Interpretimi i ligjshmërisë së vendimeve të Qeverisë dhe thirrja që qytetarët të mos i zbatojnë vendimet e saj e kanë shtyrë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike që të ushtrojë kallëzim penal kundër presidentit Hashim Thaçi.
“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundërkushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundërkkushtetues të Qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, ka deklaruar presidenti Thaçi ditën kur Qeveria Kurti ka marrë vendim për masat e kufizimit të lëvizjes së qytetarëve për shkak të pandemisë COVID-19, raporton KOHA.
Për këtë deklaratë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike ka dorëzuar kallëzimin penal kundër presidentit.
“Presidenti përmes deklarimeve të tij dhe thirrjeve për mosrespektim të vendimit të Qeverisë në datën 23 mars 2020, përveçqë ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të ‘kontribuojë’ në shpërndarjen më të madhe të virusit COVID-19, si rezultat i qytetarëve që nuk do të respektonin vendimin e Qeverisë – sipas rekomandimeve të presidentit”, thuhet në komunikatën e MPBAP-së.
Ky institucion ka prezantuar bazën ligjore, përmes së cilës Thaçi, sipas tyre, duhet të ndiqet penalisht.
“Në lidhje me këtë, dhe marrë parasysh se ne jemi të dedikuar t’i respektojmë organet e drejtësisë dhe të krijojmë një shtet ku sistemet janë me të vërtetë të ndara, z. Sveçla dorëzoi Kallëzimin Penal kundër Presidentit, duke ngritur dyshimin e bazuar se Presidenti ka kryer veprën penale ‘Thirrje për rezistencë’, të paraparë në Nenin 403 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.