MENU
klinika

Mbretëria e Karlit ishte shumë e rëndësishme

Mbretëria e parë shqiptare

25.03.2020 - 06:10

Mbretëria e Arbërisë u shpall zyrtarisht si formacion politik më 21 shkurt të vitit 1272 kur Karli i Anzhuve njoftoi se kontët, baronët, kalorësit, prelatët dhe komunat qytetare e kishin zgjedhur atë në krye të Mbretërisë së Arbërisë. Për herë të parë termi Regnum Albanie do të haset në dokumentin e marrëveshjes së 27 majit 1267, në një traktat që u nënshkrua nga Papa Klementi IV dhe Karlit të Anzhuve.
Fillimisht Karli I u përpoq të bënte bisedime me aristokracinë arbërore si dhe me qytetarët e Durrësit. Dërgoi në Shqipëri  dy të besuar që sollën mesazhet e tij. Pas disa kontradiktash që zgjatën pak, u arrit në një dakordësi me krerët arbërorë dhe më 1272 një përqafësi e fisnikërisë së arbrit, bashkësisë qytetare të Durrësit u takuan më përfaqësuesit anzhuinë dhe u shpall bashkimi i Mbretërisë së Arbrit.

Karli i Anzhuve u premtoi krerëve arbër ruajtjen e të gjitha privilegjeve që u kishin akorduar perandorët bizantinë, respektimin e zakoneve dhe traditave të tyre si dhe marrjen në mbrojtje të këtyre krerëve së bashku me pronat dhe pasurisë së tyre.

Anzhuinët kënaqnin dy kërkesa themelore të shqiptarëve: kërkesën për një angazhim të anzhuinëve në marrëdhëniet e ndera të shqiptarëve me fuqitë e tjera, kryesisht Bizantin e Serbinë dhe gjithashtu ruajtjen e autonomisë politiko-administrative të fisnikëve vendas, brenda kuadrit të Regnum Albanie. Me dekret mbretëror u njohën të gjitha princërat shqiptarë si baronë dhe kontë, duke i dhënë  tituj nderi.

Mbretëria e Arbërisë, e krijuar nga Karli i I Anzhu shtrihej nga malet e Karaburunit deri në grykëderdhjen e Drinit nga gjiri i Vlorës deri në Lezhë.

Marrëdhëniet e anzhuinëve me fisnikët shqiptarë nuk vonuan të prishen. Premtimet mbi njohjen e autonomisë dhe privilegjet që ai i kishte premtuar ishin thjesht demagogji. Postet në ushtri e administratë zotëroheshin prej të huajve, francezë dhe italianë. Gjithashtu anzhuinët vendosën një shfrytëzim të rreptë ndaj popullatës. Ata i rrëmbyen tokat pronarëve vendas, sidomos kundërshtarëve dhe ia shpërndanë funksionarëve e feudalëve anzhuinë, kishave, kuvendeve e manastireve. Fshatarësia shqiptare që punonte në këtë toka u shfrytëzua pamëshirshëm dhe taksat ishin tejet të rënda.

Në një situatë të tillë popullsisë shqiptare nuk i mbeti gjë tjetër veç të ngrihej e të kundërshtonte ndaj këtij sundimi.

Pikërisht në këtë kohë situatën tejet të trazuar do ta shfrytëzonin bizantët. Në verën e vitit 1274 vetë dokumentet anzhuine flasin për një aleancë midis bizantinëve dhe fisnikëve shqiptarë. Dhe kështu do të nisnin konfrontimet luftarake. Luftërat kryesisht u përqëndruan në afërsi të kështjellave bizantine dhe më pas afër kështjellave anzhuine. Përkrahja që i bënë bizantinët arbërorëve prishën planet e Karlit I cili donte të pushtonte Kostandinopojën.

Bizantët e kthyen Beratin në qendrën ku së bashku me fisnikët organizonin operacione kundër kështjellave anzhuine. Duke parë këtë situatë tejet dramatike, mbreti Karl i Anzhuve mendoi të organizonte një fushatë të ashpër për të nënshtruar krerët e kryengritësve shqiptarë dhe t’i rikthente mbretërisë së tij kështjellat që u pushtuan nga bizantinët. Dhe sigurisht që vëmendja kryesore e tij do të ishte Berati, si një qendër e rëndësishme shqiptare.

Pikërisht në këtë kohë ai do të bëjë disa marrëveshje për të forcuar mbretërinë e tij. Do të rinovojë aleancat me Serbinë dhe me despotatin e Epirit. Despotin e Epirit do e shpall vasal dhe ky i fundit i dorëzon kështjellat e Butrintit, Sopotit dhe Porto Palermos. Por ai gjithashtu bën dhe disa lëshime për të rregulluar marrëdhëniet me shqiptarët. Do të lirojë nga burgu disa krerë kryengritës shqiptarë si Gjin Muzakën, Guljem Blinishtin etj.

Në këtë kohë mbretëria do të bëhej një shesh luftimesh të ashpra. Bizantët jo vetëm që nuk do lëshonin kalanë e Beratit por do mësynin edhe drejt Durrësit dhe Krujës pa shkuar dot më tutje. Gjatë kësaj kohe dhe mbreti serb kishte filluar një mësymje të egër në të gjithë vijën e Matit dhe Ohrit. Ai arriti deri në Durrës duke prekur kështu interesat e fisnikëve shqiptarë dhe njëkohësisht dhe të anzhuinëve.

Ndaj rikthimi i anzhuinëve do të mirëpritej nga fisnikëria shqiptare, e cila shpresonte një ndalesë të mësymjes serbe. Shpresa e vetme e tyre ishte raporti me botën perëndimore katolike. Në vitet nëntëdhjetë të shekullit XIII shqiptarët nisën të merrnin në konsideratë ndihmën që i jepnin anzhutë në neutralizimin e tensioneve me fqinjët serbë dhe bizantë.

Pas vdekjes së Karlit të I-rë zot i Durrësit dhe i mbretërisë së Arbërisë u bë Filipi i Tarentit, nipi i tij.

Napoli kishte mësuar nga gabimet e së kaluarës. Kështu që mbreti Filip do të ndante pushtetin me fisnikët shqiptarë. Tanush Topisë do t’i jepej titulli i kontit, Andrea Muzakës titulli Despoti i Arbërisë, Blinishtit iu dha titulli i kontit etj.

Mbretëria e Karlit, ose e njohur ndryshe si Mbretëria e Arbërisë ishte shumë e rëndësishme. Historikisht për herë të parë vendi njihet si subjekt gjeopolitik dhe njëkohësisht për herë të parë distancohet nga mbretëria serbe, shteti bullgar, despotati i Epirtit dhe perandoria bizantine. Mund të quhet një periudhë e rëndësishme historike sepse kemi lindjen dhe ndërgjegjësimin e një fisnikërie të vëretetë feudale shqiptare që adoptoi zakonet perëndimore. Do të jetë kjo aristokraci që do zëvëndësojë më pas anzhuinët në të gjitha zotërimet e tyre në shekullin XIV dhe do t’i rezistojë pushtimit otoman gjithnjë në bashkëpunim me mbretërit e Napolit.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit