MENU
klinika

"Firmos dekretin e parë për të shpartalluar grushtin e shtetit"

Presidenti Meta thërret protestë, në 2 mars në bulevard kundër Ramës

19.02.2020 - 13:36

Presidenti Ilir Meta sot para medieve ka dhënë prova të tjera, që sipas tij janë grushti i shtetit që qeveria dhe kryeministri Edi Rama po i bën Kushtetutës me ndryshimin e ligjit për betimin e gjyqtarëve.

Kreu i shtetit thotë se në relacionin që shoqëron projektligjin theksohej se për ndryshimet në betimin e gjyqtarëve të Kushtetueses është marrë edhe mendimi i shumë institucioneve, mes tyre KED, KLGJ, KLP, Magjistraturës, Komitetit të Helsinkit, etj. Por, vijon më tej Presidenti, KED, Magjistratura dhe Komiteti i Helsinkit nuk kanë dhënë fare mendim ose kanë qenë kundër.

“Ju kërkoj falje për vonesën, por kisha një takim me ambasadoren e Kanadasë, e interesuar për demokracinë. Edhe kjo historia e gjykatës Kushtetuese dhe zonja nuk po kuptonte gjë dhe unë i thashë, të lutem të iki të takoj gazetarët se këtu kanë diplomatë vite që nuk duan ta kuptojnë. Iniciativa për kapjen e Gjykatës Kushtetuese është nga kryeministri, që është ideatori i këtij puçi shteti. Gjysmë parlamenti në relacionin e tij që shquhet për gënjeshtra dhe mashtrime, thotë se kjo nismë, që për të bërë betimin në kafene apo buzë Lanës ka marrë aprovimin e KLP, KLGJ, Magjistratura, Fondacioni Soros (që nuk besoj), ministria e Drejtësisë, etj. Këto përgënjeshtrohen, në radhë të parë nga Dvorani, që thotë se nuk ka dhënë asnjë mendim në mbështetje të këtij grupi shteti. Dhe unë këtu e duartrokas, se veproi në përputhje me ligjin.

Këtu kemi një përgënjeshtrim tjetër të parlamentit të dele-deputetëve. Ku thotë se Shkolla e Magjistraturës nuk ka dhënë opinion për këtë ligj fare, falenderoj edhe zotin Sadushi. Vijmë te Komiteti Shqiptar i Helsinkit, që thotë se ligjet duhet ti nënshtrohen konsultimit me Presidentin, etj. Lidhur me këtë propozim, pra betimin te Lana, KSHH, vlerëson se ceremonia e betimit te Presidenti nuk mund të realizohet në formë të shkruar. KSHH thotë se akti i betimit duhet të bëhet vetëm përpara Presidentit”, thotë Ilir Meta.

“Pjesëmarrës në këtë grusht shteti është vetë qeveria dhe gjysmë-parlamenti. Së dyti ka edhe persona të tjerë, që do të ketë padi të reja, çdo ditë do të ketë lajme për grushtin e shtetit. Do të marrim me qetësi çmontimin e plotë të grushtit të shtetit. Nëse kjo godinë, ky institucion është sot një kështjellë e vetme, për fat të keq, por e pamposhtur e mbrojtjes së demokracisë, nga data 2 mars kur do të firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit, përpara popullit në bulevard, ku do të lidhim një besëlidhje për të shpartalluar regjimin e oligarkëve, me qëllim shpopullimin e këtij vendi, duke e kthyer në një bazë operacionale të krimit të organizuar, por edhe shumë problemeve të tjera. Në 2 mars ju presim të gjithëve pasdite në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, falë popullit shumë shpejt, nuk do të ketë vetëm një institucion që është Presidenti në mbrojtje të Kushtetutës, por të gjithë këta informacionet që janë në bulevard do i kthehen popullit. Ata që kërkojnë popullin e presidentit në WhatsApp të porosisin poturet e gjera.”