MENU
klinika

Nga Astrit Patozi

Mos e zhvlerëso sakrificën e heronjve të luftës!

28.03.2020 - 21:21

Dërgimi i ekipit të mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në Itali ishte një gjest i bukur, që ia vlen të përshëndetet dhe për këtë nuk ka nevojë të jesh patjetër shqiptar. Zihuni gjithë ditën me Tritanin, po të doni, se e kujt është merita, se nuk na prish shumë punë. Ti bërtit sa të mundesh që i dërgoi qeveria dhe i përcolle me dorën tënde 1 metër larg në Rinas, ndërsa ai të këmbëngulë gjithë ditën se ata i çoi atje vetëm ndërgjegja e tyre.

Por ndërpriti ato tenderat e turpshëm, se nuk mund të bëhet dashuri në kohën e kolerës. Ndryshe i bie që kjo luftë nuk qenka njësoj për të gjithë, por vetëm për një pjesë të popullit. Nuk ka asnjë kuptim që në këto ditë të adresohen fonde për rehabilitimin e qendrave të qyteteve, ndërkohë që, nëse armiku na vë përpara, nesër mund të mos na duhen më fare qytetet.

Në rast se shumica e popullit po sillet dhe po jeton realisht si në luftë, nuk mundet që një pjesë e vogël zyrtarësh apo shqiptarësh të zgjedhur të hanë e pinë njësoj si në kohë të Zogut. Masa e parë që ka vlerë në këtë rast është që të ndërpritet çdo shpenzim i panevojshëm apo që mund të shtyhet në kohë, në mënyrë që Shqipëria të ketë, jo arnime që ndryshojnë përditë, por një buxhet të plotë lufte.

Ndryshe, zhvlerësohet çdo sakrificë që po bën një popull i tërë në karantinë dhe hidhen në kosh edhe akte të tilla vetëmohimi dhe soledariteti si ai i ekipit sanitar, i cili mbërriti sot në Romë për t’ju gjendur në krah Italisë mike, që po e vuan më shumë se kushdo tjetër pandeminë botërore të COVID 19.