MENU
klinika

Rama sërish thirrje qytetarëve

“80% s’do ta ndiejnë por një pjesë do të luftojë me jetën”

23.03.2020 - 15:18

Në një intervistë ekskluzive me “Skype” për“News24”, kryeministri Edi Rama tha se kjo është java vendimtare dhe më e vështira e përhapjes së koronavirusit në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë karantinim një ‘luftë në kolltuk’ dhe tha qartë se nëse nuk duam të numërojmë qindra e mijëra viktima, sepse kjo sipas tij është shumë e mundur të ndodhë, duhet të qendrojmë në shtëpi.

“Ka një model statistikor që është ndërtuar bazuar në trajektoren e vendeve pas 20 vendeve të para. nëse shohim atë, ne jemi shumë më mirë se disa vende të tjera se i kemi marrë masat shpejt dhe po i respektojmë ato, duhet ta themi këtë.

Ka një lloj alarmi por është pak i ekzagjëruar, janë minimale shkeljet me atë që po bën shumica dërrmuese e popullsisë. Një rast në një treg apo treg tjetër, apo ecje në rrugë dorë për dore duhet të eleminohen ama ne po bëjmë një gjë fantastike tani dhe nëse nuk duam të numërojmë qindra e qindra të vdekur, mos o zot mijëra se kjo është e mundur të ndodhë nëse ne nuk bëjmë secili luftën e vet. Humbjet e njerëzve janë humbje, dhe një është humbje por duke qenë të vetëdijshëm nuk i shmangim dot por duhet të jemi të fokusuar që këto humbje të jenë minimumi i mundhsëm. Luftë në kolltuk dreqi e mori, rri mos lëviz nga kolltuku. Tani kjo nuk është ndonjë sakrificë e jashtëzakonshme, dikush thoshte heroizëm; Ca heroizmi se po rri në shtëpi? Kjo është detyrë themelorë”, u shpreh shefi i qeverisë.

I pyetur se çfarë e shqetëson këto orët e fundit, Rama tha:

Nuk ka asnjë befasi, surprizë, sekret, që situate do të shkojë duke u rënduar, pasi e dimë shumë mirë, bazuar nga vendet e tjera. E kemi prezantuar disa herë atë kurbën e famshme, që është dicka që na bashkon me të gjitha eksperiencat e realitetet e tjera, që tregon se ka ende njerëz që s’e kanë kuptuar. Virusi do të përhapet, do të prekë shumicën prej nesh, por masat shtrënguese ngadalësojnë përhapjen e tij dhe I japin mundësi sistemit shëndetësorë të kurojnë ata që preken më rëndë.

Ne e dimë që 80% as do ta ndjejnë fare, por 20% i 20% të mbetur do të luftojnë me vdekjen. Që këta të marrin shërbimin e duhur, duhet që ne të tjerët të rrimë sa më shumë mbyllur në shtëpi dhe të zbatojmë rregullat e thjeshta, sepse nuk kemi asnjë armë tjetër. Java që kemi hyrë është e parashikuar, nuk kemi hedhur fall, bazuar mbi modelin statistikor të përbotshëm. Është javë vendimtare për të mos lejuar që shifrat të shkojnë në stratosferë.