MENU
klinika

Nga pezullimi i faturave tek komitetet e posaçme

Cilat janë 20 propozimet zyrtare të biznesit për qeverinë?

18.03.2020 - 14:22

Zbardhen 20 propozimet zyrtare të biznesit për qeverinëBashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Biznes Albania kanë depozituar zyrtarisht në qeveri kërkesën e tyre për masa lehtësuese e mbështetëse në kuadër të situatës së krijuar nga COVID-19 në Shqipëri. Në shkresën e siguruar nga gazetarja e SCAN Elisabeta Dosku janë 20 propozime që Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë dhe Biznes Albania i propozojnë qeverisë shqiptare. Ato janë si më poshtë vijojnë :

-Shtyrja e afatit te dorëzimit të pasqyrave financiare të vitit 2019, deklaratës së tatimitmbi fitimin, raportit të auditimit dhe njoftimin vjetor të transaksioneve të kontrolluara;
-Shtyrja e pagesës të të gjitha detyrimeve tatimore (TVSH, kontribute shoqërore, tatimfitimi, TAP etj) nga 3 deri në 6 muaj;
-Mos aplikimi i gjobave dhe kamatvonesave për deklarimet dhe për pagesat e vonuara;
-Pezullim të aktiviteteve të mbyllura me vendim të qeverisë, në mënyrë që të mos paguajnë detyrimet fiskale;
-Shtyrja e afatit të pagesës së taksave lokale deri në 30 tetor;
-Përgjysmim në masën 50% të taksës vendore për godina që përdoren nga shoqëritë që kryejnë veprimtari tregtare, artizanale apo industriale;
-OSSHE dhe UKT të mos ushtrojnë presion për kryerjen e pagesave në kohë dhe të mos aplikojnë kamatëvonesa për pagesat e faturave të ujit dhe dritave deri ne 30 tetor;
-Shtyrje automatike e vlefshmërisë së çdo autorizimi, certifikatë, apo leje që biznesi posedon nga 3 deri në 6 muaj;
-Karantinimi i detyrueshëm duhet të trajtohet si një sëmundje dhe duhet të paguhet nga Fondi i Sigurimit Shendëtsor;
-Në rast të bllokimit të aktivitetit, paga e punonjësve të mbulohet nga fondet e shtetit, pa qenë e nevojshme që ata të pushohen nga puna. Kjo do t’u garantonte jetesën në këtë moment të vështirë dhe mundësinë për të mos humbur vendin e punës;


-Duke marrë parasysh se kompanitë prodhuese, fason, call center etj punojnë me turne, 24 orë në ditë për 7 ditë në javë, të mos bllokohet veprimtaria, si edhe t’u jepet autorizim punonjësve që të mund të lëvizin drejt vendit të punës sipas turneve prej 6 apo 8 orësh në 24 orë;
-Të shihet mundësia që ndërmarrjet fason, të cilat hasin probleme lidhur me krizën globale, të ndihmohen nga shteti për të prodhuar maska dhe dizinfektantë për të mbuluar jo vetëm tregun shqiptar që po has vështrësi në furnizim, por edhe për të eksportuar në Evropë;
-Të krijohet një Protokoll, i cili të përmbajë direktivat që një kompani duhet të zbatojë, për të mos lejuar përhapjen e virusit COVID 19, por edhe zhvillimin e aktivitetit prodhues apo të shërbimit në prani të kushteve, të cilat u sigurojnë personave të cilët duhet të punojnë një nivel adeguat sigurie, duke mos cënuar edhe zhvillimin ekonomik të ndërmarrjeve dhe si rrjedhojë ekonominë shqiptare.
-Të sanksionohen spekulimet lidhur me çmimet e produkteve ushqimore, produktet farmaceutike, çmimet e maskave dhe dizinfektantëve, të cilët duhet të respektojnë çmimet e caktuara;
-Sigurimi i plotë i transportit të mallrave, në sektorin e prodhimit e të shërbimeve, për të mos penguar zhvillimin e tregtisë, por duke zbatuar normat e sigurisë;
-Mos pezullimi i punës në institucionet shtetërore që ofrojnë certifikimin e produkteve ushqimore etj, mos pezullimi i punës në dogana, në mënyrë që të mos pengohet eksporti i produkteve vendase dhe shkëmbimet tregtare;
-Të ngrihen komitete pune për sektorët e prekur të përbërë nga ekspertë nga sektori publik dhe privat për të hartuar planin ekonomik të ndërhyrjes në këto sektorë, por edhe të zhvillimit të tyre ekonomik pos COVID-19;
-Të krijohen strumente financiare për t’i suportuar bizneset edhe nga situatat që mund të krijohen pos COVID-19;
-Kompanitë e sigurimit të shohin mundësinë që të shtyhen afatet e pagesave të sigurimeve që kanë të bëjnë me automjetet, me shtëpitë, etj
-I kërkojmë Bankës së Shqipërisë të negociojë me bankat e nivelit të dytë për shtyrjen e afatit për pagesat e kësteve të kredive, marrveshjeve që kompanitë kanë me bankat dhe interesat deri ne dhjetor 2020; dhe të eleminohet çdo penalitet lidhur me vonesat.