MENU
klinika

Si të kapërcejmë këtë frikë!?

Pas gjithë kësaj… në do të rishpikim shoqërinë dhe politikën!

23.03.2020 - 09:47

*Ardit Konomi

Të gjithë e njohin ndjesinë e kapërcimit të një frike. Kur shkojmë tek dentisti, shqetësimi fillon që sa dalim nga shtëpia. Tek poltroni i dentistit humbim kontrollin dhe fillon të na dhembë përpara se të na dhembë. Duke i paraprirë kësaj ndjesie, rrisim brenda nesh frikëra që mund edhe të na bllokojnë. Sidoqoftë, sapo ja hedhim, bota na duket përsëri e bukur dhe ndihemi plot me zell për veprim.

Adrenalina e frikës zëvendësohet nga dopamina, një lloj droge e jona e brendëshme e cila në ndryshim nga goditja e adrenalinës që të bën o t’ja mbathësh o të luftosh (gjë e cila s’vlen as në poltronin e dentistit, as në luftën ndaj Koronës), hap mendjet tona, na eksiton për atë që na pret, na bën kureshtarë dhe parapamës. Nën efektin e dopaminës fillojmë të bëjmë plane dhe kemi vizione që na udhëheqin drejt projekteve të së ardhmes.

Shumë provojnë ose do të provojnë ekzaktësisht këtë, gjatë kësaj kohe krize të Koronës. Një humbje fillestare masive e toruas e cila shndërrohet në një përmbytje të vërtetë me pozitivitet. Pas një periudhe hutimi dhe frike, një fuqi e brendëshme ngre krye.
Botës i ’vjen fundi’ dhe brenda një qytetërimi që ka ulur çelësin, ne endemi mes pyjesh, parqesh dhe qytetesh bosh.
Duket si apokalipsi, është vetëm fillimi i ri.

Kështu ndodh: ndryshimi (i vërtetë) vjen si rimodelim i pritshmërive tona. Është pikërisht thyerja e rutinës dhe të zakonshmes, ajo që çliron ndjesinë e të ardhmes brenda nesh. Ideja dhe vetësiguria që gjithcka do të jetë ndryshe,..dhe më e mirë.

Shumë gjëra do të jenë ndryshe.
Politika keqdashëse, përçarëse dhe e papërgjegjshme, nuk i përshtatet botës së Koronës. Kjo krizë tregoi që kushdo që ve njerëzit përballë njeri-tjetrit, kushdo që ka punuar mbrapsh, nuk ka ç’të kontribuojë më në çështjet e vërteta të së ardhmes.
Kur gjërat bëhen serioze, destruktiviteti që fle tek populizmi, fillon të duket qartë.

Në formën e saj autentike, si bedenë e përgjegjësisë shoqërore, tektuk politika arriti të krijojë (pikërisht për shkak të kesaj krize) një kredibilitet dhe legjitimitet të ri, jo të panjohur, por ndoshta të harruar. Pikërisht sepse ju desh të ushtronte autoritet, ajo krijoi besim në shoqëri. Do të ndryshojë shumë tash e tutje. Do t’i duhet të lerë populizmin, do t’i duhet të mbajë përgjegjësi, do t’i duhet të rilindë.

Shkenca gjithashtu, po provon rilindjen për shkak të kësaj krize. Të lënë gjatë pas dore, mjekët, epidemiologjistët, virologjistët, profesionistët, u shndërruan në yje, në të ndjekur, të degjuar, ashtu siç në fakt ka ndodhur pas çdo krize në pritje të agimit. Njësoj siç ka ndodhur me inxhinierët pas Luftës të Dytë Botërore. Njësoj siç ndodhi pas tërmetit të Nëntorit tek ne.

Kam përzierë edhe ndjesitë personale brenda këtyre të futurologjistit tim të parapëlqyer Matthias Horx, sepse kam gjetur atje ilustrimin e përjetimeve të mia dhe të shumë shokëve me të cilët kam folur këto kohë.

Unë kam shumë shprese tek bota që vjen. Do të jetë e kuptimtë. Vaniteti do venitet.
E shoh të ndriçuar, më të paqtë, të ekuilibruar, më të qytetëruar, më të kujdesshme dhe të ndjeshme. E pres me ngazëllim, për të shprehur ekzaktësisht atë që përjetoj.

Kam vetëm frikën se kur Korona të kurohet dhe të bëhet një virozë e zakonshme, njerëzit do ta harrojnë. Në të vërtetë, më shumë besoj se do ta nderojnë. Kamzhikun që u bë akseleratori më i madh i ndryshimit dhe evolucionit që bota jonë ka njohur.

Dëgjoj shpesh që thonë se do t’ia dalim. Po patjetër. Edhe sikur të rrimë duarkryq bile, sepse ky virus ashtu si edhe gjyshërit dhe stërgjyshërit e tij, mision ka të na përmirësojë dhe jo të na shuajë gjithë sa jemi mbi dhe.
Sfida jonë është të bëhemi aleatë me të dhe të ndryshojmë historinë duke riformatuar specien tonë. Jemi në rrugë të mbarë më duket. Përgjegjshmëria që po tregon shumica jonë absolute, pavarësisht se themelin më të thellë ka frikën, tregon se ne e kemi ruajtur aftësinë për të ndryshuar.

I vogël, kam adhuruar gjyshin tim që kish qenë partizan dhe kishte luftuar për vendin. I rritur kam menduar gjithmonë që pavarësisht njëqind të këqijave, kemi jetuar në shumë dimensione historike dhe kemi pasur shumë eksperienca që nuk besoj se mblidhen kollaj brenda një jete tokësore. Sot mendoj se jemi shumë me fat që po jetojmë këtë kohë.

Jam i bindur se në fund (apo fillim?) të kësaj historie ne do të rishpikim shoqërinë dhe politikën, do të rishpikim familjen, do të rishpikim miqësinë, do të rishpikim veten.