Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se po bëhen më shumë testime, por nuk mund të testohet e gjithë popullsia, kjo pasi nëse dikush del negativ sot, mund të dalë pozitiv nesër.
E pyetur nga kryeministri për procedurën dhe vijimësinë e testimeve, Manastirliu tha se po testohen kryesisht të dyshuarit dhe kontaktet e afërta të të prekurve me covid-19, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infeksionit.
“Ne testojmë të dyshuarit. Ata që kanë nevojë të dinë që janë të prekur nga koronavirusi, dhe ata që kemi në fokus, për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit. Ka shumë detaje lidhur me faktin çfarë do bëjmë nesër, por duhet ta testojmë periodikisht popullatën. Nuk është çështje buxheti, thjesht vendimarrje. Se ai që testohet sot dhe del negativ, mund të duhet përsëri të testohet nesër. E rëndësishme është të ndërpresim zinxhirin e infeksionit. Por ne shohim edhe një hap më tepër. Te kontaktet e afërta. Po bëjmë çmos që të mos i lejojmë ata të infektojnë të tjerë. Po testojmë të dyshuarit, siç thotë edhe OBSH. Jemi në javën e tretë. Kurba do të rritet. Masat që kemi marrë nuk do të vlerësohen këtë javë, por besoj në fillim të prillit”.