Nga Adrian Civici
Koronavirusi nuk po kërcënon rëndë vetëm shoqërinë, por paralelisht me të, duket se është po kaq kërcënues e vrastar edhe për ekonominë. Tashmë është e qartë, se kontrolli i përhapjes së COVID 19 dhe eleminimi i pasojave të rënda shëndetsore e njerëzore, duhet zhvilluar paralelisht me minimizimin e efekteve po kaq shkatërruese ekonomike që ai po shkakton.
E gjithë bota, vecanërisht vendet dhe kontinentet e prekura më shumë, sidomos Europa dhe SHBA, kanë hyrë në një “sfidë kundër kohës”. Qeveritë e gjithë këtyre vendeve po përpiqen të gjejnë edhe “vaksinën” e duhur ekonomike e financiare për përballimin ekësaj situate akoma shumë të paqartë në dinamikat e saj në të ardhmen. SHBA është gati ti përgjigjet me një paketë financiare speciale prej 1000 miliardë dollarë, Britania e Madhe me 350 miliardë stërlina, Gjermania po përgatitet me shpejtësi të aktivizojë 550 miliardë euro, Italia 359 miliardë euro, etj.
Por, për cfarë pritet të përdoren gjithë këto para, dhe mbi të gjitha në cfarë mënyre? Egziston një model apo formë unike e përdorimit të tyre, apo strategjitë dhe objektivat e cdo qeverie janë të ndryshme, megjithëse qëllimi është i përbashkët? Informacionet e përditshme që vijnë nga ky “front” dëshmojnë për “rrugë të ndryshme të zgjedhura nga vende të ndryshme, dhe kjo, mbi të gjitha për specifikat e situatës, strukturës ekonomike e funksionimit të tregjeve, fuqisë ekonomike e financiare të tyre, etj.
Nesër, Qeveria shqiptare do paraqesë “paketën e saj mbështetëse ekonomikee financiare” në vijim të masave emergjente e drastike të luftimit të pasojave të koronavirusit. Ku pritet të ngjajë dhe dallojë ajo në raport me shembujt e vendeve të tjera? SHBA dhe Presidenti Trump deklaruan pa asnjë ekuivok se “mënyra më e thjeshtë dhe më direkte e ndihmës është dërgimi i parave në xhepat e amerikanëve”, duke sugjeruar se kjo ishte mënyra më e mirë e veprimit për gjithë ata qytetarë të botës që po vujanë pasojat dhe kufizimet drastike të luftës anti-koronavirus, në kushtet e një krize të panjohur më parë, aq më tepër që kjo “luftë” nuk është as rajonale dhe as kontinntale, por është globale.
Është hera e parë në historinë tonë, që lufta ka prekur gjithë vendet e zhvilluara të botë duke i detyruar të stopojnë pothujase gjithshka në ekonomitë e tyre. Dhe “për të evituar faktin që ky frenim të kthehet në një recesion pandemik botëror, e vetmja mundësi aktuale duket se është dërgimi i parave të qytetarët në mënyrë, që të paktën, të kenë mundësi të konsumojnë për ti mbajtur, qoftë dhe minimalisht të ndezur, motorrët e ekonomisë.
Në Hong Kong, kanë menduar të ndjekin pak a shumë “rrugën amerikane” duke vendosur në fund të muajit shkurt, që ti japin cdo qytetari mbi 16 vjec një cek prej 10000 dollarës të Hong Kongut (1200 euro), duke shpresuar se një masë e tillë do ndihmojë famijlet të vazhdojnë të konsumojnë normalisht pa paralizuar vendin. Në Europë, duket se është zgjedhur një rrugë tjetër, ku mjeti kryesor që po përdoret është “kanalizimi i paketave financiare nëpërmjet mekanizmave të mbështetjes sociale në kuadër Ëelfare-state (Shtetit social, mirëqënies), investimeve në infrastrukturë, likuiditete dhe masa lehtësuese për biznesin”, etj.
Edhe paketa ekonomike mbështetëse në Shqipëri, duket se po ndjek “modelin “ europian, natyrisht në përmasa shumë më modeste, për shkak të mundësive të kufizuara buxhetore e nivelit ekonomik të vendit : mbështetje sociale direkte dhe indirekte, ndihma ushqimore, garantimin e një apo dy pagave të gjithë atyre që kanë mundësi të punojnë në këtë situatë izolimi, lehtësim procedurash e detyrimesh të biznesit, lehtësi në procesin e detyrimeve ndaj bankave, etj. Nëse situata do zgjatet dhe do agravojë, me siguri që në plan të parë do dalin dhe masa të tjera të domosdoshme, sidomos ato që kanë të bëjnë me funksionimin “normal” të biznesit, ristrukturime të kredive, lehtësimin e mundësve dhe kostos së kreditimit, etj.
Një element tjetër themelor në këtë lloj vendimesh është dhe pyetja se “nga do dalin këto financime kaq masive dhe krejtësisht të paparashikuara?”, aq më tepër që situata e tregjeve bankare e financiare botërore, por dhe ajo e mjaft prej vendeve më të zhvilluara e më të pasura të planetit nuk është aspak e mirë. Shenjat e një krize financiare të ngjashme me krizën globale financiare të vitit 2008 kishin filluar të shfaqeshin që në 6 mujorin e dytë të vitit 2019.
Ekspertë të ndryshëm shkojnë deri atje sa të shprehen se “kriza e koronavirusit do kthehet shpejt në një alibi për krizën financiare globale që është në qarkullim prej shumë muajsh”. Se “publikut të gjerë nuk mund ti kërkohej përsëri të përballonte një krizë financiare e bankare me buxhetet nacionale, pra, taksat e qytetarëve të ndihmonin bankat dhe tregjet financiare …argumentet e tipit too big to fail ose too big to save të përdorura gjatë krizës së 2008 vështirë se pranohen më aq kollaj nga taksapaguesit… alibia se kjo sakrificë do bëhet në emër të pasojave të koronaviruesit duket komadarja më e justifikueshme e shpëtimit … programet e lehtësimit sasior ose helikopterit monetar mund të vazhdojnë, madje të shumëfishuara”.
Një tjetër ide interesante është dhe mundësia e lancimit të një “eurobondi koronavirus europian”, vecanërisht për mbulimin e shpenzimeve shtetërore të jashtëzakonshme sanitare për luftimin e pandemisë aktuale. Kjo po konsiderohet dhe si “përgjigjia europiane kundrejt emergjencës koronavirus”. Komisioni europian po e shqyrton me përparësi këtë propozim italian të Kryeministrit Giuseppe Conte për krijimin e një “fondi të përbashkët sanitar europian”.
Vendet e Bashkimit Europian pritet të krijojnë një Special Purpose Vehicle (SPV) që do emetojë obligacione (të garantuara nga gjithë qeveritë e BE-së) në tregjet ndërkombëtare.Në këtë mënyrë, shpresohet mbështetja financiare e shpenzimeve sanitare të vendeve më të goditura nga koronavirusi, pa përkeqësuar akoma më shumë bilancet buxhetore të tyre.Nga ana e saj, Banka Qëndrore europiane mund ti përfshijë operacionet e saj të lehtësimit sasior (quantitative easing) edhe duke marrë pjesë direkt në blerjen e këtyre obligacioneve, cka do ndikonte në një kosto më të ulët financimi për këtë operacion.