MENU
klinika

Koronavirusi

Përdorni lente kontakti? Zëvendësojini menjëherë me syze

29.03.2020 - 12:58

Për të zvogëluar përhapjen e virusit pandemik që shkakton Covid-19, ekspertët sugjerojnë se është koha që të vendosni lentet e kontaktit në raft dhe të nxirrni syzet. Sipas Akademisë Amerikane të Oftalmologjisë, në këtë mënyrë, ju do të prekni më pak fytyrën me duar.

Pse lentet e kontaktit?

“Përdoruesit e lenteve të kontaktit jo vetëm që prekin sytë për t’i vënë dhe hequr ato dy herë ose më shumë në ditë, por gjithashtu prekin sytë dhe fytyrën shumë më tepër sesa njerëzit që mbajnë syze.”- tha Dr. Thomas Steinemann, zëdhënës klinik në Akademinë Amerikane të Oftalmologjisë.

“Pasi prekni sytë, ju mund të prekni një pjesë tjetër të trupit, mund të fusni gishtat në gojë, në hundë, pasi disa njerëz nuk janë shumë higjienikë dhe mund të harrojnë të lajnë duart.”- tha Steinemann, një okulist në Qendrën Mjekësore MetroHealth në Cleveland, Ohio.

Kjo është një mënyrë tjetër që të ndihmoni veten të qëndroni larg virusit edhe pse ai merret nga rrugët e frymëmarrjes.

A mund të infektoheni me Covid-19 nëse virusi hyn në sy?

“Teorikisht, është e mundur, por ne nuk kemi asnjë provë për këtë. Ajo që ka më shumë të ngjarë është se ky koronavirus i ri mund të shkaktojë konjunktivit, një gjendje tepër ngjitëse e njohur edhe si syri rozë. Konjunktiviti është një inflamacion i shtresës së hollë dhe transparente të indeve, të quajtur konjuktiva, që mbulon pjesën e bardhë të syrit dhe pjesën e brendshme të qepallës. Simptomat e tij janë kruajtje, djegie, vizion i paqartë, skuqje, rrjedhje e verdhë që mund të këpusë qerpikët, të cilët janë të ngjitur me njëri-tjetrin pasi zgjoheni. “- tha Steinemann.

Raportet nga Kina dhe mbarë bota tregojnë se rreth 1% deri në 3% të njerëzve me Covid-19, gjithashtu kishin konjuktivit.

Kjo është shqetësuese, sepse koronavirusi mund të përhapet duke prekur lëngun nga sytë e një personi të infektuar, ose nga objektet që personi ka prekur.

Kjo bëri që shumë organizata kombëtare të syrit, të ndalonin okulistët të vizitonin pacientë, përveç atyre që kanë nevojë për kujdes urgjent, siç janë dëmtimet në sy.

“Secili prej nesh ka një përgjegjësi shoqërore të mos funksionojë si një vektor i një sëmundjeje potencialisht fatale,”- tha akademia në njoftimin e saj. “Kjo është një krizë ekzistenciale. Ne si mjekë duhet t’i përgjigjemi kësaj dhe të mbështesim kolegët dhe komunitetet tona.”

Ekspertët theksojnë se jo çdo skuqje e syrit do të thotë se jeni të infektuar me Covid-19. Por nëse kjo shoqërohet me simptoma të tjera të virusit, atëherë duhet të telefononi urgjencën.