Duke e njohur në thellësi këtë trashëgimi kulturore të mahnitshme të shqiptarëve patjetër që lindin shumë pikëpyetje. Dhe duke qenë një komb që gjithmonë kemi luftuar për identitetin tonë kombëtar është normale të ngrejmë pyetje për gjenezën tonë. A janë Këngët e Kreshnikëve këngë shqiptare apo u ndikuan nga epet e tjera.
Profesor doktor Shaban Sinani që ka shkruar dhe një studim të mirëfilltë mbi këtë temë ngulmon se nuk mund të flasim për një epos puritan shqiptar. Nuk ka epope puritane asnjëherë. Deri sa ka dy palë, doemos që nuk mund të jetë një trashëgimi homogjene dhe krejtësisht e pastër. Askush nuk e pretendon këtë sepse është kundër teorive për epopetë.
Përpjekja për të provuar se eposi shqiptar është vetëm shqiptar dhe asgjë tjetër, është një lloj fanatizmi shkencor. Problemet në shkencë nuk zgjidhen me entuziazëm. Nuk zgjidhen as me vullnetarizëm atdhetar. Në Eposin shqiptar ka karaktere që vijnë nga e gjithë Evropa. Çfarë është Jevrenia tek kënga “Muji dhe Jevrenia”. Nuk është gjë tjetër veç një figurë hebaraike. Çfarë është Jelini, personazh në epos, është helen. Çfarë është Liskodhi?Është rus. Por ka dhe hungarezë, italianë. Pra eposi nuk është gjë tjetër veç kujtesa e popujve para se të lindnin gjuhët e tyre. Në epos është e gjithë bota. Po të analizojmë Eposin shqiptar të gjitha toponimet e Evropës janë të pranishme. Dhe kjo do të thotë që Epopeja shqiptare ka qenë një epope e hapur. Pavarësisht rajonit ku është ruajtur, eposi i shqiptarëve ka qenë një epos që ka komunikuar me kultura të tjera, dhe jo vetëm ka komunikuar por dhe e ka portretizuar tjetrin. E ka nominuar, e ka pagëzuar me efikasiitetin e tij. Maxhari nuk ka diskutim se është fjala për emrin etnik të hungarezëve. Epopeja shqiptare do të ishte shumë e varfër nëqofttëse do dëshironim në mënyrë jo serioze të përjashtonim shtresa dhe ndikime dhe prani të huaja ndaj tij.
Në kohën kur u krijua eposi nuk ekzistonte fjala shqiptar. Ishte koha e Arbrit, e familjeve të mëdha princërore shqiptare, ishte koha e humanizmit. Eposi është një prej atyre dëshmive që na vjen në ndihmë për të thënë që ky popull me këtë trashëgimi provon se ka rrojtur me të tjerët në luftë e paqe. Nuk është eposi vetëm duel. Në të ka dhe letërkëmbim, dashuri ka dhe grabitje ka dhe mit të bukurisë dhe çudia më e madhe është se aty ku shenjohet bukuria femërore, përsëri na del e huaj. Bukuria shenjohet tek Tanusha dhe ajo nuk është një vajzë shqiptare. Është për tu habitur sesi në tekstet e folkloristikës shqiptare është thënë se modeli i bukurisë femërore shqiptare është paraqitur tek Tanusha. Tanusha është çikë e krajlit, nuk është vajzë shqiptare. Pra ka ekzistuar edhe simpatia dhe empatia, dhe urrejtja dhe marrëzitë edhe duelet dhe luftërat. Por nuk është një epos ku të gjithë janë gjithnjë me shpatë në dorë ose në frëngji.
Duke qenë dhe një dukuri ballkanike ekziston një luftë e ashpër midis shkencëtarëve. Prej më shumë se një shekull mund të thuhet se ka më shumë luftë midis shkencëtarëve sesa luftë brenda eposit. Studiuesit duke dashur ta përvetësojnë ose të paktën të tregojnë se populli i tyre e ka krijuar e kanë fortifikuar eposin dhe nuk kanë parë çfarë ka brenda eposit. Ose se kanë kuptuar se çfarë njoftimi na japin vargjet : “Se unë Tanushën vetë e kam pa, kur kemi pasë besë me krajli” Këtu fjala besë ka kuptimin paqe. Dhe paqet në epos janë shekullore, nuk bëhet fjalë për vite.
Ka munguar në studimet që janë bërë në Ballkan dëshira për të parë veten tek tjetri. Nuk ka munguar aspak përpjekja për të ritheksuar antagonizmin. Popujt në Ballkan kanë rrojtur në antagonizëm por dhe në protagonizëm. Kanë qenë bashkë por dhe kundër, kanë rrojtur në paqe por dhe në luftë. Tezat që qarkullojnë sot nuk na dëshmojnë atë që ka thënë populli me trashëgiminë e tij prej shekujsh, harmoninë mes popujve.