Mbyllet përkohësisht poliklinika e specialiteteve në Fier. Për qytetarët do të bëhen gati recetat elektronike nga mjekët specialistë.
Në këtë mënyrë shmanget fluksi në poliklinika dhe merr rol thelbësor mjeku i familjes që delegon rastin tek specialisti. Sipas burimeve zyrtare, do të punohet me rastet urgjente. Për çdo rast kontaktohet 127.
Ndërkohë, ushtria dhe policia në kontroll që në orët e para të mëngjesit në rrugët e Fierit. Kontrollohen automjetet me targa të huaja, ato ku udhëtojnë më shumë se një pasagjer si dhe një pjesë e mirë e makinave familjare.
Patrullat janë vendosur në disa akse brenda qytetit të Fierit dhe në hyrje e dalje. Mësohet se patrullimet do të shtohen gjatë orëve në vijim, ndërsa në Fier janë mbyllur një pjesë e mirë e bareve dhe lokaleve. Në rrugët e qytetit vihen re pak qytetarë dhe lëvizja është e kufizuar. Hapur mbeten banka, disa lokale, dyqane ushqimore dhe disa supermarkete.