MENU
klinika

Mbishkrimi i Pouqueville

“Rrënojat e Gradishtës fqinje, janë ato të Bylisit antik”

17.02.2020 - 16:59

…Sidoqoftë, në studimin e tij rreth dorëshkrimit të qytezës së Bylisit, De Claubry shkruante se në të ai kishte gjetur dhe shënime që informonin për «kahortat» e Paphlagonies dhe të Ascalonitains. Po kështu, emri i një kahorte të Dacisë (Daces) që ishte në mbishkrim, nuk të lejonte të gjykoje se është i periudhës para mbretërimit të perandorit Trajan, theksonte ai. «… Pavarësisht nga disa detaje, mbishkrimi, të paktën në tërësinë e vet, duket tepër i qartë dhe nuk lë dyshime. Pra, unë gjeta në Gradishtë aq, apo dhe më shumë se ç’kisha menduar të gjeja. Së pari, një listë të konsiderueshme të trupave ndihmëse të ushtrisë romake, midis të cilave do të nënvizoja ato siriake, kahortën e Paphlagoniens dhe atë Ascalonitains, emrat e të cilave nuk di si janë pikëtakuar. Pastaj ka dhe një datë, të cilën kërkime më të thella mund ta përcaktojnë në një farë mënyre, edhe pse në një shikim të parë mund të përcaktohet përafërisht. Në fakt, emri i një kahorte të Daces (Dakisë – ish Rumanisë së dikurshme, L.R.) që figuron në mbishkrim, nuk të lejon të gjykosh se është para mbretërimit të perandor Trajanit. Nga ana tjetër, një numër trupash anësore e kahortash mbajnë emrat “Flavia”, çka na kujton tre perandorët romakë, Vespanian, Titus dhe Domitian si dhe Ulpia, çka lidhet me Trajanin. Në të kundërtën, ajo e Aelia-s daton në periudhën e perandorit Hadrian./Konica.al/Pra, gjithçka të bën të mendosh se ky grupim i madh trupash në Mesopotami, siç na tregon mbishkrimi, ishte jo për ekspeditën e L. Vérus kundër “partëve” (“parthes”), as ajo e Hadrianit kundër hebrejve, por për luftën që bëri Trajani kundër “partëve”. Duket se në sajë të pasurive të fituara në këtë luftë fitimtare, Lollianus u bë një nga bamirësit e kolonisë së Bylisit. Gjithashtu, gjeta dhe dy emra gjeografikë të panjohur, për çka kam folur në “Kujtesën” time: njëri, mbi vendin e quajtur Astacies dhe tjetri, ai i lumit Argya apo Argyas. Deri tani, në Epirin e Ri, njihet vetëm një qytezë e riparuar nga Justiniani, por që vend-ndodhja e tij ende nuk është përcaktuar qartë. Por ajo çka më interesonte drejtpërdrejt, ishte emri i kolonisë së Bylisit. Vallë e provonte ky mbishkrim se Bylis gjendej në Gradishtë?… Mund të nënkuptohet se qyteza gjëndet atje ku është dhe mbishkrimi dhe ku emri i qytezës njihej nga banorët që banonin atje apo nga kalimtarët. Por në fakt, për qëndrën e Bylisit duhej kërkuar në ekstremin tjetër të rrugës. Në një mbishkrim analog që Léon Heuzey solli nga Dyrrachium, vetëm fjalët viam a colonia, pa asnjë emër tjetër, përcaktojnë sigurisht koloninë që banonte atje ku ishte mbishkrimi: Dyrrachium. Po kështu dhe fjalët viam quae a colonia Byllidensi per Astacias ducit, do të thotë se ne jemi në Bylis dhe se rruga niset nga kjo koloni drejt Astacies. Por përse është emërtuar vendi për ku shkohet dhe jo pika nga fillon? Ndoshta për shkak të natyrës së ndërtimeve të bëra nga Lollianus, për çka supozon dhe teksti… Megjithatë mund të lexohet: “Rruga që vjen nga Bylis”. Në fakt, rrënojat e Gradishtës fqinje, janë ato të Bylisit antik, i cili lulëzonte ende në kohën e Trajanit…”

Këto shënime, De Claubry i shkruante në datën 1 maj 1863, në Niort, ku kishte shtëpinë e tij, siç e kishte shënuar dhe në fund të tekstit të tij, botuar në Analet e Korrespondencës për Arkeologjinë. Atë ditë që kishte lënë Bylisin, duke zbritur poshtë përgjatë rrjedhjes së Vjosës, sigurisht që kureshtja e madhe e kishte shtyrë studjuesin francez të deshifronte më tej enigmat e këtij qyteti të braktisur e të harruar nga bota, por të lënë në një vetmi të paqtë; të zbulonte vetë jetën, me tempujt, agorat, portikët apo mozaikët e mrekullueshëm me skena gjuetie dhe motive gjeometrike, të cilat në fakt do të duhej të kalonin afro dy shekuj që arkeologët shqiptarë t’i zbulonin. Pikërisht aty, në kohën e luftës së normandëve të Robert Guiscard-it kundër bizantinëve të Aleksis I, ishte vendosur një garnizon normand. Luftrat dhe tërmetet e mëvonëshme e kishin rrafshuar dalëngadalë këtë qytet plot hire. Kështu, ndërtesat me kolonat dorike, statujat dhe stelat funerare, altari i Dionisit apo termat e Justinianit, si dhe kamaret, stoa apo katedralja e famshme byzantine, bashkë me baptisterin plot mozaikë, gjithçka do të rrënohej dhe do të mbulohej nga dheu dhe harresa.

Pas largimit nga Bylisi, De Claubry vazhdoi udhëtimin e tij drejt Apolonisë, për të cilën ishte shkruar si nga kapiteni Leake ashtu dhe konsulli francez Pouqueville, apo Sir Holland, i cili kishte vizatuar dhe shtyllën e vetme që i kishte mbetur tempullit të Dianës në vëndin që banorët e quajtën më pas Shtyllas. Arkeologu Alfred Gilliéron, i cili do të vizitonte Apoloninë më shumë se një dhjetvjeçar më vonë, në librin e tij mbi udhëtimet në Greqi dhe Shqipëri, shkruante se “Zoti Gaultier de Claubry, anëtar i Shkollës Franceze të Athinës, u ndal gjithashtu në Pojan dhe solli që andej një tors të Bakut, (Bacchus), fëmijë, i cili është ekspozuar në Louvre”…

Është interesant fakti që udhëtimi i De Claubry është zhvilluar pothuaj në të njëjtën kohë me vizitën e parë të kartografit francez Guillaume Lejean në Shqipëri. Por atë kohë, Lejean ishte më shumë në pjesën veriore dhe veri-lindore shqiptare. Ata padyshim nuk janë takuar, apo nuk janë informuar mbi udhëtimet e njëri tjetrit, pasi asnjëri nga ta nuk flet për tjetrin. Megjithatë, gjatë kohës që ishte në Epir, pasi kërkoi nëpër kodrat e Janinës për të gjetur më kot tempullin e orakujve të Dodonës, De Claubry iu ngjit maleve të Sulit për të gjetur rrënojat e kishës së Saint Donat, një peshkopi, që kishte jetuar në këto anë në kohën e mbretërimit të perandorit Theodhosi I, (379-395), i cili kishte ngritur këtu një ndërtesë kulti. Siç do të shkruante ai në kujtimet e tij “Kujtime mbi Epirin” apo “Relievet e kishës së Shën Donatit në Gliqi, (Epir)”, të cilin e dorëzoi në Akademinë e Mbishkrimeve dhe të Letërsisë në vitin 1859, atje kishte gjetur “katër kolona antike prej graniti në ngjyrë gri, kolona të tjera të përmbysura, disa gurë të mëdhenj po ashtu antikë, ku gjithçka tregon padyshim për ekzistencën e një tempulli, kisha e së cilës sot është e rrënuar dhe kanë mbetur veçse rrënoja”. Gliqia, në të djathtë të lumit Akeron, konsiderohej atëherë si një anglomerat në periferi të zonës byzantine. Sipas historianit Procope Cesarée, ishte perandori Justinian (527-565), ai që vendosi për ndërtimin e kësaj qyteze të fortifikuar. Dhe vendi atje konsiderohej si një “vend i shenjtë”. Këtë vend madje e përmënd dhe kronistja bizantine bija e bazileusit Aleksis I, Anne Comnène në librin e saj Alexiade, duke treguar për luftrat e normandëve të Robert Guiscard-it kundër bizantinëve. Një legjendë thoshte se në sajë të Kryqit, Saint Donat fitoi këtu mbi dragoin.

De Claubry studioi në këto zona të Epirit, veçanërisht mbi Thesprotinë apo Çamërinë, mbi vendbanimin Piliuri, Gardhiqi, Kastrica, djepin e mollosëve, bëri hartat e lumenjve dhe të fshatrave, shkruajti për vendbanimin Rodotopi, etj. Ndryshe nga shumë prej kolegëve të tij të Shkollës Franceze të Athinës, De Claubry vinte nga radhët e kuadrove ekleziastikë, pasi ai që në vitin 1852 ishte pranuar “abbé”, prift, e një vit më vonë kishte studiuar në “Ecole Normale Superieure”. Vetëm në vitin 1861, ai u bë profesor i letërsisë dhe më pas u vendos në famullinë e kishës Saint-Eustache, një nga kishat më me emër të Parisit.  Ndër studimet e tij shkencore, mund të përmendim dhe atë rreth pushtimit të ishujve jonianë nga ushtria franceze, në librin Vështrim mbi pushtimin e ishujve jonianë nga francezët në vitet 1797,1798 dhe 1979, Mrekullia e Shën Hostie-s së vitit 1290, etj./Konica.al

Shqipëria e shekullit XIX mbante ende të dukshme gjurmët e luftrave helene, romake e maqedonase, ato të Romës së Republikës apo të Cezarëve imperialë, gjurmët e garnizoneve ushtarake ashtu si dhe në Dyrrachium, Apolonia, Buthrote e Oricum… Padyshim, gjeneratat e sotme e kanë të vështirë të rikrijojnë imazhin e qartë të kohëve romane apo akoma më të hershme, atë të autoktonëve, pa këto gjurmë të gurta, pa stelat e nekropoleve, tempujt, e mbishkrimet e vjetra, odeonët dhe teatrot, stadiumet dhe akropolet, e kështu, nisur nga to, në imagjinatë fillon e rikrijohen pamjet dhe atmosfera e vetë qytetit, rrugët nisin të gjallërohen nga njerëz të veshur me tunikë, aktorët komikë apo tragjikë shfaqin spektaklet e tyre në skenën prej guri, lirat dhe instrumentat e tjera jehojnë; të tjerë njerëz bëjnë blatime në tempujt e Dionisit apo Dianës dhe këmbanat e bazilikave të mëvonshme byzantine fillojnë të rrahin duke shoqëruar koret kishtare, duke rikrijuar kështu një botë tërheqëse, mitike, që edhe pse e largët, brenda saj ka një histori, ka art, ka një shpirt që ndihet kudo, në vendet e shenjta të hyjnive, ngritur nga këta banorë të hershëm, pararendës të qytetërimit tonë bashkëkohor. E padyshim, që jo vonë, edhe Bylisi i sotëm do të rikthehet në të ardhmen në imazhin e përafërt të tij, ashtu siç shkruhej dhe në mbishkrimin e gurtë romak, ku shkruhej: «O i huaj, mos i largo sytë nga bukuria e Bylisit, muret rrethuese të të cilit, dikur të rrënuara, u ngritën nga trimi Victôrinos!...»

Luan Rama

Për më shumë lajme, www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


1889/gazetat greke shkruanin shqip

Kënga e arvanitasit princeshës

Shkrimtari grek: Historia është histori!

“Arvanitasit as nuk flisnin greqisht”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen