MENU
klinika

Nga Astrit Patozi

Një lajm i mirë, pas çdo të keqeje

20.03.2020 - 09:00

Lajm i mirë, mbyllja nga koronavirusi e ka bërë botën më të pastër dhe e ka reduktuar ndjeshëm ndotjen e ajrit, kudo që ka pasur karantinë. Lajmi i keq, nëse kjo gjendje do të vazhdojë për një kohë të gjatë, shumë njerëz pastaj mund të vdesin nga pastërtia.

Lajm i keq, gjithë bota po thotë se jemi në një luftë të ashpër, që nuk dihet sa do vazhdojë dhe sa viktima do të ketë. Lajm i mirë, disa prej nesh janë të mërzitur se u janë kanceluar pushimet dhe nuk kanë sot asnjë garanci nëse do ta marrin të plotë pagën e trembëdhjetë në fund të vitit apo jo. (Kjo është me sa duket diferenca mes optimizmit dhe pesimizmit).

Lajm i mirë, mijëra laboratorë në botë po punojnë për të shpikur vaksinën kundër COVID 19. Lajm i keq, edhe sikur vaksina të jetë gati sot, u dashkan rreth 12 muaj që ajo të vihet në dispozicion të njerëzve në masë. (Ndaj edhe duhet mbledhur tamam mendja dhe kalitur më shumë durimi).

Lajm i keq, Italia po e vuan më shumë se të gjithë betejën me koronavirusin dhe atë e kemi shumë afër. Lajm i mirë, Gjermania po e ndjen shumë më pak, por atë e kemi relativisht larg. (Por kur kufinjtë janë të mbyllur, distancat nuk kanë shumë rëndësi, ndaj edhe e kemi më të lehtë të gjejmë zgjidhjen e duhur).

Lajm i mirë, meqë armikun e kemi të padukshëm, luftën kudo në botë duhet të bënim sikur ta kishim atë përpara syve. Lajm i keq, në Shqipëri luftën po e vazhdojmë njësoj vetëm me armikun që njohim, pastaj çfarë të teprojë për koronavirusin.

Lajm i keq, Lulzim Basha paska kërkuar të zëvendësojë Edi Ramën përmes një mesazhi në emisionin e Eni Vasilit. Lajm i mirë, sipas zyrës së shtypit të PD, mesazhi paska qenë fallco dhe atë e paska shpërndarë qeveria për të diskretituar opozitën.

Lajm i mirë, shumica dërrmuese e shqiptarëve po u qëndrojnë larg njerëzve të afërt, si mënyra më e mirë për t’i mbrojtur ata nga koronavirusi. Lajm i keq, nëse karantina do të vazhdojë gjatë, ekziston frika, se edhe po i patëm shpëtuar, mund të mos i njohim më, kur të ritakohemi.
Lajm i keq, Kosova ka hyrë në në një krizë politike për arsye të tjera që nuk lidhen me koronavirusin dhe (vetë)rrëzimi i Albin Kurtit duket afër. Lajm i mirë, ndoshta kabineti i ri do të jetë më i bashkuar për krizën, sesa një qeveri, ku gjysma ishte në luftë të hapur me pjesën tjetër.

Lajm i mirë, mbyllja brenda nga kërcënimi i COVID 19 po i detyron bashkëshortët të kalojnë shumë kohë me njëri-tjetrin, si asnjëherë tjetër më parë. Lajm i keq, sipas një studimi profesional në Angli, periudha më e artë e lulëzimit të divorceve qenka pas pushimeve të verës, kur famijet zakonisht bashkohen.
Lajm i keq, izolimi në shtëpi mund të rrisë në progresion gjeometrik numrin e të çmendurve dhe mund të përkeqësojë gjendjen e atyre, që kanë mbaruar punë pa e pritur shpërthimin e koronavirusit. Lajm i mirë, sido që të vejë puna, duke qenë të ndarë, ata do të jenë në të gjitha rastet më të parrezikshëm për pjesën tjetër.
Lajm i mirë, besohej që karantina e gjatë do të kthente vëmendjen e robit tek libri dhe leximi, edhe si një mënyrë e lodhshme për të kaluar kohën. Lajm i keq, deri tani nuk ka njoftime për lexime librash, por kemi parë qamet shumë biblioteka pas krahëve të udhëheqësve apo vipave të ngujuar, që flasin në skype nga shtëpia.

Lajm i keq, frika nga infektimi i ka bërë njerëzit të dyshojnë e të jenë më shumë mosbesues ndaj njëri-tjetrit, duke e konsideruar gjithëkënd si një rrezik potencial për prekjen e tyre nga virusi. Lajm i mirë, ndoshta kjo mund t’i ndihmojë të kuptojnë se të gjitha “luftërat” e tjera, që kanë zhvilluar në kohë paqeje, nuk kanë pasur asnjë kuptim.

Lajm i mirë, bankat do të qëndrojnë hapur gjithë kohës, njësoj si dyqanet e ushqimeve dhe farmacitë. Lajmi i keq, po të vazhdojë gjatë kjo punë, kohë do të kemi boll, por arsye për të vajtur në bankë nuk do të kemi më.
Lajm i keq, jemi vend i varfër dhe mbyllja në shtëpi mund të na i shtojë edhe më shumë problemet e pasigurinë për të ardhmen. Lajm i mirë, njësoj të ekspozuar janë edhe të pasurit e të fuqishmit në planet, të cilët për shkak se duan të zgjidhin hallin e tyre, mund të na shpëtojnë edhe ne të shkretëve.

Lajm i mirë, dikur besohej se qëndrimi afër na bashkonte, ndërsa tani të bashkuar ndjehemi më shumë po të qëndrojmë të ndarë. Lajm i keq, ndoshta më vonë kur të largohet frika nga virusi do të na jetë bërë zakon që ta duam më shumë njëri-tjetrin, duke e mbajtur larg.
Lajm i keq, shumë prej nesh kanë borxhe dhe kredi ndaj bankave apo të tretëve, që mund të kthehen në bombë atomike nga papunësia e gjatë. Lajm i mirë, nuk besoj që do të na i kërkojë kush, sepse që ta bëjnë këtë, duhet të dalin vetë nga shtëpia.

Lajm i mirë, karantina e ka zgjuar shumë fantazinë e njerëzve që po bëjnë humor me regjimin e pazakontë të qëndrimit mbyllur në shtëpi. Lajm i keq, disa të tjerë e kanë keqkuptuar humorin dhe po tallen me jetën e tyre dhe të të tjerëve, duke i nxjerrë gjoksin virusit, vetëm sepse nuk durojnë dot gruan dhe fëmijët e tyre.