MENU
klinika

Blinshiti i Mirditës

Aty ku lindi familja princërore

24.03.2020 - 06:03

Në fillim të shekullit XI filloi krijimi i idenditetit etnik arbëror dhe filluan të shfaqen familjet fisnike arbërore. Ata u fuqizuan deri në atë shkallë sa krijuan principatat e tyre. Rëndësia që kjo mbretëri pati për trojet shqiptare është statusi që forcat politike të vendit fituan, statusin e mbretërisë mesjetare që dhe pse ishte i përkohshëm, panvarësisht nga jetëgjatësia e Anzhuinëve, ai u bë i gjithëhershëm.

Sipas prof. Nikollë Loka ndër familjet princërore arbërore është dhe ajo e Blinishtëve. Blinishtët u shfaqën në histori në intervalin kohor 1272-1319 dhe më pas nuk përmenden më.

Blinishtët e kanë marrë emrin nga një fshat që gjendet dhe sot në Mirditë, dy kilometra larg Repsit. Sipas gojëdhënave, toponimi Blinishti vjen nga bliri që rritej shumë në këtë zonë. Ka disa fshatra me të njëjtin emër në Shqipëri, të cilat pretendojnë që janë vendet ku ka jetuar familja e madhe e Blinishtëve të Mesjetës, por të gjitha supozimet i hedh poshtë albanologu i madh kroat Shuflaj, i cili e quan Blinishtin e Mirditës si qendër politike e familjes së madhe. “Blinishti në Mirditën e mëvonshme, Matranga ndërmjet Shkumbinit e Devollit, Muzakët dhe Arianitët ndërmjet Devollit dhe Vjosës”, shkruan ai, duke vulosur kështu njëherë e përgjithmonë supozimet që ngrihen herë pas here për këtë familje princërore. Mendimi i Shuflait që baza e familjes së madhe është Blinishti i Mirditës, mbështetet sipas profesorit Loka edhe nga shumë toponime vendase që janë fakte që duhet të merren në konsideratë. Në Gëziq , një fshat afër me Blinishtin gjendet lagja Kalanjan që lidhet drejtëpërsëdrejti me emrin e kontit Kalojan Blinishti. Po në këtë lagje gjenden dhe toponimet “varri i Princit”, “Kroi i Kalanjanit” dhe “Ura e Kalanjanit”.

Profesori shton se pushteti politik dhe ai shpirtëror kishin marrëdhënie të ngushta në Mesjetë, prandaj pranë qendrës së pushtetit politik ngrihej dhe një qendër e rëndësishme shpirtërore. Shuflaj citon dhe një dokument bizantin të vitit 878, ku thuhet se Drishti dhe Shën Pali ishin dy qendrat më të rëndësishme shpirtërore të kohës. Pra abacia e Shën Palit pranë Blinishtit ishte ndër më të rëndësishmit e Arbërisë së Mesjetës.

Sipas profesor Lokës ishte normale që princët Blinishtas do ta zgjidhnin selinë e tyre në një qendër të njohur kishtare që siç duket ishte Blinishti dhe Shën Pali ishte thjesht një lagje e tij.

Në periudhën e sundimit të princërve Blinishtas, shumë afër Blinishtit të Mirditës gjenden dhe qendra të tjera të rëndësishme të katolicizmit, ndër më të njohurat kuvendi i Shën Mërisë së Trafandenës, Shën Shëlburni i Arbërisë, Shën Aleksandirt në Orosh dhe Shën Venerandës së Kurbinit.

Pra Blinishti ishte qendra e një treve ku katolicizmi dhe objektet e kultit ishin më se të pranishme.

Por Blinishti do të hynte në histori jo vetëm për abacitë e njohura por sepse aty jetoi një prej familjeve më të njohura shqiptare të Mesjetës, ajo e Blinishtëve.