Vendimet e UEFA-s për të shtyrë Europianin janë bashkëshoqëruar edhe me të tjera pika për kampionatet. Si udhëzim për federatat është kërkuar mbyllja e kampionateve deri më 30 qershor. Shumë prej legjionarëve të Kombëtares shqiptare janë në kontrata jo afatgjata, teksa një pjese të mirë u mbaron në qershor.
Etrit Berisha, portieri i SPAL-it, është në kontratë deri më 30 qershor të këtij viti. Gardiani i Kombëtares që ka bërë një paraqitje mjaft të mirë këtë sezon, megjithëse ekipi i tij është në vend të fundit, del i lirë dhe pa kontratë më 1 korrik. Në kushte të njëjta janë edhe Arlind Ajeti me Vejle në Danimarkë, Klaus Gjasula me Paderborn në Bundesligë, si edhe Ermir Lenjani dhe Bujar Lika me Sion e Schafhausen në Zvicër.
Për të gjithë këta kuqezinj, data lirimit e UEFA-s për përfundimin e kampionateve, është edhe e fundit me ekipet respektive ku po luajnë atkualisht…
Lojtarët e huazuar Armando Sadiku e Florian Kamberi kanë bërë sezone pozitive deri në këtë fazë të kampionateve ku luajnë. Mirëpo, të dy sulmuesit janë në situatë huazimi respektivisht në Spanjë dhe Skoci. Sadiku është në Ligën e Dytë spanjolle, te Malaga deri më 30 qershor. Më 1 korrik, bomberi kuqezi përfundon marrëdhënien kontraktuale me Malagën dhe i duhet të ribashkohet me Levanten.
Në të njëjta kushte është edhe Florian Kamberi. Sulmuesi u huazua nga Hibernian në merkaton e dimrit dhe iu bashkua Rangers që drejtohet nga Stiven Gerrard. Taulant Seferi dhe Ergys Kaçe, janë gjithashtu në situata huazimi deri në qershor. Duket se do të jetë një verë në merkato për futbollistët kuqezinj, por për momentin askush nuk e ka mendjen për korrikun, por për të përballuar Koronavirusin.