MENU
klinika

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare

Meta: Riatdhesimi i shqiptarëve, temë kryesore

24.03.2020 - 21:26

Presidenti Ilir Meta deklaroi se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare do të flitet padyshim dhe për shqiptarët të bllokuar në vende të ndryshme të botës, për shkak të situatës së krijuar me COVID-19.

Në një intervistë për emisionin ‘Përballë” të Lufti Dervishit, Meta tha se bllokimi i shqiptarëve jashtë ka qenë shqetësimi i parë që është ngritur nga shteti.

“Ky ka qenë dhe mbetet një shqetësim i yni që në momentin e parë që u detyruam të merrnim masa kufizuese apo ndaluese sa i takon kontakteve apo fluturimeve me vendet të ndryshme. Është bërë një punë në këtë drejtim në identifikimin e të gjithë qytetarëve, të cilët nuk kanë patur mundësi për arsye të bllokimit të transportit apo të fluturimeve për t’u rikthyer në vend. Sigurisht që kjo është një çështje e rëndësishme edhe e mbledhjes së nesërme, për të vlerësuar situatën se ku jemi dhe cilat janë hapat që do të ndërmerren në këtë drejtim”, tha presidenti.

“Besoj se do të bëhen të gjithë përpjekjet për t’i hënë zgjidhjen e duhur kësaj çështjeje në interes të rikthimit të qytetarëve tanë, por edhe njëkohësisht të mbrojtjes së tyre atje ku janë, fjalë vjen në Itali apo në Greqi. Në këtë drejtim ambasadat tona, – unë kam qenë personalisht në kontakt disa herë me përfaqësuesit tanë, kam qenë në kontakt, i kam orientuar, jam përpjekur sidomos për qytetarët që kanë pasur mundësi më të kufizuar ekonomike ose që nuk kanë parashikuar të qëndrojnë për një kohë të gjatë, të ofrojnë edhe lehtësira duke u kujdesur edhe për ruajtjen e shëndetit të tyre. Sigurisht që do të bëhet çdo gjë për riatdhesimin e tyre”, shtoi presidenti.