Të maskuar dhe të trajnuar për më se 6 muajsh, specifikisht të një ngarkese të lartë fizike…kjo është skuadra e Operacionit Forca e Ligjit që do të luftojnë kriminelët. Kjo strukturë ka qenë ekzistuese në Policinë e Shtetit, por me krijim i SPAK, do të jetë mekanizmi me anë të së cilit do të vihet në zbatimi ligjit special i miratuar ditën djeshme me akt normativ nga qeveria, Anti-KÇK. Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video nga një moment i stërvitjes së këtyre “superpolicëve” që pritet të dalin në terren ditën e hënë.
“OFL (Operacioni Forca e Ligjit) është Njësia Speciale që pas 6 muajsh trainimesh të specializuara dhe stërvitjeje me ngarkesë të lartë fizike, del në terren ditën e hënë për të zbatuar në bashkëpunim me SPAK-un, Ligjin Special të sapomiratuar për masat pasurore ndaj personave të dënuar ose akuzuar për krim të organizuar”– shkruan Rama.
Paketa ligjore Anti-KÇK ka hyrë në fuqi ditën e djeshme, në fokus të së cilës do të jetë masat pasurore ndaj krimit të organizuar. Fokusi i vetëm i ligjit anti-KÇK do të jetë pasuria e kriminelëve dhe terroristëve, që janë në hetim ose të dënuar brenda ose jashtë vendit me vendim të formës së prerë për krime të rënda, vrasje, trafik droge, grup të strukturuar kriminal, terrorizëm dhe 44 vepra penale te tjera. Ndryshe nga sa ishte parashikuar në fillim, në draftin final, janë hequr akuzat për shpërdorim detyre të zyrtarëve, korrupsioni i çfarë do lloj forme, përfshirë atë zgjedhor, por edhe atë të gjyqtarëve dhe prokurorëve.