuar familajrë.
“Kërkoj nga kryeministri Kurti të shkarkoj bordin udhëheqës pasi në konkursin e fundit janë punësuar njerëz me lidhje familjare direkt me këtë bord”, tha ai.
Protesta u shpërnda e qetë dhe Kurti u premtoi se do t’i takojë në zyrën e tij për të analizuar më shumë këtë çështje. Kjo nuk është hera e parë që këta minatorë po protestojnë, ata edhe ditë më parë kanë kërkuar shkarkimin e bordit të kësaj ndërmarrje.