MENU
klinika

"Çdo gjë do të sqarohet me kohë"

Skandali me Xhamajkën/ Çitaku: Shumë palë të përfshira

23.02.2020 - 09:19

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka thyer heshtjen, disa ditë pas skandalit me njohjen e vendit nga Xhamajka.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte raportuar i pari, nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tij, në rrjetin social Twitter, se ishte informuar nga Çitaku se Kosova ka siguruar njohjen nga shteti ishullor.

Por, pak orë më vonë, Xhamajka ka mohuar se ka vendosur për njohje, duke e turpëruar Kosovën. Reagimet në vend kanë qenë të menjëhershme, në veçanti kundër ambasadores Çitaku, teksa kërkohej shkarkimi i saj.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e saj, në rrjetin social Facebook, në natën e së shtunës, Çitaku ka thënë se “çdo gjë do të sqarohet me kohë”.

“Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje”, është shprehur ajo.

Çitaku ka kritikuar zëvendëskryeministrin e vendit, Haki Abazi, pas kritikave ndaj saj, duke i thënë se nuk “nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale”.

  • Mesazhi i plotë:

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës. Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.

Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamajka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje.

Çdo gjë do të sqarohet me kohë.
Zv.Kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv. Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktojë me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nder tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem.

Nuk do të lejoj që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale.
Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik. E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Xhamajka ka njohur shtetin e Kosovës...!"

Thaçi ia lë përgjegjësinë Vlora Çitakut për skandalin