MENU
klinika

139 vite më parë

Autonomi, pse jo pavarësi…

21.03.2020 - 15:24

139 vite më parë, më 10 qershor 1878, në një kohë turbullirash gjeopolitike në qytetin e bukur të Prizrenit do të themelohej organizata e parë e lëvizjes sonë kombëtare me karakter panshqiptar që do quhej Lidhja e Prizrenit. Pa dyshim përbën një nga ngjarjet më të mëdha historike sepse ishte kthesa në luftën e madhe për çlirimin kombëtar të popullit shqiptar që do sillte disa vite më vonë në krijimin e shtetit të ri shqiptar.

Sipas prof. dr. Nebi Dervishit, Lidhja e Prizrenit zë një vend të rëndësishëm në panteonin e historisë shqiptare. Ajo është e vetmja organizatë politike e ngritur në Shqipëri që u doli zot me armë në dorë të drejtave të kombit shqiptar, një organizatë që ka një platformë ideologjike kombëtare dhe një program politik të përcaktuar qartë, si dhe një organizim shtetëror dhe ushtarak në shkallë kombëtare.

Sipas profesorit Dervishit nuk qe e rrallë që kjo mbledhje kaq e rëndësishme u mbajt në Prizren që është zemra e Kosovës. Kosova ishte vendi ku lakmitë e pushtuesve ishin përqëndruar gjatë kësaj kohe, siç do vërtetohej dhe pak vite më vonë.

Lidhja shqiptare e Prizrenit ishte organizata e parë politike dhe ushtarake me frymëzim patriotik. Ajo u zhvillua në kushtet e pushtimit Osman dhe të krizës së madhe lindore. U përpoq të zgjidhte tri detyra kryesore që shqetësonin opinionin e gjithë shqiptarëve:

a) të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar, si subjekt i të drejtave kombëtare.

b) të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare, të vendosur në Kongresin e Berlinit (13.06-13, 1878), në favor të monarkive fqinje ballkanike.

c) të realizonte bashkimin e mbarë trojeve autonome në kuadër të Perandorisë Osmane, si hap i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik.

Para formimit të Lidhjes shqiptare të Prizrenit shqiptarët kishin realizuar një sërë kryengritjesh kundër zgjedhës osmane, por Porta e Lartë nuk kish pranuar asnjë nga kërkesat e tyre kombëtare. Fuqitë e mëdha, gjithashtu nuk kishin pranuar t’u njihnin shqiptarëve të drejtën e formimit të një shteti të veçantë. Shqetësimi i shqiptarëve arriti kulmin me Traktatin e Shën Stefanit. Sipas këtij Traktati, Rusia fitimtare mbi turqit do i shkëpuste Perandorisë otomane në favor të Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi mjaft territore shqiptare duke gjymtuar kështu Shqipërinë.

Në kushte të tilla politike përfaqësuesit e gjithë viseve shqiptare u mblodhën në Prizren ku zgjodhën organet më të larta:Këshillin e Përgjithshëm me funksione legjislative dhe Komitetin Qendror me funksione ekzekutive.

Më 16 qershor 1878 u miratua Statusi i Lidhjes shqiptare “Kararname” dhe Urdhëresat ku trajtoheshin aspektet organizative, politike dhe ushtarake të saj. Nën presionin e qarqeve patriotike. Këshilli i Përgjithshëm më 2 korrik 1878 miratoi një Kanun të ri, ku u pastrua nga shprehjet “besnikëri ndaj perandorisë osmane dhe kjo ishte një fitore”.

Lidhja shqiptare e Prizrenit kundërshton vendimet antishqiptare të Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, që prekin rëndë tërësinë tokësore të shqiptarëve në favor të shteteve fqinje. U ngritën degë të lidhjes në të gjithë Shqipërinë dhe kapërceu të gjitha dallimet krahinore, fetare dhe klasore duke u bërë një forcë e organizuar me autoritet të padiskutueshëm.

Pas aksionit të Gjakovës dhe vrasjen e Mehmet Ali Maxharit, një përpjekje e Portës së lartë për të bindur krerët e Lidhjes të lëshonte Plavën dhe Gucinë. Lidhja e Prizrenit ngriti me forcë para Portës së Lartë çështjen e bashkimit të të gjitha trojeve shqiptare në një njësi më vete politico-administrative në një vilajet autonon, kërkesë të cilën Porta e Lartë e kundërshtoi me vendosmëri. Përpjekja e Lidhjes për të mbrojtur tokat e Çamërisë deri në lumin Kalamat e detyroi delegacionin osman në Konferencën e Prevezës, më 6 shkurt 1879, që të mos u nënshtrohej kërkesave të qeverisë greke.

Lidhja shqiptare e Prizrenit, në pranverën e vitit 1879 dërgoi një delegacion të kryesuar nga Abdyl Frashëri e Mehmet Vrioni nëpër Evropë, për t’i bindur kancelaritë e mëdha evropiane që ta ndryshojnë përmbajtjen e Protokollit 13, (që kishte të bëjë me Jugun e Shqipërisë), përndryshe, siç theksonin ata, do të shkaktohej gjakderdhje midis grekëve dhe shqiptarëve, të cilën Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk e dëshironte. Delegacioni që u nis për në Europë, në fund të prillit të vitit 1879, i vizitoi kancelaritë e pesë Fuqive të Mëdha (Romë, Paris, Londër, Berlin, e Vjenë). Përveç shpjegimeve gojore, delegatët e Lidhjes u dorëzuan ministrave të jashtëm të pesë Fuqive të Mëdha një memorandum, me të cilin kërkonin që Shqiptarët të trajtoheshin ashtu siç ishin, si një komb më vete dhe që ato të hiqnin dorë nga politika e copëtimit të tokave shqiptare. Në fund të misionit, ata arritën t’i bindin shefat e diplomacive të tyre që të mos nguteshin në zbatimin e Protokollit 13.

Gjatë dimrit të 1879-1880, forcat e armatosura të Lidhjes e mbrojtën me sukses Plavën dhe Gucinë duke u shkaktuar ushtrive malazeze, që u orvatën t’i merrnin me forcë, disfatë të rëndë në Nevshov e Velikë (dhjetor 1879) dhe pastaj në Velikë dhe Pepiç (janar 1880).

Me shpresë se do ta lehtësonin zbatimin e Traktatit të Berlinit, Fuqitë e Mëdha vendosën në fillim të muajit prill 1880 që ta korrigjonin atë duke i dhanë Malit të Zi, Hotin dhe Grudën, në vend të Plavës dhe Gucisë. Por, Lidhja nuk u tërhoq, përkundrazi vendosi t’i mbronte me çdo sakrificë të dy këto qytete shqiptare.

Më 22 prill 1880, forcat ushtarake të Lidhjes në betejën e Rrazhanicës i thyen përsëri forcat malazeze, të cilat u orvatën ta pushtonin Hotin dhe Grudën. Pak ditë më vonë, më 26 qershor 1880, Fuqitë e Mëdha vendosën që në vend të Hotit dhe Grudës, Malit të Zi t’i lëshohet qyteti i Ulqinit dhe rrethin e tij me popullsi kryeisht shqiptare. Këtë radhë, për ta detyruar Portën e Lartë, që zbatonte me çdo kusht vendimet e tyre, Fuqitë e Mëdha dërguan për shantazh flotën e tyre luftarake në ujërat e Ulqinit. Në këto rrethana, qeveria osmane vendosi të shtypte rezistencën shqiptare. Pas përpjekjes me armë, që pati me forcat e Lidhjes Shqiptare, ushtria osmane hyri më në fund në Ulqin dhe më 26 nëntor 1880, ia dorëzoi qytetin Malit të Zi.

Lëshimet e Portës së lartë në kurriz të shqiptarëve i dhanë një hov lëvizjes për autonomi. Kështu nëpër Shqipëri do të mblidheshin kuvende të rëndësishme patriotësh si Kuvendi i Frashërit 1880, Kuvendi i GJirokastrës dhe u mbajt përsëri një kuvend i jashtëzakonshëm në Prizren. Repartet ushtarake të Lidhjes shtinë në dorë Shkupin, Mitrovicën dhe Prishtinën duke dëbuar turqit nga të gjitha qendrat e Lidhjes shqiptare të Prizrenit.

E tronditur nga kjo veprimtari, iu dha urdhër Dervish Pashës të shtypte atë me çdo kusht. Me forca të panumërta dhe me tradhti u mor Shkupi dhe më pas Prizreni dhe të gjithë anëtarët e Lidhjes kaluan nëpër gjyqet ushtarake dhe u internuan me gjithë familjet në Anadoll.

Koncepti i Lidhjes për formimin e një shteti kombëtar në një kohë me popujt e tjerë të Ballkanit ishte pika më e lartë e mendimit politik të Rilindjes.

Pyetja që mund të bëhet në këtë rast dhe që të gjithë e parashtrojnë është përse rilindasit tanë të mëdhenj kërkuan vetëm autonomi. Sipas profesorit në kushtet e kohës Shqipëria në një vilajet të vetëm, do të kishte status ndërkombëtar edhe pse të kufizuar. Ajo do ishte autonome brenda territorit të vet por e varur në marrëdhëniet me jashtë që do të mbeteshin në kompetencat e Portës së Lartë.

Megjithëse, nën sovranitetin e sulltanit, Shqipëria do të gëzonte një autonomi të gjerë administrative – shtetërore, të gjitha atributet e një organizimi shtetëror, të një shteti kombëtar shqiptar.

Krerët e Lidhjes e shikonin shtetin autonom si një zgjidhje që mund të pranohej më lehtë nga Qeveria Osmane dhe nga Fuqitë e Mëdha. Këto të fundit nuk ishin të prirur të përkrahnin shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, por kjo do ishte një periudhë tranzitore drejt shkëputjes së Shqipërisë nga kjo perandori një here e përgjithmonë.

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale