MENU
klinika

Ndikon reformimi i tregut

Rrjeti i bankave/Ulet numri i degëve në 446

03.02.2020 - 15:18

Procesi i konsolidimit të sistemit bankar e ka zvogëluar më tej rrjetin e degëve dhe agjencive gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të nëntorit 2019, numri i degëve ka zbritur në 446, nga 474 që kishte qenë një vit më parë.

Në harkun e tre viteve të fundit, numri i bankave tregtare është pakësuar nga 16 në 12. Bashkimi i bankave ekzistuese, si rezultat i reformimit pozitiv të tregut, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën.

Vitin e kaluar u finalizuan dy dalje të tjera nga tregu, me likuidimin e Bankës së Kreditit të Shqipërisë dhe shkrirjen e Bankës Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank. Gjatë vitit 2018, ishte mbyllur edhe shkrija mes Intesa Sanpaolo dhe Veneto Banka dhe mes ABI Bank e NBG Bank.

Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në periudhën 2012-2013, me rreth 560 degë dhe agjenci. Pas vitit 2014, nisi një numri i njësive bankare nisi të pakësohet, për shkak se kriza shtoi trysninë për uljen e kostove të bankave. Një faktor tjetër është edhe depërtimi në rritje i zgjidhjeve teknologjike që mundësojnë shërbime bankare në distancë.

Dixhitalizimi i shërbimeve bankare është një tendencë globale, që në shumë vende ka sjellë ulje të numrit të njësive fizike. Megjithatë, po të shohim të dhënat e Bankës Botërore, në afatin e gjatë rrjeti i bankave në nivel botëror ngelet ende në rritje. Në fund të vitit 2018, mesatarja globale ishte 12.7 degë për 100 mijë banorë, nga 11.7 degë për 100 mijë banorë që kishte qenë një vit më parë.

Kjo mund të shpjegohet me potencialet ende të pashfrytëzuara për depërtim të shërbimeve bankare në vendet në zhvillim, ku zhvillimi social dhe ekonomik ende nuk mundëson një zhvendosje të shpejtë drejt bankingut të mbështetur te teknologjia.

Në rajonin tonë, Shqipëria dhe Kosova janë tregjet me numrin më të ulët të degëve bankare në raport me popullsinë. Shqipëria ka një raport të numrit të degëve prej rreth rreth 15 për 100 mijë banorë, ndërsa Kosova 16 për 100 mijë banorë. Vendet e tjera kanë një mbulim më të dendur të popullatës me njësi bankare. Ky raport fillon me 24 për 100 mijë banorë në Kosovë, deri në 44 për 100 mijë banorë në Mal të Zi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN