MENU
klinika

"Shpresa e mbetur brenda buzës se vazos së Pandorës.. të dalë jashtë saj!"

Covid-19, një rrëfenjë me të vërteta shkencore

30.03.2020 - 12:55

*Nga Dr.Prof. Myftar Barbullushi

Perënditë i kishin dhënë Pandorës, gruas së parë në botë, një vazo të mbyllur, “pithos”, që nuk duhet ta hapte kurrë. E shtyrë nga dobësitë njerëzore, ajo e hapi atë, duke çliruar të gjitha sëmundjet dhe fatkeqësitë e kësaj bote, përveç Shpresës që mbeti brenda, në buzë të vazos. Sigurisht, shkencëtarët insistojnë se SARS-CoV-2 nuk doli nga një vazo, aq më shumë nga një vazo laboratori, në Kinë apo Amerikë, histori teorish konspirative, të cilat kanë marrë krahë nga një emision i RAI 3 shfaqur në televizionin italian. Në numrin e fundit të revistës “Nature Medicine”, pak ditë më parë, u publikua një artikull bindës që nuk le asnjë hapësirë për deduksione të tjera.

Duke studivar “majën” e jashtme të atyre organeleve të vogla të virusit, grepat me të cilë virusi kapet tek qeliza e njeriut, ata panë se përbërja proteinike e tyre ishte aq perfekte sa vetëm seleksionimi natyror dhe aspak inxhinieria gjenetike, mund të krijojë të tillë mrekulli funksionale.

Nga ana tjetër, nëse dikush do të kërkonte të krijonte një koronavirus të ri në laborator, do ta kishin ndërtuar atë nga shtylla kurrizore e një virusi të njohur. Në të vërtetë studimi i mësipërm zbuloi se shtylla kurrizore e SARS-CoV-2 ndryshonte në mënyrë thelbësore nga ato të koronavirusëve tashmë të njohur dhe ngjante shumë me viruse që jetojnë tek lakuriqi i natës dhe pangolina. Dallimet janë të vogla, por domethënëse, dhe e kanë origjinën tek mutacionet spontane.

Nëpërmjet biologjisë molekulare shkenca foli. Prej vitesh kafshët që e transmetuan sëmundjen nga lakuriqët tek njerëzit, pangolinat e varfëra, të vetmuara e të kërcënuara nga zhdukja, janë objekt i tregtisë së paskrupullt për mishin e tyre të shijshëm dhe cilësitë e supozuara mjekësore. Deri pak muaj më parë kjo dramë makabre, titulluar “Lakmia”, interpretohej poshtë banakëve të një tregu ilegal të qytetit Wuhan nga Njeriu, si Zot i vetëshpallur, tashmë, që nuk i jep llogari askujt, duke bërë kërdinë mbi kafshët e tjera dhe ekosistemin që na rrethon, në kërkim të bollëkut, rehatisë dhe qejfit, edhe pse gjithmonë i palumtur, gjithmonë i pa kënaqur.

Ku ka më të rrezikshme se Perënditë e pakënaqura dhe të papërgjegjshme kur nuk dinë çfarë duan? Në botën tonë të mbipopulluar nga thuajse 7.8 miliardë njerëz, pikërisht kjo qasje e paskrupullt dhe e papërgjegjshme e njerëzimit shërben si një pjate petri me bujon, e shkëlqyer për lindjen dhe rritjen e ushtrive të viruseve. Sa herë që shkenca i sfidon, viruset modifikohen gjenetikisht e kthehen akoma më të fortë e më rezistentë ndaj mjekimeve. “I’ll be back”, do të kthehem përsëri, shprehja e famshme e Shvarcenegerit tek filmi Terminator e “detyroi” mikrobiologun joshua Lederberg, mbajtës i çmimit Nobel, të shprehet: “Ne nuk e deshëm armikun, por ai erdhi e ne nuk jemi gati për lufte…. nuk kemi armë ”
Armë? Anthony Fauci, virologu i famshëm amerikan, në mbështetje të padurimit tonë për të përdorur armët, skemat e mjekimit të përdorura në epidemitë e mëparshme virusale, (skema japoneze me kombinim barnash antivirale) apo skemat e mbështetura në spekulime të arsyeshme shkencore (medikamentet kundër malaries të kombinuara me antibiotike apo imunosupresoret biologjike) na kujtojnë se është thelbësore që mjekimi të mbështetet në studime të thelluara shkencore me pacientë të zgjedhur në mënyrë rastësore dhe me grupe kontrolli, edhe pse kjo do të kërkonte disa muaj.

Narrativa e përdorimit të mjekimeve të malaries, cloraquine dhe hydroxicloraquine, mbështetet në disa studime të vogla, nga Kina dhe Franca, të cilat kanë mangësi dhe ofrojnë pak për pacientët në përgjithësi. Studimi francez bazohet në vetëm 36 persona. Mjekimi me hydroxicloraquine dhe azitromicinë është i rrezikshëm, pasi rrit rrezikun e aritmisë. Pak ditë më parë, një spital në Arizona raportoi se një prej pacientëve të tij vdiq pasi vetë mjekohej në kushte shtëpie me klorokine. Edhe në Nigeri raportohen dy raste të tjera.

Në pritje të medikamentit të ri, studiuesit dhe mjekët në të gjithë botën po garojnë për të gjetur se cili nga mjekimet ekzistuese mund të përdoren në luftën kundër COVID-19. Sipas një studimi të raportuar nga National Geographic, shumica e mjekëve të intervistuar shpresojnë shumë tek Remdesiviri, një ilaç antiviral që bllokon aftësinë e virusit për tu shumuar. “Te vetmit ilaç të cilit do ti hiqja kapelën, është Remdesivir,” shprehet virologu Perlman
Në pritje të armëve shkencore dhe çka është më e rëndësishmja, vaksinës, në izolimin tonë, na vjen në ndihmë Miguel Servantes me një recetë që, në mos qoftë armë, të paktën na ndihmon ta përdorim më mirë kohën që virusi na fali.

Në tregimin e tij “Doktori prej Qelqi”, personazhi kryesor, Tomas Rodaja, pasi ha një ftua të “helmuar”, të ofruar nga një zonjë e pasur për të fituar zemrën e tij, beson se tashmë është i gjithi prej qelqi, nga koka tek këmbët, lehtësisht i thyeshëm nga çdo goditje sado e vogël.

Për këtë arsye, pjesën më të madhe të kohës ai qëndron i izoluar në shtëpi, por, edhe kur del, përpiqet të mos takojë njeri. Përtej kësaj, djaloshi manifeston një zgjuarsi dhe mençuri të pashembullt dhe njerëzit përfitojnë nga kjo për ta pyetur atë dhe për të marrë këshillat e duhura. Duke qenë transparent si xhami ai është jashtëzakonisht i sinqertë, pasi “qelqi lejon qe shpirti i tij të transmetohet me një shpejtësi dhe pastërti më të madhe se sa lejon trupi ynë, kjo lëndë e rëndë dhe tokësore”.
Më të ngjashëm se kurrë me Tomasin e “helmuar”, të thyeshëm e të frikësuar ndaj çdo kontakti, me shpresën që të jemi bërë edhe më të mençur, të mbyllur në hapësirat e ngushta të shtëpive tona, ku koha rrjedh mjaftueshëm për të filtruar gënjeshtra, mëri dhe sekrete, relacionet tona, tashme në një trup lakuriq dhe transparent prej qelqi, e bëjnë të detyrueshëm ri interpretimin e tyre, pasi nuk mund të fshihemi me.

Nëse e bëjmë këtë, vetëm atëherë mund të jemi në gjendje t’i rikthejmë demonët përsëri në vazo, duke korrigjuar gabimin e Pandorës e duke modifikuar deri dhe mitin që ….Shpresa e mbetur brenda buzës se vazos… të dalë jashtë saj./ *Mjek nefrolog