Bashkimi Evropian mund të fillojë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, njoftoi agjencia Reuters, duke iu referuar një draft-vendimi që duhet të miratohet këtë javë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Parisi dhe Haga, shton Reuters, i kanë zbutur objeksionet e tyre muajin e kaluar dhe Brukseli duket se po shkon drejt miratimit të nisjes së negociatave, pavarësisht nga situata e krijuar nga koronavirusi. “Nuk mendoj se situata e koronavirusit do të ndikojë në vendimin e vendeve anëtare”, tha për mediat kreu i politikës së jashtë të BE Joseph Borrell.
Reuters, duke cituar burime diplomatike në Athinë, thekson se Greqia ka dhënë tashmë miratimin e saj për këtë draft, që kërkon unanimitetin nga të gjitha vendet që të hyjë në fuqi. Sipas këtyre burimeve, OK i Athinës është dhënë pasi në tekst janë përfshirë edhe kushte të Greqisë për mbrojtjen më të madhe të të drejtave të minoriteteve në Shqipëri e Maqedoni.
Në rast se asnjë vend nuk del kundër, drafti pritet të miratohet në mes të kësaj jave, këtë herë më shkrim nga delegacionet e vendeve anëtare dhe jo nëpërmjet një mbledhjeje të zakonshme, si pasojë e situatës së pandemisë. Marrjen e një vendimi pozitiv e ka mundësuar edhe ndryshimi i qëndrimit të presidentit francez Macron, që i kishte kërkuar Brukselit reformimit e procesit të aderimit të vendeve kandidate, çka Komisioni Evropian e miratoi.