Tridhjetë ditë kohe. Kjo është periudha e vënë në dispozicion të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të marrë një vendim përfundimtar për fatet e Lojërave Olimpike, Tokyo 2020. Në këtë moment anulimi i ngjarjes nuk merret në konsideratë, por gjasat janë që ato të shtyhen.
Lojërat Verore janë planifikuar të mbahen nga 24 korriku deri më 9 gusht, megjithatë përhapja e shpejtë e koronavirus ka vënë me shpatulla për muri Komitetin Olimpik, që tashmë ka në tryezë tre hipoteza të mundshme.
Me shumë mundësi këto Lojëra të zhvillohen brenda këtij viti. Turneu mund të mbahet nga 25 gushti deri më 6 shtator ose nga 9 deri në 25 tetor. Nëse situata ndërkombëtare nuk stabilizohet në kohën e dëshiruar, pra deri në javën e fundit të korrikut dhe urgjenca shëndetësore do të vazhdojë përtej verës, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar i duhet ta shtyjë turneun për vitin e ardhshëm.
Zgjidhje shumë të ndërlikuara, por që për momentin nuk mund të përjashtohen plotësisht. Kundër organizimit të turneut mes korrikut dhe gushtit është kombëtarja kanadeze, e cila ka kërcënuar me tërheqje të atletëve të saj, ndërkohë që presidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Lordi Coe, ka kërkuar që Tokyo 2020 të mos mbahet në kohën kur bota po përballet me një gjendje pandemie.
Një ide është që Lojërat Olimpike të zhvillohen në vitin 2022 për të mos krijuar çrregullime të kalendarit të Lojërave Olimpike ndër vite. Kjo nuk është hera e parë që Lojërat Olimpike vihen në diskutim, madje në 6 raste nuk janë zhvilluar fare. Bëhet fjalë për vitet 1916, 1940 dhe 1944, me lojërat e verës që nuk u mbajtën për shkak të luftërave mes popujve, si dhe në edicionet 1976, 1980, 1984 që u hoqën nga programi për shkak të bojkotimeve të shumta, kryesisht nga kombëtaret afrikane.