Bashkia e Korçës ka ngritur 22 grupe patronazhimi me punonjës socialë, të cilët iu vijnë në ndihmë pensionistëve të vetmuar dhe familjeve në nevojë ekonomike, duke iu shpërndarë ushqime dhe ilaçe, në kushtet e masave kundër COVID-19.
Zyra e shtypit në Bashkinë Korçë, bëri të ditur sot për ATSH-së, se janë disa grupe në terren, në zonat urbane dhe rurale, që po punojnë non stop, duke iu shërbyer në shtëpi ushqime dhe ilaçet e nevojshme, të gjithë pensinistëve të vetmuar që nuk kanë fëmijë apo të afërm pranë, si dhe familjeve në nevojë që janë kushte të vështira ekonomike.
Aktualisht janë 22 grupe patronazhimi që po funksionojnë. 9 nga të cilat në qytet dhe 13 në zonat rurale të bashkisë Korçë që i vijnë ndihmë për çdo nevojë utilitare, personave dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, komunitetit rom dhe egjiptian, personave me aftësi ndryshe, si dhe të moshuarve që jetojnë vetëm.
Shërbimi social në bashkinë Korçë është në gadihmëri të vazhdueshme dhe ka vënë numër telefoni në dispozicion të çdo qytetari, për t’i qënë pranë në çdo kërkesë e nevojë në kushtet e masës së vetëizolimit që ka ndërmarrë qeveria për mbrojtjen e qytetarëve nga COVID-19.
Ndërkohë që dega e Postës Shqiptare Korçë, vijon normalisht shpërndarjen e pensioneve në shtëpi për të gjithë pensionistët, që për shkak të situatës, kërkojnë që pagesa e pensionit tu shkojë në banesë