MENU
klinika

Dinastia e Gropajve

Maqedoni/ Hera e parë në historinë e Parlamentit kur një shqiptar merr mandat deputeti

22.03.2020 - 08:20

Historia na tregon se rrënja e asaj që quhet sot Maqedoni, dhe që deri disa vite më parë është quajtur Vilajeti i Manastirit është ajo që quhet Dibër e madhe dhe Dibër e vogël, dhe rrënja e dy Dibrave është fisnikëria dibrane që shkëlqimin e saj më të madh e ka pasur me familjen fisnike Gropaj, ose Çoku.

Familja princërore e Gropajve do të dalë në skenë në vitin 1218 në histori. Dhe kjo gjë vërtetohet nga një dokument i Akademisë së Shkëncave të Berlinit që flet për Sevasti Andrea Gropën me titullin prekursor që nuk ishte gjë tjetër veç një titull ofiqari bizantin.

60 vite më vonë përsëri përmendet Pal Gropaj që në vitet 1272-1273 hyn në tentativa me anzhuinët, dhe jo vetëm që flet në emrin e tij, por dhe si përfaqsues i një grupi bujarësh shqiptarë.

Andrea Gropaj do të bëhet dhëndër i Andrea Muzakës, i një dinastie tjetër princërore, fqinje me ta, dhe së bashku do të mundnin përfaqësuesin e mbretit Dushan dhe princi Muzakaj do t’i shtojë zotërimeve të veta Kosturin ndërsa princi Gropaj do t’i shtojë feudeve të veta qytetin e Ohrit.

Gropajt dhe Muzakajt, dy familjet e fuqishme feudale të Shqipërisë lindore do të hynin në histori si armiq të betuar tradicional të serbëve, pra si antiserbë të deklaruar.

Në vitin 1389 në krah të Teodor Muzakës, do të luftonte dhe fisniku Gropaj në betejën e famshme të Kosovës, një koalicion ballkanik kundër pushtuesve osmanë. Zaharia Gropaj do të shkëlqente në periudhën e Skënderbeut duke u bërë ministër i jashtëm i kryetrimit Skëndërbe dhe do shkonte me misione të caktuara në Itali, Romë, Venedik, Raguzë etj. Ai do të ishte jo vetëm një diplomat, por një ndër dy gjeneralët më të shquar të tij për 25 vjet me radhë me osmanllinjtë.

Gropajt kanë qenë sovranë të Patriarkanës së Ohrit, për sa kohë ajo ekzistoi deri në vitin 1767, kur ajo u mbyll nga Patriarkana e Madhe e Kostandinopojës.

Patriarkana e Ohrit ka qenë nën mbrojtjen dhe kontrollin e tyre, dhe në shumicën e saj patrikët e saj kanë qenë të gjakut shqiptar.

Pas vdekjes së Skënderbeut, me Gropajt u përsërit ajo që u ndodhi gjithë princërve shqiptarë. Një pjesë e mirë kaluan detin dhe u vendosën në Italinë e Jugut. Gjurmë të fisnikëve Gropaj gjejmë në një fshat arbëresh midis Brindisit e Barit, në Monteçiljone, ku çdo vit bëhet festivali e parada me veshjet e fisnikërisë shqiptare, si të Vrana Kontit, Muzakajve, Gropajve e të tjerë. I gjithë fshati, dhe ndonjë fshat arbëresh përreth, e mban veten se ka prejardhje fisnike. Një pjesë u islamizuan dhe ruajtën pronat, u bënë pashallarë në Ohër, Dibër, Strugë etj. Në fillim përdorën fenomenin e laramanisë, si kriptokristianë, dhe më pas u islamizuan plotësisht, por si besimtarë të sektit bektashi. Nuk është e rastit që Dibra dhe krahina përreth ka pothuajse barabar, në mos më tepër, teqe se sa xhami. Nuk është e rastit përhapja e bektashizmit në këtë shkallë në zonën e Dibrës.

Një krah i Gropajve apo Çokëve vazhdoi në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, aty ku vendosej fati i çdo gjëje, edhe i pronave të tyre, apo dhe i tërë Perandorisë. Nuk është e rastit që në shekullin XVI në Perëndim gjejmë një Papë i mbiquajtur Papa Çoka (apo Çoku), dhe po në këtë shekull, në apogjeun e supershtetit osman, gjejmë një kryeministër me origjinë nga bejlerët e pashallarët e Ohrit, Halil Pashë Ohri. Kjo familje princërore i mbijetoi kohërave si në Lindje ashtu dhe në Perëndim. Në vitet ’40, ’50, ’60 të shekullit XIX Iljaz Pashë Dibra (Çoku-Gropaj) përmendet si hero kombëtar i shqiptarëve. Dibrës i ra për risk të luftojë kundër të gjithë fqinjëve grabitqarë, edhe bullgarë në lindje, edhe në verilindje në Toplicë, Nish, kundër serbëve, edhe në Thesali e Selanik kundër grekëve, por edhe kundër malazezëve.

Një nga ato që është në linjë direkt, në vijimësi, është fisi në fillim me mbiemrin Beqiri, e pastaj i shndërruar në Hajdaraga, nga familjet e parësisë së Dibrës. Po nga Çokët rrjedhin dhe këto katër oxhaqe të Dibrës: Në Dibër të Madhe ishte shtëpia e Hoxhollit; në Dibër të Poshtme ishin tre oxhaqe: ai i Agollëve në Dohoshisht, ai i Karahasanit në Brezhdan, dhe ai i Xhilagës në Deshat. Në shpalljen e Pavarësisë më 1912 Ohrin e Strugën i përfaqësuan Gropajt, Zyhdi Ohri (Çoku) dhe Xhemal Ohri (Çoku), bejlerë të Ohrit, fis i Hamdi Ohrit, si dhe Mustafa Barotçia. Në krah të Ismail Qemalit qenë dy fisnikë dibranë. Dy nënkryetarët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishin Vehbi Agolli (Dibra) dhe Dom Nikollë Kaçorri, njëri hoxhë e tjetri prift, por të dy atdhetarë të kulluar. I pari nga oxhaku i Agollëve, rrjedhimisht, siç e kemi thënë më sipër, prapë ishin me rrënjë Çoku (Gropaj). Ai u zgjodh kryetar i Pleqësisë (Senatit) në Kuvendin e Vlorës. Pra, në Pavarësi ishin oxhakët e Shqipërisë që përfaqësonin popullin shqiptar. Ismail Qemali (Vlorajt), Murat Toptani (Toptanët, Topiajt), Zyhdi e Xhemal Ohri (Çoku), Vehbi Agolli (Çoku), Mithat Frashëri (Frashërllinjtë, Dukollarët), etj. etj. Kongresi i Triestes më 1913, ku mori pjesë dhe një Faik Konicë etj. figura eminente atdhetare, ishte vepër veç të tjerëve e atdhetarit Hamdi Ohri.

Në të njëjtën rrugë Mentor Çoku, djali i Hamdi Ohrit, që në Asamblenë Kombëtare të vitit 1943, ku ishte deputet i Strugës, deklaroi burrërisht se Shqipëria nuk e pranon pushtimin fashist. Ishte ideali kombëtar që në vitin 1944, në kohën e gjermanëve, kur këta u prishën me bullgarët dhe vendlindja e tij Ohri mbeti pa zot për pesë ditë rresht, e shtyu të fusë 10 vetë të armatosur të veshur me kostum kombëtar e qeleshe të bardha, të ngrenë flamurin shqiptar kuq e zi me shkabën dykrenore, për të treguar se Ohri është shqiptar, është Shqipëri. Për këtë ideal fisnik gjatë luftës ai mori dy plagë në trupin e tij.

Me uljen e Bekim Qokut në karrigen e deputetit në Parlamentin e Maqedonisë në muajin maj të vitit 2013 kjo familje fisnike vazhdoi traditën e gjatë familjare të mbrojtjes së idealit kombëtar. Njëkohësisht, kjo ishte hera e parë në historinë e Parlamentit të Maqedonisë që mandat deputeti të marrë një shqiptar nga Ohri.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit