Nuk kam asnjë arsye të mos e besoj, se Kryeminstri ynë, kur udhëzon, ka mbrapa siç thotë ai vetë, këshillat e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë. Ndërkaq, referuar po atij vetë, asnjë nga vendet më të mëdha ku rrojnë edhe këta ekspertë, nuk ka ndonjë recetë dhe po qorrollisen në fatkeqësi nga Covid-19, ca më shumë se në vendet e varfra. Po e provon këtë tezë të thjeshtë edhe Italia, edhe Anglia, po edhe Amerika.
E gjithë kjo rrëmujë mendore, më kujton librin e njohur të Dikensit, “Oliver Tuist”, që e fillon atë, duke theksuar, se ai lindi shumë shëndetlig. Fati i Oliverit që rrojti, ishte se në atë moment, ai kishte pranë një plakë të mirë, që nuk shihte shumë nga sytë dhe jo një tufë infermieresh, sepse në këtë rast, ky libër nuk do të ishte shkruar kurrë – thotë Dikensi.
Gjithnjë më kujtohet ky pasazh i librit të gjeniut anglez, kur dëgjoj tufa doktorësh, statisticienësh, zyrtarësh, etj, etj, që flasin për lloj-lloj gjërash këto ditë, duke tmerruar njerëzinë. Një kakofoni zërash që të shpie te personazhet e librit gjeniut tjetër të letrave, Kadaresë: “Një vit i mbrapshtë”…
Jemi çmendur thua, apo po çmendemi dalë-ngadalë, nga një tmerr, ku përzihet propaganda dhe spekulimi që përhapen nga të tëra anët?
Për të kuptuar ca më thjesht, se përse bien këmbanat, shkrimin duhet ta lidhim me fjalën “pik”. Është e rëndësishme ta dimë, se atëherë, sëmundja do të bënte kërdinë e plotë. Kur vjen? Këtë javë, aty nga mesi i prillit, apo nga mesi majit, siç po lexoja pardje, një tjetër ekspert.
Po t’i besosh qeverisë, ketë javë dhe tjetrën, do të duhej të vinte. “Pacientin zero” nëse është i tillë, e kapëm më 8 mars. Meqë virusi zhvillohet nga 2 deri 14 ditë, i bie që të fillojë dhe piku. Kjo justifikon edhe strategjinë qeveritare për vetëkarantinimin, që të mos përhapim sëmundjen. Natyrisht, logjika duket normale, po është po aq normale, të thuash që një zot e di, kur ka qenë Pacienti zero në Shqipëri. Italianët që janë më të zotë se ne, e ku epidemija po bën kërdinë, nuk e dinë akoma, se kur ka qenë Pacienti zero tek ata…
Është mirë pra, të kuptojmë në formën më të thjeshtë, fjalën “pik” dhe kur krijohet ai, sesa të kërkojmë “pacientin zero”
Në logjikën elementare, kur vjen epidemia, “piku” krijohet kur një masë e madhe njerëzie mblidhen rreth njëri-tjetrit. Kur u krijua kjo masë kritike në Shqipëri?
Dhe fjalia e dytë është akoma më e thjeshtë. Kur kjo masë erdhi, a kishe në kurriz edhe shenjën e sëmundjes, që pastaj t’ua përhapte pjesës tjetër?
Këtu fillon për mua, arsyetimi real.
Në Shqipëri, shumica e njerëzisë që gjendet thuajse jashtë, mblidhet në festa tradicionale e në rastin tonë, në Krishtlindje, a Vitin e ri. Ata vijnë nga Italia, Gjermania, Greqia, etj. Në tre muajt e fundit, vetëm nga Italia, kishn ardhur mbi 120 mijë shqiptarë. A prunë gjë me vete, thua?
Po t’i besosh Drejtorit të farmakologjisë së Italisë, përgjigja është po. Ky vend ka qenë sipas tij, i infektuar që në dhjetor, bile edhe në nëntor, Kjo është normale, Lombardia në veri të Italisë, e lidhur me Kinën, si çdo qendër industriale e saj, e ka pasur mundësinë ta merrte këtë “dhuratë.”
Ajo që shihet me sy të parë, pra, është se piku i njerëzve, krijuar në Shqipëri, është në kohën e festave dhe ky pik, më pas pruri Covid. Kush nuk e beson këtë, besoj nuk i ka punët mirë, me logjikën elementare.
Po a reflektua gjëkundi, kjo ardhje e sëmundjes? Përgjigjen, normalisht ta japin shifrat, Dimë gjë, për to? Natyrisht, në pamjen e parë, jo. Kjo, sepse në janar, nuk kishim testime dhe ndiqnim si të tjerët, masakrën që zhvillohej në Kinë. Por, përgjigjen indirekte (unë besoj që është edhe direkte) e marrim nga kurba e mëposhtme. Është një e dhënë nga ISHP, andaj duhet besuar. Ndoshta duhen zgjeruar edhe ca më shumë shifrat e dhëna mbi të, sepse nuk besoj që ato të vijnë njëqind për qind në qendër, nga fshatrat e vendit.
Jep kurbën 1
Duket qartë, se ai që është quajtur te ne grip, është në shifra, më i madh se në vitin paraardhës dhe me simptoma shumë më të forta. Këtë e dinë më mirë qytetarët, që e provojnë gripin vit për vit, në këto sezone. Po a ishte grip, apo Covid? Unë besoj të dytën. Kjo nisur nga numri i njerëzisë ardhur nga Italia, ciklin 14-ditor të zhvillimit dhe pikun e tij. Që bie andej nga fundi i janarit e mesi i shkurtit.
Që kjo tablo të plotësohet shkencërisht ca më shumë, do parë numri i viktimave dhe mosha mesatare e tyre në këtë periudhë.
Kurba vjen e pakësohet në mars? Pse?
Sepse masa e madhe e njerëzisë, që vjen nga Italia, pasi pruri Covid, e çoi edhe njëherë andej nga e mori. Së dyti, shifrat pakësohen edhe nga karantinimi që urdhëroi qeveria, etj., etj.
Kurba e mëposhtme, ndërtuar tani nga ekspertët, tregon gjendjen aktuake që i ngjan asaj të Kinës, që po shërohet dhe jo asaj të Italisë. Kjo kurbë imponon, veç të tjerash, qeverinë, që të mos bjerë në skenarin Italian… Pra, të mos godiet nga piku.
Kurba 2
Po jo vetëm qeveria, por dhe të tërë ata që vijnë rotull saj dhe ekspertë, doktorë etj., etj., duhet të zënë e të kuptojnë më mirë besoj, ç’do të thotë fjala “pik”. Vetëm kështu, do të kontribuojnë realisht, për të qetësuar dhe jo çmendur njerëzinë.
Thelbi i arsyetimit, nisur nga sa u tha më sipër, është se Shqipëria e ka kaluar pikun. në periudhën janar- shkurt, si tregon edhe kurba e parë. Ajo që po shohim tani është rindezje e zjarreve aty këtu. Të provokuara nga ata që vijnë ende, apo nga ata që infektojnë njëri-tjetrin.
Shumë statisticienë, do zënë e do tallen me atë që shkruaj. Po ndërkaq, duhet të më shpegojnë më parë, se ç’do të thotë “pik” dhe kur krijohet ai. Ndryshe, do të më kujtojnë një histori, që i atribuohet një korrespodenti vullnetar të një gazete të Shqipërisë së dikurshme. I nisur nga kryeredaktori me shërbim diku, për të raportuar, ai për t’u quajtur modern përdori fjalën “pik”, që sapo ishte futur në modë. E dini, çfarë tha…
Në pikun e malit, aksionistë kanë nisur akoma më vrullshëm, punën e tyre…
Le ta përfundojmë arsyetimin. Qeveria ka bërë mirë me vetëkarantinimin, po do bënte ca më mirë, të kuptonte vërtet “pikun” real. Dhe në këtë pikë, më mirë, të përdorte analizën logjike, sesa idenë që e kishte kapur armikun e parë, më 8 mars.
Kjo shaka e hidhur, duhet të marrë fund. Ndryshe, do të hedhim në erë ekonominë e vendit, duke u qorrollisur në ca skena, që nuk u kanë lezet njerëzve seriozë.