MENU
klinika

Ja ç'bënë komunistët për ta gjetur

Kërkimi i arit të Muzakajve

22.03.2020 - 06:07

Shkrimtari dhe studiuesi i njohur Ylli Polovina ka shkruar një libër” Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”. Në të ka një analizë të thellë të testamentit të famshëm të Gjon Muzakës. Por një nga pjesët më interesante të librit është dhe historia e minierës gojëdhënë, shpresa e komunistëve për të dalë nga kriza e vitit 83. Në testament Gjon Muzaka përmend arin. Ja ç’bënë komunistët për të gjetur arin e Muzakajve

Pjese nga libri

Një ditë të premte, 1 dhjetor 1983, në Komitetin e Rinisë së Skraparit, në Çorovodë, ra zilja e telefonit. Aparatet qenë paralele, një në zyrën e sekretarit të Parë dhe tjetri në atë të instruktorëve. Të dyja palët e dëgjuan, por shefi nuk e ngriti dorezën. Po punonte një raport të ngutshëm për eprorët e tij në Tiranë. Atëherë veprimin e kreu njëri nga punonjësit e dhomës ngjitur. Një minutë më pas, ky trokiti në derën tjetër dhe i tha sekretarit të Parë se dikush nga Tirana kërkonte të fliste vetëm me të. Zëri që u dëgjua në receptor, ishte mjaft i njohur. Qe bashkëkrahinas. Punonte në Komitetin Qendror të Partisë. Pyeti nëse Komiteti i Rinisë e kishte makinën në gjendje të mirë për të lëvizur në terren malor dhe shtoi se të nesërmen do vinte aty me dy shokë mjaft të rëndësishëm. Sapo të mbërrinin, që të katër do të udhëtonin drejt fshatit ku ai kishte dajallarët e tij. Aty do të darkonin dhe do të kalonin natën. Tre nëpunësit e lartë të partisë së vetme në pushtet e ndalën makinën e tyre para godinës së Komitetit të Rinisë së Skraparit saktësisht më 2 dhjetor, në orën 16:00, siç edhe patën paralajmëruar në telefon. Bashkëkrahinasi paraqiti dy kolegët e tij. Njëri qe këshilltar për ekonominë pranë Presidentit të Republikës dhe tjetri diplomat, me detyrë ambasador i Shqipërisë në Itali.

Pasi në klubin më të afërt pinë nga një kafe të shoqëruar, siç është zakon i vendit, me një gotë raki, nisën rrugën. Duke qenë malore dhe prej një shiu të rënë dy ditë më parë edhe më të vështirësuar, ajo zgjati përtej parashikimit. Sidoqoftë, në 7:00 të mbrëmjes qenë ulur në “dhomën e zjarrit” të shtëpisë së njërit prej dajallarëve dhe të bashkëkrahinasit. Gostia me shumë dolli shkoi gëzueshëm dhe, ndërsa më në fund duhej të flinin, i zoti i shtëpisë i tha këshilltarit ekonomik të Presidentit se do të ishte në një dhomë me ambasadorin, kurse në tjetrën nipi i tij me sekretarin e Parë të Rinisë. Mirëpo, njeriu i kryetarit të shtetit ndërhyri: në dhomën e sekretarit do të fle unë.

Kështu u bë. Kur pas pak iu afruan shtretërve të tyre, këshilltari i Presidentit sërish vendosi: Ti ke atë krevat tek dritarja, sepse je i ri dhe e përballon më mirë ndonjë korrent ajri. Kur më në fund u shtrinë, njeriu i kryetarit të shtetit vuri bërrylin mbi jastëk dhe mbështeti kokën në pëllëmbë të dorës. E pyeti sekretarin e Parë të Rinisë nëse bashkëkrahinari në Komitetin Qendror të partisë ia kishte thënë problemin për të cilin patën ardhur deri aty. Ky përgjigjet “Sinqerisht jo”, ia tha duke u zbehur. “Mendoja se vinit këtu për të pushuar një natë dhe të nesërmen për të gjuajtur thëllëza dhe lepuj”, shtoi me zë të tronditur. “Për gjah mund të dalim, por ne kemi një problem tjetër”. Zëri i këshilltarit u bë misterioz. “Presidenti na ka ngarkuar me një mision shumë të rëndësishëm për ekonominë minerale, por është po aq konspirativ”.

Tanimë shefi i Rinisë së Skraparit ngriu. “Vendaliu yt na ka dhënë garanci se këtë mision të vështirë mund ta kryesh vetëm ti”. Pas një pauze fare të shkurtër, funksionari i lartë nga Tirana vijoi: “Detyra që do të kryesh, është ngarkuar nga vetë Presidenti dhe terren veprimi ka zonën e Tomorricës”. Tashmë emocionet po e bënin sekretarin e Parë të Rinisë të ndiente të dridhura. “Problemi o miku ynë, shqiptoi bashkëpunëtori i afërt i kryetarit të shtetit, ka një histori shekullore që lidhet me kërkimin e zbulimin e arit në zonën e Tomorricës. Një ekspeditë gjeologjike eksploroi para disa vitesh këtë zonë, por pa asnjë rezultat konkret. Ndaj, Presidenti kërkon t’i rikthehemi prapë këtij problemi. Veç kësaj here do të depërtojmë në popull, për ta zbuluar prej tij ku ndodhet ky flori”. Heshtja që ra, ishte plumb.

“Tani të flasim më hollësisht”, vijoi këshilltari i ngushtë i kryetarit të shtetit. Zëri i kumboi si t’i dilte nga thellësia e një tuneli. “Nëpërmjet zbulimeve tona të fushave të caktuara, që kanë detyrat e veta, disponojmë një informacion të tillë: Gjon Muzaka që e dimë nga historia se principata e tij shtrihej edhe në këto treva, para se të vdiste ka lënë një testament për fëmijët e tij. Atje thuhet: “Në Tomorricë, në vendin e quajtur Orkovë, ku janë edhe ca shtëpi, poshtë kalon një lumë dhe është një mulli, në anën tjetër, brinjë mali, është një damar ari. Ta dini djemtë e mi se ajo është pasuria jonë”.

Sekretari i Parë i Rinisë së Skraparit ndjeu mornica. E dhëna qe tepër sekrete, kush e di si ishte rrëmbyer nga agjentët e fshehtë të shtetit. “Po ta përsëris edhe njëherë tjetër çfarë është shkruar nga Gjon Muzaka, sepse aty janë të gjitha të dhënat e vendndodhjes gjeografike të minierës së tij të floririt. Duhet të mbash mend çdo fjalë”. Këshilltari i Presidentit e ritha tekstin ngadalë, pa ia hequr sytë, si të donte të sigurohej se ato nguliteshin përfundimisht te kujtesa e tjetrit. Ky ndërkohë përsëriste me vete çdo rrokje dhe sidomos emërtimet e pozicionet e vendeve: Tomorricë, Orkovë, ca shtëpi në të, poshtë tyre kalon një lumë, atje ka një mulli, por damari i floririt nuk gjendet këtu, por në anën tjetër, që është një brinjë mali. “Tani besoj e ke të qartë”, vazhdoi zëri i thellë i bashkëpunëtorit të ngushtë të kryetarit të shtetit…

Atë natë, ndërsa funksionarin e lartë nga Tirana e mundi gjumi shumë shpejt, nuk ndodhi kjo me shefin e rinisë vendëse. Gjersa matanë xhamave të dritares dita u zbardh plotësisht, ai më të shumtën e orëve e kaloi në gjendje kllapie. Herë ndihej entuziast për misionin e jashtëzakonshëm që i kishte ngarkuar Presidenti i Republikës, herë zhytej në mosbesim. Siç u kishte thënë partia, shteti për shkak të rrethimit nga vende armiq të bllokadës së tyre të egër, ndodhej në një ngushticë ekonomike mjaft të madhe. Kërkimi për të zbuluar minierën e floririt të princit Gjon Muzaka që shumë këmbëngulës, pikërisht sepse kishte të bënte me gjetjen e një burimi financiar për ta lehtësuar gjendjen.

Përderisa disa vite më parë ekipet e gjeologëve nuk ia patën dalë të gjenin gjurmë ari dhe kërkimi tashmë po rikthehej nga fillimi me shpresën se një zbulim i minierës do të bëhej vetëm nëpërmjet gojëdhënave popullore, kjo dëshmonte edhe më shumë se situata e arkës së shtetit ishte keq. Atë të diel të 3 dhjetorit që të katër u kthyen në Çorovodë dhe, ndërsa njerëzit e Tiranës morën rrugën e kthimit, ai u fut në zyrë. Këtu programoi një plan pune njëjavor për ndihmë dhe kontroll në organizatat e rinisë dhe ato të pionierit në shkollën e kooperativës bujqësore të Dobrenjit, ku duhej të qe Orkova. Do të shkonte bashkë me të gjithë punonjësit e aparatit. Punën e tij të fshehtë do ta mbulonte me këtë marifet. Që në bisedat e para me vendës mori një informacion shpresëdhënës. Ekzistonte një vend i quajtur Terrovë.

Shkoi menjëherë atje dhe një plak e befasoi duke i afruar një tjetër variant: Olkovë. I moshuari tregoi edhe ku ndodhej. Qe përballë Terrovës. “Sipas stërgjyshërve tanë, shpjegoi ky, matanë fshatit tonë ka qenë një qytetërim i vjetër, qytezë. Gjen edhe sot qeramika. Thonë se një ditë nga mali u shkëput një masiv i madh shkëmbi dhe i mbuloi të gjitha shtëpitë. Nga ky shkak banorët u larguan prej këtij trualli. Por këtë që thua, se mund të ketë aty afër ndonjë madem apo flori të fshehur, nuk kemi dëgjuar”. E dhëna e dytë me interes erdhi sërish prej një plaku. Ky i tha “e kam të treguar nga gjyshi, se në Olkovë vinte një njeri i veshur si prift dhe ngulte ca kunja druri. Midis tyre lidhte një spango, bënte matjet dhe ikte. Kur e pyetën nga ishte dhe çfarë bënte me ato veprime, ai përgjigjej se gjoja ishte nga Elbasani, por nuk dha shpjegime pse vepronte ashtu”…

Dy të moshuar të tjerë i rrëfyen se në kohën e Luftës së Dytë Botërore, kur gjermanët kaluan në atë zonë, afër malit të Koshnicës, një oficer që mbante në supe një çantë të veçantë, u ngjit në krye të fshatit dhe, pasi hapi hartën, iu afruan një shkëmbi të madh që ka një ngjyrë të veçantë, si të murrme, krejt ndryshe nga formacione të relievit përreth. Ai pati nxjerrë nga çanta një kuti dhe një furçë dhe mbi faqen e shkrepit kishte bërë disa shënime. Ato nuk ngjanin me shkronja.
Ishte 27 dhjetor, kur u ul në tavolinën e punës dhe nisi të hartojë një letër konfidenciale për këshilltarin ekonomik të Presidentit. Sipër me bojë dhe germa të dukshme shkroi “Me rëndësi të madhe historike”. Më pas daktilografoi këtë tekst: “në lidhje me bisedën për Tomorcën unë u interesova. Vendin e quajtur Orkovë pothuajse e kemi saktësuar…”.
* * *
Në të vërtetë, në testament-kronikën e Gjon Muzakës nuk flitet për asnjë lloj mulliri të pranishëm në relievin që lidhet me Orkovën. Në origjinal është ky formulim: “Dëgjoni fëmijët e mi, në territorin e Tomoricës është një fshat i quajtur Horkova dhe është i banuar qoftë në afërsi të maleve e qoftë nga ana e lumit, dhe midis maleve dhe këtij fshati rrjedh një përrua dhe pranë këtij përroi në drejtim të malit është një damar floriri; u kam lajmëruar, është në territoret tona”…

* * *
Në ditët e para të janarit 1984, shefi i Rinisë vendore të Skraparit vendosi t’ia dekonspirojë misionin një miku shumë të afërt, specialist i njohur i ekonomisë në krahinë, ndërkohë edhe këshilltar i kryetarit të partisë për rrethin. I duhej shumë ndihma e tij. Ky u befasua nga ajo që dëgjoi. Nisi të pyesë për hollësira…
E para lehtësi që i dha, ishte marrja e një lejeje tjetër për të dalë në terren. Këtë herë nuk ishte “për kontroll e ndihmë”. U sajua ndryshe: do të shkonin në kooperativën e Dobrenjit për të verifikuar dy letra anonime.

I hipën makinës së Komitetit të Rinisë dhe shkuan tek Shkëmbi i Kuq, vendi ku në malet e Koshnicës pati bërë shenjat oficeri gjerman. Morën disa mostra. Këshilltari i kryetarit të partisë, pas mbarimit të Fakultetit Ekonomik në Tiranë dhe para emërimit, e pati bërë praktikën profesionale në një ekip gjeologjik. Aty kishte mësuar si mblidheshin prej tyre të dhëna rreth përmbajtjes së formacioneve të ndryshme mineralmbajtëse. Duke shkelur me këmbë gjithë vendet e cituara nga testamenti dhe pasi biseduan me njerëz të thjeshtë dhe intelektualë, ditën e pestë që të dy u rikthyen në qytet. Vendosën të ndanin detyrat për të bërë analizën e mostrave të marrë nga Shkëmbi i Kuq. Sekretari i Parë i Rinisë do të shkonte në Stacionin e Makinave dhe Traktorëve për të prodhuar një pajisje, e cila nëpërmjet rrahjes mekanike me ujë mund t’i ndante nga dheu grimcat minerale…

Kur pajisja u bë gati dhe filloi rrahja me ujë e mostrave, ato thërrmija që më në fund mbetën mënjanë, shkëlqenin zbehtas. Shefi i Rinisë e telefonoi menjëherë këshilltarin e Presidentit. “Kjo që po tregon, u entuziazmua funksionari i lartë i Tiranës, më gëzon shumë dhe të falënderoj. Gjithçka që sapo më tregove, m’i dërgo me shkrim në adresën time, këtu në aparatin e Komitetit Qendror”.

Letra me të gjitha shpjegimet mbërriti në piramidën e lartë të partisë-shtet dhe menjëherë këshilltari i Presidentit e ftoi sekretarin e Parë të Rinisë të Skraparit të ishte në kryeqytet në datën 19 janar. Kur e priti, ndodhej bashkë me dy kolegë të tjerë të institucionit, specialistë të gjeologjisë. Që të tre e dëgjuan me vëmendje.
Në zyrën e ministrit u thirr edhe drejtori i Përgjithshëm i Gjeologji-Minierave. U premtua se shumë shpejt do të dërgonin në Skrapar dy ekipe. Në to përparësi do të kishin specialistë për minerale të rralla.

Ishte 22 prill 1984 kur para godinës, ku punonte sekretari i rinisë, u ndalën dy mikrobusë me targat e Tiranës. Një burrë i gjatë me pak mustaqe zbriti vrullshëm dhe pyeti. Dikush i tregoi me dorë “kati i dytë, djathtas”.
“Jam kryegjeologu i Shqipërisë pranë ministrit, shqiptoi sapo i hyri në zyrë burri me pak mustaqe. Kam ardhur me 15 veta. Do të punojmë gjatë këtu”…
Atë natë të pesëmbëdhjetë fjetën në hotel dhe të nesërmen, në 7:30, u nisën drejt maleve. Dy orë më pas hynë në grykën e përroit, që rridhte nga fshati me emrin Gurazez. “Mbaje!”, i tha papritur shoferit kryegjeologu i Shqipërisë dhe zbriti vrulltas nga makina. I heshtur si murg u fut në anë të përroit, u ul dhe futi duart në ujë. Mori një grusht me zhavorrina dhe i pa me vëmendje. Pastaj ngriti kokën lart dhe e hodhi vështrimin në drejtim të malit nga vinte uji. Pyeti “Si quhet?”.

Sekretari i Rinisë u përgjigj me një frymë: Është pikërisht ai që po kërkojmë, Koshnica”. Tjetri shqiptoi tërë ngazëllim “jemi ku duhet”….
Lajmi mori dhenë. Këtë herë asgjë nuk u mbajt e fshehtë, përkundrazi, kumti u përhap gjithkund, posaçërisht. Kërkimi dhe zbulimi i mademit të floririt duhej të qe jo vetëm një punë profesionale e gjeologëve, por edhe mision i gjithë popullit të Tomorricës… E gjithë Tomorrica dhe fshatrat ku vëzhgohej të gjendej mademi i floririt, jetonin si të elektrizuar. Takimet e punës me njerëzit nuk pushonin kurrë, grumbullimi i mostrave nga gurët shkëmborë po ashtu. Po të shkëlqente sadopak një copë dheu apo faqe guri, sidomos në rrafshnaltën e Koshnicës, sillej menjëherë për këshillim me gjeologët. Pastaj ato dërgoheshin pa u vonuar në laboratorin e Tiranës. Kjo punë zgjati dy vjet rresht…

Krismat u bënë më të shumta, kur u mësua se qenë gjetur skorie që ngjasonin me ato të furrave të shkrirjes së metalit. Kryegjeologu nuk e përjashtoi të ishin krijuar nga shkarkime elektrike të natyrës, pasojë vetëtimash, por shumë shpejt u shfaq i bindur prej një interpretimi tjetër. Sipas tij, ato skorie qenë prej një procesi metalurgjik… Ndërsa qe i bindur se origjina e atyre mbetjeve metalurgjike në rrëpira malesh kishte vetëm këtë shpjegim, kryegjeologu rrëfeu edhe një histori. Para ca kohësh në Malin e Bardhë të Lenies, në kufi mes Gramshit dhe Pogradecit, i cili ndodhet edhe përballë me Koshnicën, arkeologët patën gjetur një qyp shumë të madh. Iu desh jo pak mund për të përcaktuar kohën kur qe prodhuar. Ndërsa e pikasën këtë, mbetën në mëdyshje përse përdorej… Njëri prej pjesëmarrësve u fut brenda dhe e zbuloi misterin. Në pjesën fundore gjeti 13 gramë ar të shkrirë. Ky flori i shoi menjëherë të gjitha hamendjet dhe dëshmoi se kishin të bënin me një furrë shkrirjeje të mineralit armbajtës. “Ndaj them se kjo mund të ketë lidhje me minierën e floririt të Gjon Muzakës”, tha kryegjeologu i Shqipërisë.

Kështu erdhi drejt fundit viti 1987. Ai ende nuk qe mbyllur kur nga Tirana, drejtpërsëdrejti nga Presidenti i Republikës, mbërriti urdhri që kërkimi për të zbuluar mademin e arit të Gjon Muzakës të ndërpritej. Sipas shpjegimeve që iu dhanë autoriteteve lokale dhe banorëve të befasuar, dy gjeologë nga grupi i të 15-ëve patën dalë në përfundimin se mes mineraleve të rralla në zonën e Tomorricës vlente vetëm plumbi. Rezerva të tilla kishte… po qe se është kështu, u shpreh sekretari i Parë i Rinisë vendore, të luftojmë për këtë pasuri. U firmos një raport informues për kryetarin e shtetit dhe, bashkë me të, edhe një kërkesë për të filluar shfrytëzimi i mineralit të plumbit…

Në vitin pasardhës fondi i ri nuk erdhi. Punimet e tunelit u ndërprenë. Me një urdhër nga Tirana, gjeologët u dërguan në veri të vendit. Nga Presidenti dhe këshilltarët e tij ishin gjykuar se bllokadën imperialisto-revizioniste mund ta çante vetëm kromi. Ndërkohë, një vit më pas, në Shqipëri do të fillonte ndërrimi i sistemit politik. Që prej këtij çasti nuk ka asnjë lajm për mademin e floririt të princit të Beratit dhe njëherësh të Myzeqesë, të Skraparit dhe të Korçës.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit