MENU
klinika

Për ata që duan të çmendin Shqipërinë...

Diçka shumë e rëndë ka për të ndodhur!

25.03.2020 - 08:30

*Gabriel Garcia Márquez

Në një fshat të vogël jetonte një zonjë e moshuar me dy fëmijë të vegjël …
Fëmijët pikasën një ditë se nëna e tyre ish’ e shqetësuar e kur e pyetën se ç’kish’ ngjarë  ajo iu përgjigj:

– Nuk di t’u them saktë, por sot jam zgjuar me një parandjenjë se diçka shumë e rëndë ka për të ndodhur në fshat…

Fëmijët qeshën me fjalët e nënës së tyre, duke pohuar mes njëri-tjetrit se këto parandjenja ishin pesë me hiç..

Djali shkoi paskëtaj të luante futboll me shokët e tij e në çastin që po përpiqej të godiste topin, shoku i tij i thotë:

– Unë vë bast që ti nuk ke për të luajtur mirë sot.
Djali i panikuar nga ç’ka dëgjoi, la lojën në mes e u largua, ndërsa shoku i tij fitoi bastin.
Të gjithë u habitën për këtë fakt pasi e mbanin për lojtar të zotin, ndersa ai ua ktheu:
– Se ç’kam sot.. më ka mbetur mendja në fakt tek fjalët e nënës sime e cila më pohoi sot se diçka e rëndë do të ndodhte në fshat.

Të gjithë nisen të qeshin me fjalët e tij..

Djali që fitoi bastin u kthye në shtëpi e u tregoi prindërve se ç’kish’ ngjarë teksa luante me shokët.
– I fitova një bast Damasos lehtë fare sot, pasi ai nuk luajti siç duhet, ngaqë i kish’ mbetur mendja tek fjalët e nënës së tij e cila i kish’ pohuar se diçka shumë e rëndë do të ndodhte në fshat.

Nëna e tij pasi dëgjoi këtë ndodhi u prish në fytyrë e u ngrit nxitimthi të shkonte te kasapi të blinte mish.
Sapo arriti në dyqan ajo i tha kasapit:
– Më jep një kg mish, apo e di ç’ke ti, më mirë me bëj dy kile, sepse kam dëgjuar se diçka shumë e rëndë paska për të ndodhur në fshat, kështu që më mirë të jemi të përgatitur.
Paskëtaj tek kasapi vjen një zonjë tjetër e ky i thotë:
– Degjova rrotull që diçka e rëndë do të ndodhte në fshat, kështu të sugjeroj të blesh dy kg mish, pasi të gjithë njerëzit po blejnë me shumicë ushqime, për të qenë të sigurtë.
Zonja e panikuar pas kësaj që dëgjoi i thotë kasapit:
– Meqë qenka puna kështu , më bëj katër kg mish, pasi jemi shumë gojë për t’u ushqyer në shtëpi e më mirë të jemi të sigurtë…

Lajmi mori dhénë e kasapi mbaroi kështu për gjysmë ore krejt mishin e shkoi të therë më pas një lopë tjetër.
Të gjithë paskëtaj prisnin me ankth të ndodhte diçka e rëndë, ndërsa gjithçka u paralizua rrotull.

Aty nga ora dy pasdite vapa nisi të bëhej e padurueshme, ndërsa dikush ia priti:
– E vini re ç’vapë bën sot?
– Po këtu gjithnjë bën vapë-u hodh e tha një tjetër .
– E vërtetë është, por kurrë në fakt nuk ka bërë vapë si sot…
Në mes të sheshit u ul më pas një zog e një tjetër tha:
– Pa shihni! Në qendër të fshatit qenka ulur një zog, ndërsa të gjithë të habitur kthyen sytë nga ai..
– Po këtu janë ulur gjithmonë zogj, tha dikush.

– Janë ulur vërtetë tha një tjetër, por jo në këtë orë.
Një valë tensioni e paniku i mbërtheu të gjithë e paskëtaj secili doli me një vendim, për të lënë fshatin sa më parë.
– Unë po largohem! – tha njëri e ashtu beri…
Teksa e shihnin të largohej të tjerët pohuan njëzëri:
– I lumtë atij që mori guximin të ikë , o burra të ikim edhe ne..

Në fshat paskëtaj u bë rrëmujë e madhe e të gjithë filluan të bëhen gati të largohen prej aty…
I fundit që po mblidhte gjërat për t’u larguar prej aty, u tha të tjerëve:
– Une nuk dua që kjo fatkeqësi të futet në shtëpinë time e për këtë arsye unë do t’i vë flakën asaj e pastaj do të largohem..
Të tjerët sa panë ç’ka ndodhi, u kthyen pas e i vunë dhe ata flakën shtëpive të tyre.
Paskësaj ia mbathën me të katra thua të kishin ikur nga murtaja..

Zonja e moshuar e cila kish’ parë gjithë ç’kish’ ndodhur e kish’ dhënë lajmin “ogurzi”, qeshi me të madhe pas kësaj tha:

– Kur unë thashë se diçka shumë e rëndë ka për të ndodhur, të gjithë më thanë se qenkësha e çmendur…

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit