MENU
klinika

Shtypi amerikan

Oferta e SHBA-së për Shqipërinë më 1973

15.03.2020 - 21:45

Histori / 1973. Ofertë e SHBA për Shqipërinë
• Shkrim i gazetës amerikane “The Christian Science Monitor”, 19 qershor 1973

Amerika ka futur një faktor të ri në marrrëdhëniet e saj me Shqipërinë, aleaten e Kinës komuniste.
Më 4 prillin e kaluar [1973], zëvendëssekretari i Departamentit të Shtetit, Keneth Rash [Kenneth Rush (1910-1994)], i bëri Shqipërisë një propozim publik miqësor. Ai tha se SHBA-ja është e gatshme të normalizojë marrëdhëniet me Tiranën. Uashingtoni nuk ka marrëdhënie diplomatike me Tiranën qysh në vitin 1939, kur Italia sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë.

Çfarë e nxiti më shumë zotin Rash? Dhe cilat janë shanset për përmirësim në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane?

Deri më tani, Shqipëria nuk i është përgjigjur zyrtarisht ofertës amerikane.

Është pothuajse e sigurt se në interesin e ri të Uashingtonit për Shqipërinë kanë ndikuar marrëdhëniet e Amerikës me Kinën e Maos. Nëse do të jetë e mundur të shënohet sukses diplomatik me Pekinin, gjithashtu duhet të jetë e mundur të përmirësohen marrëdhëniet me aleatin ballkanik të Pekinit.

Përveç kësaj, që nga viti 1968 Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të zgjeruar lidhjet e saj diplomatike, ekonomike dhe kulturore me Evropën Perëndimore. Ajo ka marrëdhënie normale me fqinjët – Greqinë, Jugosllavinë dhe Italinë – dhe shumicën e vendeve perëndimore. Me sa duket, zyrtarët amerikanë besojnë se Tirana mund të jetë gati tani të ndërmarrë një hap tjetër dhe të zgjerojë gjithashtu lidhjet me SHBA-në.

Shenjë inkurajuese është tregtia. Tregtia amerikane me Shqipërinë është zgjeruar në dekadën e fundit. Në vitin 1961, Amerika importoi mallra me vlerë 73.000 nga Shqipëria. Në vitin 1971 kjo shifër shkoi në rreth 280.000 dollarë – afër katër herë më shumë. Eksportet në drejtim të Shqipërisë kanë qenë dukshëm më të vogëla. Më tepër rëndësi, megjithatë, ka fakti se shkëmbimi i mallrave ka vazhduar pa ndërprerje që nga viti 1963.

Nisma diplomatike e Uashingtonit ndaj Shqipërisë ka dhe një dimension tjetër. Ajo bazohet në një traditë të gjatë të miqësisë dhe bashkëpunimit midis popujve amerikan dhe shqiptar. Shqiptarët kujtojnë me mirënjohje përpjekjet e Presidentit Uillson [Woodrow Wilson (1856-1924)] për sovranitetin e Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore.
Në dhjetor të vitit 1942, Kordell Hall [Cordell Hull (1871-1955), Nobel i Paqes në vitin 1945], atëherë Sekretar amerikan i Shtetit, premtoi për mbështetjen amerikane për rivendosjen e sovranitetit të Shqipërisë dhe të drejtën e saj për vetëvendosje pas humbjes së fuqive të Boshtit. Me një tjetër gjest miqësor, Presidenti Ajzenhauer (Eisenhower, 1890-1969) në vitin 1956 [në të vërtetë, në vitin 1955, më 4 mars] propozoi dërgimin në Shqipëri të produkteve ushqimore me vlerë rreth 1.000.000 dollarë, për të ndihmuar në zbutjen e mungesës serioze së ushqimeve në vend.

Cilat janë pengesat për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike midis Amerikës dhe Shqipërisë – i vetmi vend haptas stalinist në Evropën Lindore?

Njëra është trashëgimia e hidhur e luftës së ftohtë. Udhëheqësve shqiptarë prej kohësh nuk u ka pëlqyer përkrahja që u ka dhënë Amerika grupeve anti-komuniste shqiptare në mërgim. Një pengesë tjetër serioze është çështja e traktateve të paraluftës të lidhura mes SHBA dhe të mbretit Zog. Regjimi i Hoxhës nuk njeh traktatet e Uashingtonit me monarkun e fundit shqiptar. Tirana deklaron se nuk është e detyruar të respektojë marrëveshjet që nuk i ka nënshkruar ajo vetë.

Përveç kësaj, ka dhe një postbllok ideologjik. Udhëheqësit militantë të Shqipërisë e shohin SHBA-në si një shtet, i cili, së bashku me Bashkimin Sovjetik, kërkon të sundojë botën. Për më shumë se një dekadë, ata kanë zhvilluar luftë të ashpër ideologjike kundër “imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik”.

ufta e ftohtë është dobësuar. Lidershipi i Hoxhës nuk kërcënohet më ushtarakisht nga kundërshtarët e tij politikë në mërgim. Vazhdojnë të bien në sy përfitimet nga tregtia në rritje me Perëndimin.

Mbi të gjitha, afrimi në rritje i Kinës me Uashingtonin pashmangshmërisht do të ndikojë mbi qëndrimin e Shqipërisë ndaj SHBA-së. Kina ka zbutur tanimë polemikat e saj ideologjike ndaj Uashingtonit. Tirana ka të ngjarë të ndjekë me kalimin e kohës shembullin e tyre. Përndryshe, ajo do të vetizolohej nga aleati i saj, Pekini.
Në të vërtetë, mund të thuhet se ekziston tashmë një ulje e kufizuar e tensionit [a limited détente] mes Uashingtonit dhe Tiranës. Edhe pse udhëheqësit shqiptarë këmbëngulin se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik janë po aq të rrezikshëm për sigurinë e shteteve dhe paqen në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket të konsiderohen armik më i vogël. Tirana bën tregti të kufizuar, “jozyrtare” me Amerikën. Nga ana tjetër, nuk bën fare tregti me Bashkimin Sovjetik. Po ashtu, ka turizëm të kufizuar ndërmjet Amerikës dhe Shqipërisë. Nuk ka kurrfarë turizmi midis Shqipërisë dhe BRSS.

Tensionet e brendshme sociale dhe ekonomike, plus zhvillimet ndërkombëtare, duket se po e lëvizin Shqipërinë nga armiqësia e hapur drejt një ujdie [accommodation] graduale me Uashingtonin. Është ende çështje e hapur sa shpejt do të ndodhë tranzicioni.

Ka pak gjasa për kthesë të vrullshme dramatike në të ardhmen e afërt në marrëdhëniet shqiptaro-amerikan. Por ekziston një prirje afatgjatë drejt uljes së tensionit.

Përktheu: Thanas Mustaqi