Kryeministri Edi Rama i ka besuar ministrit Arben Ahmetaj menaxhimin dhe përballimin e situatës nga koronavirusi që ka prekur Shqipërinë. Ahmetaj, përpos rindërtimit nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit të vitit të kaluar, tashmë është përgjegjës edhe për koordinimin dhe drejtimin e punës ndërmjet ministrive dhe institucioneve, por edhe për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19. Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave i rikthyer fuqishëm me postin e ri, do të evidentojë, jo vetëm burimet e brendshme dhe të jashtme financiare, por detajimin e nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni që deri tani ka marrë dy jetë njerëzish në Shqipëri, ndërsa 59 janë të prekur.
VENDIMI I PLOTE
Për një shtesë në vendimin nr.11, datë 10.1.2020, të këshillit të ministrave, “për përcaktimin e fushës së përgjegjësisë shtetërore të ministrit të shtetit për rindërtimin”Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Pas kreut II, të vendimit nr.11, datë 10.1.2020, të Këshillit të Ministrave, shtohet kreu II/1, me këtë përmbajtje:“II/1. Ministri i Shtetit për Rindërtimin është përgjegjës për koordinimin dhe drejtimin e punës, ndërmjet ministrive dhe institucioneve, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19. Në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Ministrave, është përgjegjës për:
a) koordinimin, drejtimin dhe ndjekjen e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
b) evidentimin e burimeve të brendshme, financiare dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
c) evidentimin e burimeve financiare të jashtme dhe përcaktimin e mënyrës së përthithjes së tyre, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19 dhe propozimin për miratim në Këshillin e Ministrave të akteve përkatëse, për përdorimin e këtyre burimeve;
ç) koordinimin dhe drejtimin e strukturave e të njësive, shtetërore dhe publike, të ngarkuara drejtpërdrejt për kryerjen e detyrave, për zbatimin e planit të përballimit të situatës ekonomike, të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
d) prezantimin e gjendjes dhe të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19; dh) përgatitjen dhe propozimin e projekteve, të përgjithshme e të veçanta, si pjesë të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
e) detajimin e nevojave për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19;
ë) koordinimin dhe drejtimin e punës si dhe rekomandimin e institucioneve për përgatitjen dhe paraqitjen për miratim në Këshillin e Ministrave të projektakteve, ligjore e nënligjore, për përballimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
f) nxitjen, bashkërendimin dhe dhënien e mendimit përprojektaktet që propozohen nga ministritë, të cilat trajtojnë, ndër të tjera, edhe çështje me interes ose brenda fushës së përgjegjësisë së tij;g) thirrjen për raportim të strukturave të cilat kanë lidhje me situatën ekonomike të shkaktuar nga infeksioniCOVID-19;
gj) krijimin dhe drejtimin e grupeve të punës dhe organizimin e veprimtarive për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;h) bashkërendimin me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të nevojshme dhe përcjelljen e porosive në funksion të realizimit të planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19;
i) informimin, vazhdimisht dhe në kohë, të Kryeministrit, kur është rasti, edhe Këshillin e Ministrave, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të shkaktuar nga COVID-19.
2. Ngarkohet ministri i Shtetit për Rindërtimin për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.