MENU
klinika

"Po të ishte gjallë, do të kishim përgjigjen e..."

Jolanda Onsmalliu Koçi shkencëtarja e parë shqiptare në fushën e epidemiologjisë

20.03.2020 - 09:19

Kujtesa për figura të shquara të mjekësisë shqiptare është materializuar në librat aq të çmueshëm të Profesor Flamur Tartarit. Me Profesor Flamurin ishim miq të kahershëm deri ditën që ai u nda nga jeta. Diskutimet për çdo problem të mjekësisë shqiptare ishin si të thuash edhe A-ja dhe Zh-ja e komunikimeve tona. Ai, po aq pasionant pas punës në spital dhe në katedrën e urologjisë, ishte edhe për të shkruajtur një libër të ri me tema nga më të ndryshmet, por veçanërisht në bërjen e monografive për figura të shquara të mjekësisë shqiptare, ku ai ishte i jashtëzakonshëm për kërkimin dhe pasurimin me material arkivor dhe plotësues për çdo figurë.

Kur e debatonim buxhetin për shendetësinë apo nivelin e pagave për mjekësinë, ai debat ngelej gati për ditë të tëra thembra e Akilit, sepse ai këmbgulte në vlerat e meritokracisë dhe hirarkisë së profesionistëve dhe stimulimin e punës shkencore dhe specializimeve të vazhdueshme të gjithë sistemit shëndetësor. Debati me argumentat e tij shkencore ishin një shkollë më vete duke më servirur shembuj të jashtëzakonshëm të mjekëve shqiptarë që nga emra si N. Suma, J. Panteqi, R. Frashëri, J. Basho, P. Roci, Sh. Ndroqi, M. Drrasa, Y. Vebiu, F. Hoxha, K. Glozheni, S. Polena, F. Shiroka, Sh. Karaulli, P. Boga, I. Gjylbegu, K. Kërçiku, P. Çina, F. Paparisto, S. Bekteshi, I. Tartari, J. Theodhosi, H. Sulçebeg, M. Agolli, P. Gaçe, K. Mojsiu, J. Koçi, Z. Floqi, A. Safa, B. Preza, P. Kokalari, V. Grillo, Sh.Basha, T. Karagjozi, LL. Ziçishti, B. Elezi, B. Zyma, S. Imami, etj. Jolanda Osmalliu Koçi ishte shkencëtarja e parë e shkollës shqiptare të mjekësisë, – më thosh ndër të tjera, – Profesor F. Tartari dhe i vinte shumë keq që për meritat e saj shkencore asaj nuk ia dhanë edhe pas vdekjes një gradë më të lartë shkencore edhe pse iu propozua nga Këshilli i Lartë Shkencor pranë Kryeministrisë, por diku kjo punë ngeci si çdo fenomen i kohës në vitin 1996.

Jolanda Onsmalliu Koçi në 5 maj të këtij viti do të ketë 80 vjetorin e lindjes dhe u kujtojmë autoriteteve shtetërore që atë motivacion të harruar në sirtaret e Ministrisë së Shëndetësisë, qysh nga koha kur ministër ishte z. M. Cikuli, ta miratojë titullin e Profesorit në shkencën e Epidemiologjisë. Jolanda Koçi duhet kujtuar për shumë arsye, por në këto ditë të kësaj Pandemie Botërore, ajo po të ishte gjallë, do kishim ndoshta përgjigjen e shumë enigmave në nivel botëror dhe pse jo edhe një ndër shkencëtaret e cila me autoritetin e saj shkencor do ishte në krah të atyre shkencëtarëve që do të shpikin antivirusin e Koronavirusit. Jolanda i ngjiti shkallët e karrierës mbas studimeve në shkollën e mesme mjekësore të cilën e mbaron me nota të shkëlqyera në vitin 1955. Me mbarimin e fakultetit të mjekësisë me rezultate shumë të larta në vitin 1960, ajo fillon punën si mjeke në Laboratorin Qendror Baktereologjik dhe më pas Instituti i Higjenës dhe i Epidemiologjisë.

Në Institut punoi në sektorin e prodhimit të vaksinave në repartin e anatoksinës difterike dhe tetanike. Rritjen e saj profesionale e filloj qysh nga mjeke e thjeshtë, shefe reparti, shefe e sektorit të prodhimit të vaksinave e deri në zëvendësdrejtoreshë e Instutit Kërkimor të Higjenës dhe Epidemiologjisë nga vitet (1989-1994), plot 24 vjet pa ndërprerje dhe vetëm gjashtë muaj para se të ndahej nga jeta më 30 Maj të vitit 1994 ajo luftoi me vdekjen me një sëmundje shumë të rëndë. Në vitin 1971 pas një specializimi tre mujor në Bukuresht të Rumanisë, ajo bëri bashkimin e dy vaksinave asaj të anatoksinës difterike me atë tetanike native, që deri në atë kohë ishin veçmas, por bashkoi edhe vaksinën kundër Pertusit(kollës së mirë) duke prodhuar në vendin tonë të famshmen Trivaksinë diftero-tetano-pertusike(DTP) e njohur dhe e përdorshme në të gjithë botën, në mbrojtje nga tre sëmundje infektive shumë të rrezikshme, me një injeksion dhe me më pak ndërlikime apo efekte anësore. Jolanda këtë trevaksinë e kontrollonte me standartet botërore dhe vaksina qëndronte përkrah tyre plotësisht. Ajo bëri vaksinimin e të gjithë fëmijëve dhe nuk pati asnjë të vdekur (për afro 10 vjet prej tetanozit), por për hërë të parë u vaksinuan gratë shtatëzana në tremujorin e tretë të barrës dhe si pasojë u mënjanua plotësisht rreziku dhe infektimi në lindje i fëmijëve nga sëmundja vdekjeprurëse e tetanozit. Jolanda Onsmalliu Koçi është e para grua shqiptare, në fushën e mjekësisë profilaktike, që merr pjesë në mbledhje e forume botërore dhe evroppiane, duke iu imponuar kolegëve të saj dhe nderuar punën e Institutit dhe të sajën në fushën e profilaksisë dhe të prodhimit të vaksinave në vendin tonë. Jolanda bëri studimin e plotë të epidemiologjisë së tetanozit në vendin tonë qysh nga viti 1949 deri në vitin 1977, duke kontrolluar rastet një për një format e sëmundjes, shkatarin dhe mjekimin e bërë si dhe përfundimin. Kulmin e kërkimeve të saj për tetanozin ajo e dha në punimin shkencor për të marrë gradën e kandidates së shkencave mjekësore në mesin e vitit 1977 me titullin “Tetanozi”; Aspekte epidemiologjike, imunologjike dhe profilaktike. Me miratimin e Këshillit të Lartë të Atestimit pranë Ministrisë së Arsimit Vendimin nr. 28, datë 27.12.1979 dhe Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 99, datë 28.12.1979, Jolanda merr gradën kandidate e shkencave si e para mjeke në shërbimin infeksionist epidemiologjik dhe higjenës (sektorin e profilaksisë) në vendin tonë. Jolanda bëri shumë studime dhe shumë prej tyre u botuan në revistat si “Buletini i Shkencave Mjekësore” si dhe në “Buletinin e Shkencave Ushtarake” apo në “Buletinin e Institutit të Higjenës”.

Disa probleme të difterisë dhe tetanozit në vendin tonë dhe efektin e vaksinave pas vaksinimit janë botuar edhe në revista të huaja si në Rumani, Itali, në buletinin e OMS-it. Po ashtu Jolanda ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në mbledhjet e Byrosë Evropiane të Higjenës dhe Epidemiologjisë, të cilat u zhvilluan tre herë në Itali dhe një herë në Stamboll(Turqi), qysh nga viti 1988-1992. Jolanda u nda nga jeta pikërisht në atë kohë kur do të gëzonte plotësisht frytet e punës dhe jetës së saj: do të shihte të realizuara plotësisht ëndrrat e saja të thurura për punën, shkencën, përparimin e Institutit ku ajo punoi tërë jetën dhe e deshi aq shumë. Jolanda e mira e të mirave u nda nga familja e saj dhe të afërmit, shoqet e shokët dhe nga të gjithë ata që e njohën dhe e deshën, për të mbetur gjithmonë në zemrat e tyre.

/Përgatiti: Kastriot Kotoni.

Sulmi i përgjakshëm në tregun e Krishtlindjeve

Autoritetet gjermane përballen me kritika

“Për 4 vite në pushtet shpiku idenë e kombit kosovar”

Kreshnik Spahiu: Kurti harroi premtimet

"U kthye në një sebep që shoqëria të futej në përleshje se kush e ka fajin"

Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, kryeministri Rama: S’mund të parandalohet të gjitha ngjarjet

Kryqëzimet kryesore në Tiranë që do të bllokohen

Protesta e PD-së më 23 Dhjetor, zbardhet plani i opozitës!

Arabia saudite paralajmëroi autoritetet gjermane për 50-vjeçarin, por…

Mjeku përplasi turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjes, shkon në 4 numri i viktimave!