Vijojnë falenderimet nga italianët për vendin tonë. Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, falënderoi Qeverinë shqiptare për dërgimin e kontigjentit me 30 mjekë dhe infermierë, që do të ndihmojnë kolegët e tyre italianë për të përballuar krizën humanitare te fqinjët tanë nga koronavirusi.
Ish-tekniku i skuadrës kuqezi, i cili arriti të kualifikonte Kombëtaren tonë për herë të parë në një kompeticion madhor të futbollit si Euro 2016, nënvizoi fjalët e kryeministrit tonë Edi Rama se “Italia është shtëpia jonë dhe sot jemi të gjithë italianë!”.
Italia po kalon një tragjedi të vërtetë humanitare, ku numërohen mbi 10 mijë të vdekur prej koronavirusit. Është vendi me përhapjen më të madhe të Covid-19 dhe me humbjen më të madhe të jetëve njerëzore.