Gazetari Genc Tirana në një lidhje me “News 24”, duke folur për situatën në Kanada nga koronavirusi, deklaroi se disa mjekë thonë se situata do të zgjasë disa kohë, ndërsa vlerësoi se ndikimet e ekonomisë amerikane ndihen edhe në shtetin kanadez.
“Ekonomia amerikane ka pësuar dëme dhe sigurisht që ajo ndikon edhe në ekonominë në Kanada. Kriza e 2008 ishte e ndryshme nga kjo. Kjo është një krizë me natyrë tjetër. Ka kontradikta në lidhje me faktin sesa kohë duhen që të kalojë situata. Thonë se kjo gjendje do të zgjasë ca kohë, por sesa nuk dihet. Mjekët thonë se mund të zgjasë disa kohë”, tha gazetari Tirana.
Në lidhje me përplasjet mes SHBA dhe Kinës, gazetari deklaroi se më shumë janë politike.
“Nuk e di në është mirë nëse mund ta quajmë grip kinez. Ky mikrob erdhi nga Kina. Kjo është më tepër zhurmë politike. Rreth 70 përqind e barnave prodhohen në Kinë”, deklaroi ai.
Për situatën në Kanada, gazetari Tirana u shpreh se nuk është një vend kaq i prekur, edhe sepse ka masa e dendësi të ulët.
“Mund të thuhet se është më mirë se në Amerikë dhe vende të tjera. Ndoshta ndihmon edhe se ky vend ka densitet të ulët popullsie. Kalojnë shumë pak njerëz në rrugë. Duke qenë se ka dendësi të ulët popullsie, kontaktet janë të pakta. Ndoshta edhe teknologjia, që bën që njerëzit të punojnë nga shtëpia, janë mundësitë që të punohet online dhe ndoshta këto janë tregues pse mund të jetë prekur më pak”, u shpreh gazetari.