MENU
klinika

Si reaguan Rusia, Britania dhe Franca?

“Shqipëria nën kryesimin e OSBE”, Rama flet për luftën në Ukrainë

07.02.2020 - 11:24

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama informoi të enjten më 6 shkurt Këshillin e Sigurimit të OKB për punën që Shqipëria do të bëjë gjatë kryesimit të OSBE, Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Europë, gjatë vitit 2020.

“Marrja e kryesisë së OSBE është për Shqipërinë një moment i rëndësishëm, që shënon ngjitjen e saj në nivel më të lartë në lidershipin ndërkombëtar”, tha Rama duke theksuar se synimi strategjik i Shqipërisë është mbrojta e multilaterizmit. Shqipëria është anëtare e OSBE që nga viti 1993.

Detyrat kryesore kanë të bëjnë me kontributin që OSBE do të japë në zgjidhjen e konflikteve. Një nga më kryesorët ai në Ukrainë. Ukraina u lakua shumë herë në të gjitha diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit duke qenë subjekti që i bën bashkë vendet partnere dhe ndan vendet e tjera. Rama ka qenë dy javë më parë në Ukrainë dhe ka marrë atje premtime për zbatimin e marrëveshjes së Minskut, me synimin kryesor vendosjen e plotë të armëpushimit. Kryeministri shqiptar mbështet dëshirën e Ukrainës për të patur një mision ndërkombëtar të OKB në Ukrainën Lindore, nismë e cila bllokohet nga Rusia. OSBE do të merret po ashtu me Nagorni Karabakun, Gjeorgjinë dhe Transilvaninë. Me kontributin e saj Shqipëria do të nxisë pjesëmarrjen e gruas në proceset e paqes, do të punojë për të vënë në jetë premtimet për të luftuar korrupsionin, dhunën kundër grave, trafikimin e njerëzve. Ky është fokusi i dytë i prioriteteve. Ai i treti ka të bëjë me dialogun, për të cilin rajoni ka shumë nevojë thotë Rama, për shkak të ndarjeve.

Mbështetja e Shqipërisë

Ambasadori gjerman në OKB, Christian Heusgen nuk e fsheh mbështetjen që i jep kryeministrit shqiptar. Që në fjalët e para ai prezanton kryeministrin shqiptar, që është artist, luan basketboll dhe drejton OSBE. Gjermania është një nga vendet që e ka krijuar OSBE dhe e mbështet shumë punën e organizatës si financiarisht ashtu edhe me personel. “Gjermania mbështet partneritetin midis OSBE dhe OKB,” thotë ambasadori gjerman. Ai thekson ndër detyrat, rritjen e rolit të gruas, luftimin e dhunës kundër grave dhe trajtimin e dhunës seksuale. Duke folur për Ukrainën ai kërkon që të zbatohen premtimet e marra në samitin e Parisit, duke i bërë thirrje për këtë Moskës.

Ambasadori i Vietnamit Dang Dinh Quy mbështeti prioritetet që ka vendosur Shqipëria në kryesimin e OSBE, duke nënvizuar të rëndësishëm rritjen e rolit të gruas në proceset e paqes.

Përfaqësuesja e Sant Vincent dhe Grenadineve në OKB, e vuri theksin në ndryshimin e klimës dhe rritjen e pasigurisë si shkaqe të konflikteve. Ajo kërkoi që duke qenë organizatë multilaterale, OSBE të promovojë bashkëpunimin ndërkufitar për mbrojtjen e ambientit dhe zbutjen e ndryshimeve të klimës.

Përfaqësuesi i Tunizisë, i vuri theksin konflikteve në rajonin e Mesdheut, për të cilat kërkoi aspekte të reja trajtimi. Terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm, siguria në fushën e ambientit dhe siguria në internet, kërkojnë rritjen e bashkëpunimit midis OSBE dhe parnterëve të tjerë në Afrikë për rritjen e stabilitetit në rajonin e Mesdheut.

Ambasadori francez pranë OKB, Nicolas de Rivière, premtoi mbështetjen e Francës për SHqipërinë për arritjen e synimeve që I ka vënë vetes në kryesimin e OSBE. Ai quajti prioritet kryesor Ukrainën Lindore dhe vlerësoi rolin që OSBE luan si organizatë multilateraliste.

Ukraina prioritet

Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar Karen Pierce, e quajti po ashtu konfliktin në Ukrainë si një nga prioritete kryesore ku OSBE luan rol të rëndësishëm në bazë. AMbasadorja shprehu mbështetje për mision monitorimi në Ukrainën Lindore i cili duhet të ketë akses të plotë. Ajo i bëri thirrje Moskës të lirojë 89 të burgosurit politikë që ka dërguar në Moskë dhe Krime. Ambasadorja Pierce kërkoi që Rusia të respektojë integritetin territorial të Ukrainës.”Krimea dhe Donbas janë pjesë e Ukrainës,” tha ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar. Ajo siguroi mbështetjen e vendit të saj për punën që Shqipëria do të bëjë në OSBE.

Ambasadori i Estonisë, Sven Jürgenson, kërkon bashkëpunim të ngushtë midis OSBE dhe OKB. Ai dënoi aneksimin illegal të Krimesë dhe Sevastopolit dhe agresionin ushtarak mbi Ukrainën Lindore. Ambasadori i bëri thirrje Rusisë të respektojë marrëveshjen e Minskut. Formula për vendosjen e sigurisë në rajon është heqja e okupimit dhe kthimi efektiv i territoreve. Ai pyet kryeministron Rama se si mund të ndihmojë OSBE dhe Këshilli i Sigurimit në praktikë për të gjetur zgjidhjen e konfliktit?

Rusia kërkon rol neutral

Përfaqësuesi i Rusisë, zëvendësambasadori Dmitry Polyanskiy, thotë se shpreson që Shqipëria të mbajë rol neutral në arritjen e konsensuseve dhe promovimin e interesave kolektive të vendeve anëtare të organizatës. Polyanskiy thotë se ka ardhur koha që OSBE të përmirësojë kualitetin e luftës kundër drogës. Ai premtoi se do të mbështesë të gjitha përpjekjet e OSBE për zgjidhjen e konflikteve në Nagroni Karabak dhe Transilvani. Ai kërkoi zbatimin e marrëveshjes së Minskut dhe vazhdimin e dialogut në Grupine Kontaktit. „Megjithë përpjekjet diplomatike, zgjidhja e krizës në Ukrainë ka rrugë të gjatë përpara,“ tha Polyanskiy.

Michael Barkin, këshilltar politik në Ambasadën e SHBA në OKB, tha se duke qenë mbështetësi më i madh i OSBE, Amerika është duke nxitur përpara punën e OSBE në të gjitha dimensioned. “Ne inkurajojmë progress në përditësimin e Dokumentit të Vjenës, për rritjen e transparences në fushën ushtarake dhe krijimin e besimit midis 57 vendeve anëtare të OSE,” tha Barkin. Ai e quajti konfliktin në Ukrainë kërcënimin më të madh për sigurinë në Europë që me përfundimin e Luftës së Ftohtë. Mbasi përshëndeti këmbimin e të burgosurve ai kërkoi që Rusia të bëjë më shumë për të vendosur armëpushimin dhe për të respektuar sovranitetin e Ukrainës në Ukrainën Lindore dhe në Krime./DW