Një nga personat që është shëruar nga Covid-19 në vendin tonë është edhe trajneri i xhudos, Erind Cara, i cili ishte infektuar, por sot dha lajmin e mirë për të gjithë qytetarët se tashmë është rehabilituar plotësisht.
Në një videomesazh të publikuar nga Spitali “Nënë Tereza”, Cara bëri me dije se rezultoi negativ në 2 testet e fundit. Njëkohësisht, ai u kërkoi shqiptarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin infektimin me koronavirus, pasi kurimi prej tij është i vështirë dhe i mundimshëm.
“Përshëndetje miq! Ju përshëndes nga Qendra Spitalore ‘Nënë Tereza’. Ndodhem këtu në pavionin e infektivit prej 9 ditësh, ku po luftoj me koronavirusin. Por, sot luftën e fitova. Pas 2 testeva rezultova negativ dhe jam më i qetë, por dua të jap një mesazh sensibilizues për të gjithë qytetarët dhe bashkëatdhetarët e mi brenda dhe jashtë Shqipërisë:
Qëndroni në shtëpi! Është më mirë të të parandalosh sesa të kurosh. Prandaj në shtëpi mund të bëjmë më të mirën, të qëndrojmë me familjarët dhe të kalojmë disa ditë të bukura pushimi sesa të rrimë në spital dhe të kurohemi. Në spital është më e vështirë për ne dhe stafin mjekësor. Uroj të kthehemi së shpejti dhe të keni shëndet të plotë. Më mirë të parandalosh sesa të kurosh!”, tha Erind Cara.