Nëse Bundesliga nuk do të rinis në fillim të majit, disa klube rrezikojnë të shpallin falimentin. Duket se disa klube gjermane janë në një situatë shumë të rënduar financiare për shkak të ndërprerjes së kampinatit. Mainz ka pranuar publikisht se rrezikon falimentin nëse Bundesliga nuk do të luhet.
Drejtuesit e klubit të Mainz, Stefan Hofman, Jan Lehman dhe Rouven Schroder zhvilluan një video-konferencë duke folur për krizën e klubeve. “Pagesat e mediave janë 60% e të ardhurave tona, nëse nuk na vjen kësti i muajit maj, ne do të kishim një problem serioz. Ne po flasim për rreth 15-16 milionë euro. Do ishte një goditje e rëndë për ne. Të ardhurat nga mediat janë jetësore për ne”, – shpjegoi Lehman.
Mainz bëri të qartë se ishte gati të luante edhe me dyer të mbyllura pjesën e mbetur të ndeshjeve pikërisht për të shpëtuar nga falimenti. Në këtë mënyrë do të përfitonte te ardhurat nga e drejta TV dhe do të humbte vetëm 1 milon euro për ndeshje mesatarisht, që do të ishin nga biletat e munguara.