MENU
klinika

Konfirmimi i dy rasteve në Shqipëri

Ndalohet eksporti i barnave/ Manastirliu: S’ ka vizita familjarësh

09.03.2020 - 09:55

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Edi Rama ka konfirmuar disa masa shtesë, pas konfirmimit të dy rasteve të para në Shqipëri.

Kreu i qeverisë ka bërë me dije se do të mbyllen shkollat deri më datën 3 prill, do të anulohen fluturimet drejt veriut të Italisë, ku janë zonat më të prekura, si dhe do të akordohet një fond shtesë prej 400 mln lekë ministrisë së shëndetësisë për të përballuar situatën lidhur me koronavirusin. Gjithashtu personat të cilët hyjnë në Shqipëri nga zona e kuqe janë të detyruar që të vetëkarantinohet, në të kundërtën, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se në rast se do të shkelet ky urdhër do të vendosen masa administrative.

Në orët e para të ditës së sotme, ministria e Shëndetësisë konfirmoi se babë e bir kanë rezultuar pozitiv me koronavirusi. Bëhet fjalë për dy raste të importuara nga Fierence, të cilët kanë ardhur në Shqipëri përmes pikës Kufitare të Hanit të Hotit. 28-vjeçari ka hyrë në Shqipëri në datën 26 shkurt dhe ka infektuar edhe babanë e tij.

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se në të gjitha spitalet do të kufizohet lëvizja e shoqëruesve dhe e familjarëve të pacientëve nëpër spitale. Të vetmet raste të lejuara do të jenë vetëm kur kërkesa është bërë nga drejtoria spitalore. Më parë vizitat ishin me orare, ndërsa tashmë janë ndaluar. Qeveria ka vendosur ndalimin e eksportit të barnave mjekësore dhe mjeteve spitalore si dhe ndalimin e vizitave të familjarëve në spital.

“Kemi vendosur ndalimin e eksportit të barnave dhe mjeteve spitalore deri në urdhër të dytë. Në ambientet e infektivit ndalohet hyrja e familjarëve dhe shoqëruesve me përjahtim të rasteve kur urdhri vjen nga drejtoria spitalore”. u shpreh Manastirliu.

Referuar faktit që të prekurit me koronavirus e përhapën atë nga rrugë tokësore, me makinë personale nga Firence në Shqipëri përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit, më 26 shkurt, kryeministri Edi Rama tha se nuk është vendi për përshkallëzime ekstreme të mbylljes së kufijve.

“Të gjitha thirrjet për përshkallëzime ekstreme nuk burojnë nga protokolli zyrtar i OBSH-së, por nga ndenja e natyrshme e pasigurisë që nuk duhet lejuar të kthehet në panik. Kjo është A-ja. Çdo gjë sipas planit të konsultuar dhe të vënë në tryezën e shtetit mbi bazën e protokollit të OBSH-së”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e parë të qeverisë pas prekjes së dy personave nga koronavirusi në vendin tonë, përsëriti disa herë apelin

“Të gjithë jemi të ekspozuar ndaj riskut nuk ka këtu asnjë dallim shtrese, moshe e kështu me radhë, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se ku ky virus prek më rrezikshëm, kush janë hallkat e dobëta, dhe si të gjithë së bashku të bëjmë të ruajmë njëri-tjetrin dhe të dalim edhe nga kjo situatë me vetëpërmbajtje dhe një angazhim ku secili bën punën e vet. I takon qeverisë të udhëheqë këtë proces dhe ne jemi të vetëdijshëm, por i takon secilit të bëjë edhe pjesën e vet. Janë disa këshilla shumë të thjeshta, që duhen ndjekur, që nga shmangia e kontakteve të afërta kur janë të evitueshme, tek dezinfektimi i duarve, larja e shpeshtë e duarve pas kontaktit, tek vetëkarantinimi në rast se vjen nga një zonë që është prekur, dhe tek vendosja e një filtri individual në raport me informacionin. Asnjë panik, asnjë ekzagjerim në emocione negative. Kujdes, qetësi, vetëpërmbajtje. Nuk është një virus që po të zuri të mori jetën. Është një virus që ka karakteristikën e të panjohur, por referuar statistikave është një situatë e vështirë për shkak të panjohurës, por jo një situatë ku po kërcënohet e ardhmja e njerëzimit. Duhet ta ndjekim me shumë qetësi”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u shpreh se djali i prekur me koronavirus që infektoi edhe babanë ka ardhur në Shqipëri që në datë 26 shkurt.

“Dje janë konfirmuar dy rastet e para në Shqipëri. Bëhet fjalë për 28 dhe një 54-vjeçar banues në Tiranë. Një rast ka ardhur në datë 26 shkurt nga Hani i Hotit. Babai është infektuar si kontakt i ngushtë. I janë marrë mostrat dhe kanë rezultuar pozitivë. Menjëherë është bërë identifikimi, izolimi, kanë marrë mostrat e kontakteve të ngushta të cilët janë izoluar. Babë e bir po marrin shërbim tek Infektivi. Mjekët dhe infermierët janë në ballë të kësja situate për çdo skenar që ne e kemi planifikuar. Kam një thirrje për ata që kontaktohen të bashkëpunojnë për të mirën e tyre dhe të mirën e të afërmve të tyre. Mjekët janë në krye të detyrës ku çdo orë ka përforcim të masave”, u shpreh Manastirliu.