MENU
klinika

Fustanellat e bardha të shqiptarëve, armët e...

Me në krye Dervish Carën

25.03.2020 - 06:00

Arsyeja e shpërthimit të kryengritjes ishin të shumta. Tek shqiptarët gjithë kohën ishte e ngjizur ideja për liri.  Zbatimi i reformave të Tanzimatit ishte një shkak i rëndësishëm që i rebeloi shqiptarët në të gjitha zonat ku ata jetonin. Perandoria Osmane me anë të reformave të reja e kishte mbytur me taksa popullsinë shqiptare, e kishte përjashtuar atë nga organizimi i shtetit dhe kishte caktuar periudhën e ushtrisë (nizamit) 15 vjet. Por ajo që ishte më e rëndësishmja ishte se dhe pashallarët i humbnin privilegjet e tyre andaj kishin interes të mbështesnin kryengritjen.

Shkëndija që shqiptarët prisnin ishte likuidimi i pashallarëve të Tetovës, respektivisht vëllezërve: Hivzi-pasha që sundonte në Shkup, Hysein-pasha në Qustendil dhe Abdurahman-pasha që sundonte në Tetovë, të cilët që për nga forma e qeverisjes ishin gjysmë të pavarur. Vëllezërit mes tyre i acaruan marrëdhëniet dhe për këtë arsye Porta e Lartë i thirri në Stamboll, me  këtë rast ata u burgosën, e më pas Husein-pasha dhe Abdurahman-pasha u internuan në Anadoll, ndërsa Hivzi-pasha vdiq në burg. Arritja e lajmeve të këtilla e acaroi popullatën e këtyre pashallarëve. Në vend të Hivzi-pashës si i dërguar i sulltanit në Shkup u emërua Qorr Mehmed-pasha, ndërsa Abdurrhaman-pashën e trashëgoi vëllai i tij, Xheladin-beu. Likuidimin e pashallarëve të Tetovës si shkak për shpërthimin e kryengritjes e përmendin edhe diplomatët e huaj – ai rus Hitrov, konsulli francez Grie si dhe konsulli anglez në Selanik, Blant.

Para se të fillonte kryengritja që ka marrë emrin e drejtuesit të saj, Dervish Cara, situata mes shqiptarësh ishte tensionuar dhe marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe osmanëve ishin acaruar shumë. Porta e Lartë kish kërkuar të qetësonte gjendjen por nuk kishte arritur.

Këtë kryengritje e ka përshkruar mirë konsulli francez i Selanikut, Grie, i cili në shënimet e tij ka shkruar se kryengritja fillimisht nisi në Gostivar ku Dervish Cara ishte drejtues dhe zëvëndës i Xheladin Beut. Cara vetë ishte nga Pllaçishti. Kështu sipas të dhënave të konsullit francez në 12 dhjetor të vitit 1843 ai do raportonte se një ushtri e tërë ushtarësh, rreth 32000 kish arritur në Manastir që të luftonin kundër kryengritësve të udhëhequr nga Dervish Cara, i cili pas Gostivarit në janar do të shtinte në dorë dhe Tetovën.

Për shkak të trimërisë së treguar dhe qëndresës heroike të shqiptarëve Xheladin beu që nuk mund t’i nënshtronte kishte menduar të sulmonte me artileri, po nuk e bëri.

Qendra e kryengritësve u bë Tetova, më pas Shkupi dhe në shkurt të 1844 iu bashkuan forcave të Carës dhe shqiptarët e Kumanovës. Kryengritësit iu drejtuan grykës së Kaçanikut dhe në mars shtinë në dorë dhe Prishtinën. Kryengritja u përhap dhe në Shkodër e në Vranjë. Kryengritësit do merrnin Vranjën në prill të këtij viti dhe në fund të gushtit kryengritja shpërtheu dhe në rrethinën e Dibrës dhe të Matit.

Meqënëse kryengritja ishte shpërndarë në masë, Porta e Lartë mori të gjitha masat e nevojshme për shtypjen e saj. Plani i osmanëve ishte që të shuanin kryengritjen rajon pas rajoni. Ndaj kishin ndërmarrë në Manastir grumbullimin e forcave të mëdha me të cilën do shuanin kryengritjen.

Siç kishte bërë shpeshherë Porta e Lartë dhe këtë radhë për shkak të kësaj revolte që nuk po e shtypte dot, vendosi përfundimin e kryengritjes me mjete paqësore. Ndaj kërkoi ndihmën e konsujve të huaj.  Lejardi udhëtoi nga Stambolli me kërkesë të ambasadorit të Anglisë në Stamboll, Straford Kening, i cili i kishte premtuar një vend të përhershëm pune në ministrinë e punëve të jashtme nëse e kryente me sukses këtë mision.

Takimin me Dervish Carën, Lejard,  e ka përshkruar në këtë mënyrë: «Prijësi i kryengritësve dallohej prej tyre vetëm përmes palltos së zbukuruar në mënyrë të veçantë, me jelekun karakteristik të gegëve dhe me armën e zbukuruar me argjend… Edhe pse njeri i pashkolluar, pa asnjë spoletë, i cili, vetëm në saje të guximit dhe ndikimit të tij, mori mbi vete komandën e kryengritjes antiturke, më priti me urtësi. Ngjashëm si njerëzit e tij, edhe ai mbante qëndrim krenar dhe ishte çuditërisht gjakftohtë. Kur e kuptoi se nuk kam ngrënë, porositi ushqim që përbëhej nga buka e zezë dhe orizi i zier… Pasi i dëgjova ankimet e gegëve kundrejt Portës, Dervish Cara deklaroi se ata kanë vendosur të mos e pranojnë pushtetin turk në malet e tyre, të mos u nënshtrohen ligjeve të reja të Tanzimatit dhe të mos e pranojnë rekrutimin si nizamë…

Fustanellat e bardha të shqiptarëve, armët e tyre të ndritshme, shprehja e tyre e egërsuar dhe e ndriçuar me një dritë të kuqe dhe të pasigurt – gjithë kjo ofronte një skenë të paharrueshme, të egër dhe piktoreske.

Të nesërmen vazhdova bisedat me Dervish Carën, i cili i shtroi argumentet e njëjta. Ishin të gatshëm të pajtohen me të gjitha, përveç rekrutimit. Misioni im te Dervish Cara u tregua i pasuksesshëm, prandaj u ktheva te Omer-pasha, të cilit i raportova për gjithçka që ndodhi. Darkova me të, kurse pastaj u tërhoqa që të pushoj në një tendë të vogël që gjendej pranë tendës së tij…»

Meqë ndërmjetësimi nuk dha asnjë rezultat atëherë forcat turke sulmuan. Ishin forca të shumëfishuara dhe në fillim hynë në Kërçovë. Më pas patën një betejë të ashpër në Katlanovë. Duke qenë se ushtria turke kishte artileri mundi të çante rrethimin e shqiptarëve dhe të hynin në Shkup.

Dhe si gjithë prijësit osmanë Hajredin pasha do t’i ftonte krerët e kryengritësve në bashkëbisedim dhe më pas do t’i tradhëtonte duke i zënë robër e syrgjynosur në burgjet e tmerrshme të Anadollit.

Pas marrjes së Shkupit forcat turke do drejtoheshin drejt Kumanovës dhe Vranjës dhe më pas drejt Kaçanikut dhe Prishtinës, ku pas shtypjes së kryengritjes do vendoste autoritetin e Portës së Lartë.

Dervish Cara, shumë bejlerë e agallarë të njohur do të iknin nga skena dhe do internoheshin, vriteshin dhe do i konfiskohej pasuria. Dervish Carës do t’i bëhej një gjyq i famshëm që do përfundonte me dënimin e tij me vdekje. Dënimi u zëvëndësua me burgim të përjetshëm dhe ky hero i madh do të vdiste në burgjet e Stambollit.

(Kryengritja e Dervish Carës, Aleksander Matkovski, Besnik Jemini)