MENU
klinika

Ushqime për të moshuarit dhe shtresat në nevojë

Këshilli Bashkiak miraton vendimet: Transport i garantuar personelit mjekësor

23.03.2020 - 15:58

Për përballimin e situatës së shkaktuar nga përhapja e virusit COVID-19, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot, nëpërmjet një procedure online, vendimin për të ndihmuar me ushqime të gjithë të moshuarit e vetmuar dhe shtresat në nevojë.

Nisur nga pezullimi i frekuentimit të çerdheve dhe kopshteve në këtë periudhë, në mbledhjen e sotme u vendos që Bashkia e Tiranës ta përdorë sasinë e tyre ushqimore për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, që ata ta kalojnë sa më lehtë këtë situatë të krijuar nga COVID-19. Ushqimet e gatshme, por edhe pakot me ushqime, do të grumbullohen dhe më pas do të shpërndahen në banesat e shtresave në nevojë nga Bashkia Tiranë nëpërmjet punonjësve të qendrave sociale, njësive administrative dhe grupeve të ngritura enkas për këtë qëllim.

Ndërkaq, për t’i ardhur në ndihmë personelit mjekësor, i cili këto ditë po lufton në vijën e parë të betejës me CODIV-19, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi edhe ndryshimet e kontratave me operatorët që ofrojnë transportin publik kryeqytetas. Operatorët e licencuar nga Bashkia e Tiranës në linjat e shërbimit publik të transportit qytetas të udhëtarëve, do ta ofrojnë këtë shërbim vetëm në funksion të personelit dhe stafit mjekësor. Të gjitha shpenzimet për ofrimin e këtij shërbimi për stafin dhe personlein mjekësor do të paguhen nga Bashkia Tiranë, e cila ka parashikaur dhe buxhetin përkatës për këtë shëbim.

Më konkretisht, do të vijojë funksionimi vetëm për personelin mjekësor linja nr. 15 Kombinat – Kinostudio, duke shtuar në këtë itenerar edhe stacionin pas Muzeut Kombëtar në kthim. Edhe linja nr. 8 nga “Ish Stacioni i Trenit-Qendër-Sauk i Ri/Sauk i Vjetër/Sanatorium-Teg”, vetëm për degëzimin e senatoriumit, do të ketë pikënisje stacionin pas Muzeut Kombëtar.

Këshilli Bashkiak miratoi edhe amendimin e kontratës për linjën nr. 16 Lapraka dhe linjën nr. 14 Unaza, në kuadër të marrjeve të masave gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, për ofrimin e këtij shërbimi vetëm në funksion të personelit dhe stafit mjekësor. Itinerari në linjën 16 do të jetë 1) Spitali Ushtarak 2) Kryqëzimi rrugës “Dritan Hoxha” me rrugën “Lord Bajron”, 3) Shkolla “Qemal Stafa” 4) Piaza. Ndërsa, për linjën 14 të Unazës nuk ka asnjë ndryshim në itinerar apo stacione.

Bashkia e Tiranës ka vendosur të lehtësojë me autobusë të posaçëm edhe transportin e stafit mjekësor në Kamëz apo nga Kamza, që janë brenda regjimit spitalor të Tiranës. Për këtë qëllim, Këshilli Bashkiak miratoi edhe amendindimin e kontratës për linjën Tiranë – Kamëz. Autobusët e posaçëm që do të jenë në ndihmë të personelit mjekësor do të kenë këtë itinerar: 1) Qendër Kamzë, 2) Bathore, 3) Institut 4) Ura Insitutit 5) Casa Italia 6) Sheshi Shqiponja 7) Kryqëzimi rrugës “Dritan Hoxha” me rrugën “Lord Bajron” ? Sheshi “Karl Topia” 9) Stacioni pas Muzeut Kombëtar

Shërbimi i transportit publik qytetas për këto linja do të ofrohet për gjithë kohëzgjatjen e periudhës së shkaktuar nga infeksioni Covid-19 dhe derisa funksionimi normal i transportit publik do të qëndrojë i pezulluar.

Sipas urdhrit të Bashkisë së Tiranës, operatorët që do të ofrojnë këtë shërbim, do të duhet të marrin masa për pajisjen e stafit të tyre me mjete mbrojtëse, me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre.