MENU
klinika

Plani i Çubrillloviçit

Dëbimi i shqiptarëve

29.03.2020 - 06:04

Në ciklin e shkrimeve ‘Planet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve’, portali Konica.al do të sjellë në mënyrë të përmbledhur syzheun e mendimit politik serb.

Të shestuara në një kohë kur retë e luftës po ngrysnin qiellin e Evropës, shumica e këtyre planeve gjakonin dëbimin e shqiptarëve në Jugosllavi, duke kërkuar metodat më të stërholluara të shpërnguljeve.

Edhe pse të hedhura në margjinat e politikës zyrtare, këto plane tregojnë qartazi se kolonizimi dhe shpërngulja e popullatës në Kosovë dhe Maqedoni ishte institucionalizuar si politikë shtetërore.

Fryt i kësaj epoke, dokumenti ’Dëbimi i shqiptarëve’ ishte një memorandum i sëndërgjuar nga Vaso Çubrilloviç, një serb i Bosnjës që kishte marrë pjesë në atentatin e Sarajevës ndaj arkedukës Ferdinand të Perandorisë Austro-Hungareze. Tevona, ai do të përvijonte karrierë prej akademiku, madje edhe do të mbante poste shtetërore me rëndësi fill pas Luftës së Dytë Botërore.

Çubrilloviç nuk e shihte problemin shqiptaro-serb si të vonë, por si një proces që zanafillonte qysh prej mesjetës për të vazhduar deri në shekullin e shtatëmbëdhjetë.

Ithtar i traditës së ngulitur në historiografinë serbe, sipas të cilës shqiptarët erdhën nga malësitë për t’u vendosur në Kosovë e Maqedoni në kurriz të popullatës sllave, ai besonte se ‘blloku’ shqiptar e kishte shkërmoqur kompaktësinë e territoreve sllave.

Duke falëndëruar ‘planet kombëtare’ të Jovan Ristiçit, akademiku serb ndiente kënaqësi kur kujtonte efikasitetin e spastrimit etnik të Toplicës dhe Kosanicës (treva këto të ish-sanxhakut të Nishit në Vilajetin e Kosovës). Në këtë kohë, sipas autorit, rajonet midis Jastrebacit dhe Moravës jugore ishin spastruar prej shqiptarëve.

Çubrilloviç ankohet në elaboratin e tij se plani për të thyer ‘trekëndëshin shqiptar’ në malet e Sharrit kishte dështuar.

Madje, ai nuk do ta shihte të mjaftueshëm as programin për kolonizim për shkak të shtimit të lartë të shqiptarëve.

Sipas tij, “nga viti 1921 deri në vitin 1931, popullata shqiptare ishte rritur për 68.060 frymë, përderisa serbët patën një rritje prej 58.745 frymë”.

“…nga pikëpamja strategjike-ushtarake, blloku shqiptar zë një nga pozicionet më të rëndësishme të vendit tonë, pika ftilluese prej ku lumenjtë e Ballkanit derdhën në Adriatik, Detin e Zi dhe Detin Egje. Mbajtja e këtij pozicioni strategjik, në një shkallë të madhe, përcakton fatin e Ballkanit Qendror, veçmas fatin e vijës kryesore të komunikimeve nga Morava në Vardar”, shkruante Çubrilloviç teksa përimtonte viset shqiptare në Maqedoninë e sotme.

Akademiku serb pranonte se ‘shqiptarët nuk mund të shpërnguleshin vetëm me mjete të kolonizimit’, meqë, sipas tij, ata ishin të vetmit që për një mijëvjeçar arritën t’i rezistonin bërthamës së vjetër shtetërore serbe në Rashkë dhe Zetë, por edhe t’i shtynin kufijtë në veri dhe lindje.

“E vetmja mënyrë dhe të vetmet mjete për t’u marrë me ta janë forca brutale e një shteti të organizuar. Ne nuk kishim sukses në asimilimin e shqiptarëve. Përkundrazi, për shkak se ata mbështetën te Shqipëria, vetëdija e tyre kombëtare është ngritur”, vijonte më tej akademiku serb.

Çubrilloviç, ndërsa shestonte shpërnguljen masive të shqiptarëve, siguronte lexuesit e tij se kjo nuk do të përftonte një luftë botërore:

“Bota sot është mësuar edhe më gjëra më të këqija dhe është aq e zënë me problemet e saj të përditshme sa kjo nuk do të ishte shkak për shqetësim. Në një kohë kur Gjermania dëbon dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia mund të shpërngulë miliona njerëz nga një kontinent në tjetrin, dëbimi i disa qindra mijëra shqiptarëve nuk do të çonte në shpërthimin e luftës botërore”.

Çubrilloviç e shihte të mundur shpërnguljen masive të shqiptare, vetëm duke llogaritur në mbështetjen e Turqisë. Kjo e fundit, pavarësisht rropatjeve të Qemal Ataturkut, ende nuk e kishte përplotësuar boshllëkun e krijuar nga dëbimi i grekëve dhe kurdëve.

Sipas tij, “mundësitë më të mëdha janë që pjesa dërrmuese e shqiptarëve të shpërngulur të dërgohen atje”.

Ai po ashtu nënvizonte se ‘Turqia është pajtuar të pranojë mbi 200 mijë njerëz të shpërngullur, me kushin që ata janë shqiptarë’.

Pasi analizon në mënyrë shterruese prospektet e dëbimit, Çubrilloviç i kushton jo pak rëndësi mënyrave më efikase të dëbimit, meqë, siç shprehej, ‘kushti i parë është krijimi i një gjendjeje të përshtatshme mendore’.

“Siç dihet, masat myslimane në përgjithësi janë tejet të ndikuara, veçmas nga feja, bestytnitë dhe fanatizmi. Prandaj, fillimisht ne duhet të bindim klerin e tyre dhe njerëzit me ndikim, përmes parave ose kanosjeve, që të mbështesin dëbimin e shqiptarëve. Duhet të gjenden agjitatorë që flasin për dëbimin, veçmas nga Turqia. Ata duhet të përshkruajnë bukuritë e tokave të reja në Turqi, jetën e lehtë dhe të rehatshme atje, të ngucin fanatizmin fetar dhe tek masat të zgjojnë një krenari për shtetin turk”, thekson Çubrilloviç.

Në kusurin e elaboratit, akademiku serb shënjestron viset të cilat duhet t’i nënshtroheshin shpërnguljeve.

Në mëtimin për të shkompaktësuar ‘bllokun shqiptar’, Çubrilloviç thoshte se më e rëndësishmja ishte që shqiptarët të dëboheshin nga Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgori, Sharri, Istogu dhe Drenica në veri të malit Sharr, ashtu si dhe Dibra e Epërme dhe dy Pollogët në jug të malit Sharr.

“Këto janë rajonet që duhet të spastrohen nga shqiptarët me çfarëdo çmimi”, porosiste Çubrilloviç.

Pasi kishte fiksuar të gjitha mënyrat se si do të vihej në jetë plani për shpërnguljen e madhe, akademiku serb bëhej edhe më largvajtës kur shtronte pyetjen se si do të populloheshin rajonet e zbrazura nga shqiptarët.

A parapëlqente si ‘gjënë më të natyrshme’ që të dërgohesin kolonë serbë nga viset e thata të Malit të Zi dhe Hercegovinës.

“Malazezët do të ishin instrumente të shkëlqyeshme për t’i tejkaluar shqiptarët, meqë ata janë të ngjashëm me ta për nga mendësia dhe temperamenti”, shkruante Çubrillloviç.