MENU
klinika

1945/ "Kosova t'i jepet Shqipërisë"

Plani sekret i Amerikës dhe krijimi i Shqipërisë Etnike

13.03.2020 - 17:41

Nga: Thanas Mustaqi

Plani sekret i Amerikës për krijimin e Shqipërisë Etnike daton qysh para 75 vjetësh, teksa kjo gjë mund të bëhej në bashkëpunim edhe me Anglinë e Bashkimin Sovjetik. Po botoj propozimet e gushtit 1945 të Uashingtonit për forcimin e Shqipërisë përballë Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë.

– Pa ndihmë në fushën e financave dhe rindërtimit ekonomik nuk mund të ketë stabilitet ekonomik në vend dhe pa stabilitet të tillë asnjë qeveri nuk mund të vazhdojë të qëndrojë gjatë në pushtet- Pavarësisht nga konsiderata të tjera tri fuqitë e mëdha duhet të merrnin masa të menjëhershme për rivendosjen e mjeteve postare, telegrafike dhe private financiare të zakonshme midis Shqipërisë dhe botës. Ky restaurim kishte rëndësi të madhe për SHBA-në për shkak të përqindjes së madhe të popullsisë, veçanërisht në Shqipërinë jugore, që kishin miq dhe të afërm në SHBA, me të cilët ata dëshirojnë të komunikojnë dhe nga të cilët ata kanë kaq shumë nevojë për dërgim parash dhe që ishin dikur mbështetja kryesore për shumë prej tyre.

– “Nuk rekomandohet që regjimit aktual t’i kërkohet të lejojë refugjatë shqiptarë jashtë vendit, politikë apo të tjerë, të kthehen në Shqipëri të pajisur me lejekalimi për të marrë pjesë në zgjedhje. Këta refugjatë përbëjnë një pakicë shumë të vogël të popullit shqiptar dhe, ndonëse mund të ketë disa patriotë të vërtetë mes tyre, ka më shumë persona që kanë bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë dhe që u arratisën për të shpëtuar kokën. Do të ishte e tepërt t’i kërkohej regjimit aktual të lejojë kthimin e tyre pa ekzaminim të kujdesshëm, për të cilin tri fuqitë e mëdha nuk kanë as kohë as mjete ta sigurojnë”
– Londra duhej të sqaronte politikën e saj reale ndaj krijimit të një Shqipërie të pavarur… A dëshironte me të vërtetë dhe a ishte e gatshme Anglia të mbështeste krijimin e një Shqipërie të pavarur… Amerika kishte dijeni mbi thëniet e zyrtarëve të caktuar britanikë që parapëlqenin ta shihnin vendin të copëtuar dhe jugun të bashkëngjitur Greqisë. Duheshin bindur Anglia dhe BS për të rënë dakord për një politikë të përcaktuar qartë, e cila duhej shpallur publikisht, duke konfirmuar se nuk do të ketë asnjë ndryshim në kufirin jugor të Shqipërisë në favor të Greqisë
– Para se të akordohej njohja e qeverisë së Enver Hoxhës, duhej bërë e ditur nëse rusët dhe Partia Komuniste Ruse, nëpërmjet grupit komunist në Shqipëri ose me mënyrë tjetër, do të hiqnin dorë nga ushtrimi i ndikimit të paligjshëm për t’u imponuar shqiptarëve një formë qeverisjeje që ata nuk e duan dhe një politikë të jashtme, që është e papranueshme për popullin

shqiperia-etnike-konica.al

– Autoritetet shqiptare në dukje kanë rënë dakord në heshtje me pozicionin e Jugosllavisë që të mos bëhet asnjë ndryshim në këtë kufi, por dihet mirë se kjo ka ndodhur për shkak të ndikimit që fraksioni i Titos ka pasur mbi regjimin aktual. Zgjidhja e jashtme e tanishme mbi këtë bazë nuk është zgjidhje reale pasi nuk është sistemuar asgjë
– Ishte kohë e papërshtatshme të tentohej arritja e marrëveshjes për krijimin e një federate ballkanike, pasi vazhdonin të ekzistonin shumë fërkime në Ballkan. Përveç problemeve shqiptaro-greke dhe shqiptaro-jugosllave, kishte dhe probleme jugosllave dhe greke, probleme të Ballkanit dhe kështu me radhë. Ndoshta, prandaj, do të ishte mirë për tri fuqitë e mëdha t’u sugjeronin Shqipërisë dhe Jugosllavisë, kjo e fundit i vetmi shtet tjetër i interesuar realisht për momentin, që kjo çështje të lihej mënjanë hë për hë pasi kishte më shumë probleme të ngutshme për autoritetet e secilit prej këtyre shteteve ballkanike për t’i marrë në konsideratë sesa problemi i një federate

Kosova t’i jepej Shqipërisë, kufiri me Greqinë të mos prekej, kurse Sazani nuk diskutohej. Kështu zgjidheshin tre problemet kufitare të vendit të vogël ballkanik. Këto probleme duheshin bërë objekt diskutimesh me Ministritë e Jashtme britanike dhe sovjetike në kohën kur po shqyrtohej çështja e njohjes së regjimit të Enver Hoxhës, shkruhet në një dokument konfidencial diplomatik amerikan të 15 gushtit 1945. Po hedh dritë mbi faktin e bujshëm se kreu i misionit civil fakt-mbledhës të Uashingtonit në Tiranë, Xhozef Xhejkobs, rekomandonte që Departamenti i Shtetit t’i bënte kërkesë kategorike Londrës për të sqaruar politikën e saj reale ndaj krijimit të një Shqipërie të pavarur, pasi kishte “dijeni mbi thëniet e zyrtarëve të caktuar britanikë që parapëlqejnë ta shohin vendin të copëtuar dhe jugun të bashkëngjitur Greqisë”. Kurse ishulli i Sazanit, jo vetëm që i merrej Italisë që e kishte pushtuar, por nuk duhej t’i jepej Greqisë, sikurse synonin anglezët. Po ashtu në atë kohë SHBA ishte kundër përfshirjes së Shqipërisë në një federatë ballkanike, për më tepër që në mes ishte Kosova, që i duhej dhënë Shqipërisë.

RAPORTI

Më 15 gusht 1945, shefi i misionit amerikan në Tiranë Xhozef Ërl Xhejkobs (Joseph Earle Jacobs, 1893-1971), i bënte të ditur Sekretarit të Shtetit se, për sa i përkiste telegramit të tij të 1 korrikut, i cili përmbante konkluzionet dhe rekomandimet paraprake të Misionit të Posaçëm në Tiranë lidhur me çështjen e njohjes së regjimit, që kontrollonte Shqipërinë, i paraqiste me këtë rast rekomandimet përfundimtare të këtij Misioni të Posaçëm me titullin: “Përmbledhje e konkluzioneve dhe rekomandimeve lidhur me njohjen e ‘Qeverisë Demokratike të Shqipërisë’”. Me këtë rast në shkresën përkatëse ishin bashkëngjitur ekstrakte nga “Përmbledhja e konkluzioneve dhe rekomandimeve lidhur me njohjen e “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”. Në telegramin e 1 korrikut 1945, Xhejkobsi dorëzoi një raport paraprak të konkluzioneve për faktet dhe disa rekomandime lidhur me çështjen e njohjes së “Qeverisë Demokratike të Shqipërisë”. Kurse “Raporti dokumentar me një përmbledhje plotësuese mbi përfundimet dhe rekomandimet në lidhje me njohjen e ‘Qeverisë Demokratike të Shqipërisë’” iu transmetua Departamentit amerikan të Shtetit në dërgesën me nr. 76 prot, 16 gusht 1945, nga Tirana. Është botuar i plotë në shqip në librin e historianit të njohur amerikan Bernd Fisher (Fischer) “Shqipëria 1943 -1945. Një vështrim përmes dokumenteve perëndimore”. Por në këtë libër nuk është përfshirë seksioni X (Rekomandime specifike) i “Përmbledhjes së konkluzioneve dhe rekomandimeve lidhur me njohjen e ‘Qeverisë Demokratike të Shqipërisë’”, që botohet i përkthyer në numrin e sotëm. Seksioni X është përfshirë në telegramin e mësipërm të Xhejkobsit.

shqiperia-etnike-konica.al

LONDRA TË RIKONFIRMOJË SHQIPËRINË E PAVARUR
Tërheq vëmendjen deklarimi i Xhejkobsit se, pa ndihmë në fushën e financave dhe rindërtimit ekonomik, “nuk mund të ketë stabilitet ekonomik në vend dhe pa stabilitet të tillë asnjë qeveri nuk mund të vazhdojë të qëndrojë gjatë në pushtet”. Në dokument ndihet një qëndrim i qartë proshqiptar i amerikanëve, madje, në të shihet dhe njëfarë nervozizmi për qëndrimet e Londrës: “Meqenëse britanikët mund ta shtrojnë për diskutim, nuk rekomandohet që regjimit aktual t’i kërkohet të lejojë refugjatë shqiptarë jashtë vendit, politikë apo të tjerë, të kthehen në Shqipëri të pajisur me lejekalimi për të marrë pjesë në zgjedhje. Këta refugjatë përbëjnë një pakicë shumë të vogël të popullit shqiptar dhe, ndonëse mund të ketë disa patriotë të vërtetë mes tyre, ka më shumë persona që kanë bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë dhe që u arratisën për të shpëtuar kokën. Do të ishte e tepërt t’i kërkohej regjimit aktual të lejojë kthimin e tyre pa ekzaminim të kujdesshëm, për të cilin tri fuqitë e mëdha nuk kanë as kohë as mjete ta sigurojnë… duhet t’i bëjmë një kërkesë kategorike Forin Ofisit [Ministria e Punëve të Jashtme] britanik për të sqaruar politikën e tij reale ndaj krijimit të një Shqipërie të pavarur si dhe politikën reale ndaj grupeve opozitare në Shqipëri dhe vende të tjera. Me fjalë të tjera, ne duhet të dimë nëse Forin Ofisi britanik me të vërtetë dëshiron dhe është i gatshëm të mbështesë krijimin e një Shqipërie të pavarur. Duhet ta bëjmë të qartë se kemi dijeni mbi thëniet e zyrtarëve të caktuar britanikë që parapëlqejnë ta shohin vendin të copëtuar dhe jugun të bashkëngjitur Greqisë”.

JO NDIKIMIT TË MOSKËS
Nga ana tjetër, Xhejkobsin e shqetëson ndërhyrja e Moskës në punët e brendshme të Shqipërisë: “I duhet bërë kërkesë Ministrisë sovjetike të Punëve të Jashtme lidhur me politikën e saj reale ndaj Shqipërisë dhe grupit komunist në Shqipëri. Kjo mund të jetë çështje delikate, por për të arritur një zgjidhje të kënaqshme të problemeve shqiptare SHBA, para se të akordohet njohja, duhet bëhet e ditur nëse rusët dhe Partia Komuniste Ruse, nëpërmjet grupit komunist në Shqipëri ose me mënyrë tjetër, do të heqin dorë nga ushtrimi i ndikimit të paligjshëm për t’u imponuar shqiptarëve një formë qeverisjeje që ata nuk e duan dhe një politikë të jashtme, që është e papranueshme për popullin”.

Dokumenti

1. Njohja
Regjimi i tanishëm duhet të njihet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik dhe njohja duhet akorduar në të njëjtën kohë sa më shpejt të jetë e mundur duke respektuar kushtet dhe kufizimet e mëposhtme:
Së pari, regjimi i njohur nga aleatët detyrohet të zhvillojë zgjedhje të përgjithshme në të cilat shqiptarët do të zgjedhin përfaqësues për një Asamble Kushtetuese, ku përfaqësuesit të zgjedhur në këtë mënyrë do të vendosin nëse ata dëshirojnë (a) të vazhdojë pa u prekur forma e tanishme e qeverisjes, (b) forma e tanishme e qeverisjes me ndryshime për të cilat do të vendosin ata, ose (c) ndonjë formë e re qeverisjeje për t’u krijuar nga Asambleja Kushtetuese e lartpërmendur, me kusht që në çdo rast nuk do të shpallet në ligjin organik të qeverisë së tanishme apo të një qeverie të re një Shpallje e të Drejtave të ngjashme me ato që përmbahen në një “Deklarata mbi të Drejtat e Qytetarëve” miratuar në Mbledhjen e Beratit në tetor 1944, por me sa duket meqenëse prej saj hoqi dorë regjimi i tanishëm.
Shënim: Lidhur me zgjedhjet e lartpërmendura, duhen bërë në mënyrë të pashmangshme dy propozime, d.m.th: ose zgjedhjet të zhvillohen me votim të fshehtë ose në përputhje me ligjet ekzistuese elektorale të regjimit të tanishëm për larmi zgjedhjesh duke i bashkuar me ato bashkiake. Duke pasur parasysh qëndrimin e njohur të britanikëve kundrejt regjimit, është pothuajse e sigurt se ata do të këmbëngulin për zgjedhje me votim të fshehtë. Besohet se do të ishte e pranueshme çfarëdolloj metode, por, meqenëse regjimi aktual do të kontrollojë gjithçka, do të ishte më e thjeshtë që zgjedhjet të bëhen në përputhje me ligjet ekzistuese elektorale. Gjithsesi, secila nga tri fuqitë e mëdha të paralajmërojë qartë se regjimi duhet të mundësojë që zgjedhjet të zhvillohen në atmosferë lirie të plotë dhe se do të lejohen të marrin pjesë në votime pa iu nënshtruar kërcënimeve apo frikësimeve gjatë ose pas zgjedhjeve çdo parti dhe të gjithë personat qofshin pro ose kundër qeverisë. Duke bërë këtë paralajmërim, duhet të deklarojnë gjithashtu se përfaqësuesit diplomatikë të tri fuqive të mëdha, të cilët do të jenë në vend, janë udhëzuar të vëzhgojnë jo vetëm të zgjedhjet, por edhe Asamblenë Kushtetuese që do të dalë pas tyre. Besohet se këto masa mbrojtëse do të ishin mjaft të arsyeshme.

Meqenëse britanikët mund ta shtrojnë për diskutim, nuk rekomandohet që regjimit aktual t’i kërkohet të lejojë refugjatë shqiptarë jashtë vendit, politikë apo të tjerë, të kthehen në Shqipëri të pajisur me lejekalimi për të marrë pjesë në zgjedhje. Këta refugjatë përbëjnë një pakicë shumë të vogël të popullit shqiptar dhe, ndonëse mund të ketë disa patriotë të vërtetë mes tyre, ka më shumë persona që kanë bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe gjermanë dhe që u arratisën për të shpëtuar kokën. Do të ishte e tepërt t’i kërkohej regjimit aktual të lejojë kthimin e tyre pa ekzaminim të kujdesshëm, për të cilin tri fuqitë e mëdha nuk kanë as kohë as mjete ta sigurojnë. Megjithatë, mund të jenë disa ish-udhëheqës shqiptarë që me sa duket britanikët i favorizojnë, të tillë si Mehmed Konica, ish-ministër shqiptar në Londër, të cilët regjimi aktual mund t’i lejojë të vijnë në atdhe duke mos i keqtrajtuar.

Së dyti, duhet të bëhet një shkëmbim notash ku autoritetet shqiptare do të merrnin përsipër, në pritje të negociatave të traktateve, t’u garantonin përfaqësive diplomatike konsullore të tri fuqive të mëdha, të drejtat dhe privilegjet diplomatike që janë rëndom në të drejtën publike ndërkombëtare. Duke pasur parasysh situatën e veçantë që ekziston në Shqipëri, disa prej këtyre të drejtave të përmendura në Seksionin VI mbi Marrëdhëniet Ndërkombëtare duhet të shënohen konkretisht në mënyrë që të mos ketë kurrfarë dyshimesh për to. Përveç kësaj, duhet parashikuar qartë në shkëmbimin e notave që përfaqësitë diplomatikë, përfshirë personelin e tyre, të kenë të drejtë të udhëtojnë lirisht në të gjithë vendin të pashoqëruar nga policë apo roja të qeverisë.

2. Ndihma për t’u dhënë
Në diskutimin me autoritetet britanike dhe sovjetike për çështjen e njohjes, është e rekomandueshme të shqyrtohet tema e ndihmës, të përbashkët ose veç e veç, që ato do t’i japin qeverisë së re veçanërisht në fushën e financave dhe rindërtimit ekonomik. Pa një ndihmë të tillë nuk mund të ketë stabilitet ekonomik në vend dhe pa stabilitet të tillë asnjë qeveri nuk mund të vazhdojë të qëndrojë gjatë në pushtet (without such stability no government can continue long in power). Për rrjedhojë në dhënien e kësaj ndihme, duhet shfrytëzuar mundësia për të këmbëngulur që, si kompensim (quid pro quo), regjimi të zvogëlojë madhësinë e ushtrisë së tij në përpjesëtim me burimet dhe popullsinë. Kjo pikë e fundit është shumë e rëndësishme për shkak se buxheti i këtij viti, që u bë publik vetëm më 28 korrik 1945, tregon se pak mbi 5000 milionë franga nga të ardhurat janë parashikuar të jepen për mbrojtjen (a little over half of the one billion franc estimated revenue is to be devoted to the Army).

Gjithashtu mund të bihet dakord midis tri fuqive të mëdha që kjo temë t’u paraqitet përfaqësive të tyre diplomatikë në Shqipëri për studim të përbashkët apo raporte të përbashkëta ose të veçanta siç mund ta kërkojë situata. Ky studim duhet të fillojë, megjithatë, sa më shpejt të jetë e mundur pasi të akordohet njohja e qeverisë dhe përfaqësuesit diplomatikë të mbërrijnë në Tiranë. Siç u tha më lart UNRRA mund të jetë në gjendje të kujdeset për nevoja emergjente në pritje të një vendimi mbi një program me diapazon disi më të gjerë.
Lidhur me ndihmën financiare dhe ekonomike të përmendur më lart, rekomandohet gjithashtu se pavarësisht nga konsiderata të tjera tri fuqitë e mëdha duhet të marrin masa të menjëhershme për rivendosjen e mjeteve postare, telegrafike dhe private financiare të zakonshme midis Shqipërisë dhe botës. Ky restaurim ka rëndësi të madhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të përqindjes së madhe të popullsisë, veçanërisht në Shqipërinë jugore, që kanë miq dhe të afërm në SHBA, me të cilët ata dëshirojnë të komunikojnë dhe nga të cilët ata kanë kaq shumë nevojë për dërgim parash dhe që ishin dikur mbështetja kryesore për shumë prej tyre.

3. Marrëdhëniet anglo-sovjetiko-shqiptare
Rekomandohet që Departamenti amerikan i Shtetit të diskutojë me Forin Ofisin britanik dhe Ministrinë sovjetike të Punë të Jashtme për qëndrimin real dhe politikën e tyre ndaj Shqipërisë. Këto diskutime duhen bërë patjetër para se të merret një vendim lidhur me çështjen e njohjes së regjimit, meqenëse rezultatet e këtyre hetimeve mund të ndryshojnë tërë karakterin e rekomandimeve.
Së pari, duhet t’i bëjmë një kërkesë kategorike Forin Ofisit britanik për të sqaruar politikën e tij reale ndaj krijimit të një Shqipërie të pavarur si dhe politikën reale ndaj grupeve opozitare në Shqipëri dhe vende të tjera. Me fjalë të tjera, ne duhet të dimë nëse Forin Ofisi britanik me të vërtetë dëshiron dhe është i gatshëm të mbështesë krijimin e një Shqipërie të pavarur. Duhet ta bëjmë të qartë se kemi dijeni mbi thëniet e zyrtarëve të caktuar britanikë që parapëlqejnë ta shohin vendin të copëtuar dhe jugun të bashkëngjitur Greqisë (we know of utterances of certain British officials who prefer to see the country divided up and the southern part added to Greece). Nëse Forin Ofisi ende mbështet deklaratën e Entoni Idenit (Anthony Eden) për një Shqipëri e pavarur, duhet riafirmuar deklarata dhe politika britanike të orientohet në bazë të saj.

shqiperia-etnike-konica.al

Së dyti, i duhet bërë kërkesë Ministrisë sovjetike të Punëve të Jashtme lidhur me politikën e saj reale ndaj Shqipërisë dhe grupit komunist në Shqipëri. Kjo mund të jetë çështje delikate, por për të arritur një zgjidhje të kënaqshme të problemeve shqiptare SHBA, para se të akordohet njohja, duhet bëhet e ditur nëse rusët dhe Partia Komuniste Ruse, nëpërmjet grupit komunist në Shqipëri ose me mënyrë tjetër, do të heqin dorë nga ushtrimi i ndikimit të paligjshëm për t’u imponuar shqiptarëve një formë qeverisjeje që ata nuk e duan dhe një politikë të jashtme, që është e papranueshme për popullin. Me fjalë të tjera, ne duhet të presim që qeveria sovjetike të veprojë në përputhje me deklaratën e saj në Jaltë sipas së cilës shqiptarët kanë të drejtën të zgjedhin lirisht dhe pa detyrim nga brenda ose nga jashtë formën e qeverisjes me të cilën ata dëshirojnë të jetojnë.

4. Problemet kufitare
Shqipëria ka tre probleme kufitare, një me Greqinë (më urgjenti), një me Jugosllavinë, dhe një me Italinë, probleme që duhen bërë objekti i diskutimeve me Ministritë e Jashtme britanike dhe sovjetike në kohën kur po shqyrtohet çështja e njohjes.
Së pari, lidhur me Greqinë, duhet të përpiqemi të bindim të dy Ministritë e Jashtme për të rënë dakord për një politikë të përcaktuar qartë, e cila duhet shpallur publikisht, duke konfirmuar se nuk do të ketë asnjë ndryshim në kufirin jugor të Shqipërisë në favor të Greqisë deri sa të vijë koha të krijohet kështu organizata ndërkombëtare, ku pretendimet greke mund të shqyrtohen në një atmosferë të qetë dhe paqësore dhe të vendoset pasi të vlerësohen pretendimet. Nëse të tre qeveritë dëshirojnë të marrin vendim për një politikë më pozitive, mund të bien dakord mes tyre për t’u sugjeruar qeverive shqiptare dhe greke caktimin e një komisioni të përbërë nga një anëtar për secilën nga të tre fuqitë e mëdha (ndoshta përfaqësitë diplomatike të tre fuqive në Tiranë) bashkë me përfaqësues grek dhe shqiptar, për të kaluar në kufi dhe për të vendosur mbi rregullime të tilla të vogla, sidoqoftë të nevojshme, në mënyrë që kufiri të jetë sa më shumë në përputhje me relievin natyror, me rezervën që sapo të fiksohen kufijtë, pakicat nga të dy anët e kufirit për këtë arsye do të largohen drejt vendit të tyre vetëm nëse e dëshirojnë apo jo këtë gjë.

Së dyti, diskutim disi i ngjashëm duhet bërë dhe për kufirin midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë në rajonin e Kosovës. Sikurse është treguar në seksionin përkatës të këtij raporti mbi marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, në zonën e Kosovës të Jugosllavisë ka përafërsisht pesëqind mijë shqiptarë. Autoritetet shqiptare në dukje kanë rënë dakord në heshtje me pozicionin e Jugosllavisë që të mos bëhet asnjë ndryshim në këtë kufi, por dihet mirë se kjo ka ndodhur për shkak të ndikimit që fraksioni i Titos ka pasur mbi regjimin aktual. Zgjidhja e jashtme e tanishme mbi këtë bazë nuk është zgjidhje reale pasi nuk është sistemuar asgjë.

Edhe pse ky problem nuk është urgjent në kuadër të pranimit të status quo-s aktuale të regjimit të tanishëm, është shumë e dëshirueshme që kjo çështje të diskutohet me Ministritë e Jashtme britanike dhe sovjetike dhe ndoshta një marrëveshje e arritur që një komision, ndoshta i njëjti komision, i cili do të studionte problemin kufitar grek, duhet të studiojë këtë problem me qëllimin për të bërë rekomandime në linjën e një rregullimi të ngjashëm me rregullimin e propozuar për kufirin shqiptaro-grek, me përjashtim, sigurisht, që një territor i madh në rajonin e Kosovës do t’i jepej Shqipërisë (a larger territory in the Kosovo region would be ceded to Albania) për pasojë edhe popullatat do të transferoheshin. Është gjithashtu e qartë se lidhur me këtë çështje do të kishte rëndësi të madhe bashkëpunimi dhe pjesëmarrja e autoriteteve jugosllave.

Së treti, duhet të arrihet një marrëveshje përfundimtare që ishulli i Sazanit që ndodhet përballë hyrjes së portit të Vlorës dhe i pushtuar nga Italia në vitin 1920 duhet t’i kthehet Shqipërisë. Është kaq e qartë që Sazani i takon Shqipërisë, saqë nuk përmendet në vend tjetër në këtë raport dhe nuk do të ishte përmendur fare, po të mos dilte në pah fakti se vetëm kohët e fundit Sazani ishte objekt hetimi nga AFHQ-ja [Allied Force Headquarters – Komanda e Forcave Aleate të Mesdheut], në Kazerta [Itali]. Prandaj dhe rekomandimi i shkurtër është e vetmja gjë logjike për t’u bërë.

6. Federata ballkanike
Mbetet për t’u diskutuar si temë e mundshme finale çështja e bashkimit të Shqipërisë në një federatë ballkanike.
Besohet se qëndron ideja e një federate ballkanike të përbashkët, në rast se kushtet e marrëveshjes për federatën miratohen nga shtetet e Ballkanit si palë të interesuara, pas një konference të ndërsjellë miqësore të përfaqësuesve të tyre që do të vepronin dhe do të skiconin në vija të trasha, por të pandikuara nga fuqi të huaja. Me fjalë të tjera, tri fuqitë e mëdha, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Bashkimi Sovjetik, si dhe Franca, që gjithashtu do të ndikojë në çështjet evropiane, duhet të qëndrojnë absolutisht larg dhe të lejojnë shtetet e Ballkanit të marrin vetë vendim në këtë aspekt.

Megjithatë, besohet se tani nuk është kohë e përshtatshme të bëhen orvatje për arritjen e një marrëveshjeje për krijim federate pasi duket sheshit se vazhdojnë të ekzistojnë shumë fërkime në Ballkan që të arrihet çfarëdolloj marrëveshjeje e tillë. Përveç problemeve shqiptaro-greke dhe shqiptaro-jugosllave, ka dhe probleme jugosllave dhe greke, probleme të Ballkanit dhe kështu me radhë. Ndoshta, prandaj, do të ishte mirë për tri fuqitë e mëdha t’u sugjeronin Shqipërisë dhe Jugosllavisë, kjo e fundit i vetmi shtet tjetër i interesuar realisht për momentin, që kjo çështje të lihej mënjanë tani për tani pasi ka më shumë probleme të ngutshme për autoritetet e secilit prej këtyre shteteve ballkanike për t’i marrë në konsideratë sesa problemi i një federate. Në kohën e duhur, gjithsesi, duhet të shqyrtohet ideja.