Një djalë në Itali fshehu simptomat e koronavirusit vetëm që operacioni i tij plastik në hundë të mos shtyhej. Ai ishte i infektuar me koronavirus dhe nuk i kishte treguar asgjë ekipit të mjekëve në spitalin ‘Parini’ në Aosta në veri të Italisë. I infektuari kishte hyrë në sallën e operacionit dhe ka qenë mjeku anestezist që vuri re një ngritje të temperaturës së pacientit. Më pas ai u nxor nga salla e operacionit dhe iu bë tamponi i COVID-19, i cili rezultoi pozitiv.
Por fatkeqësisht ai kishte infektuar mjekun anestezist, kirurgun dhe një infermiere. Sipas ‘La Repubblica Torino’, prokuroria e Aosta-s ka hapur zyrtarisht një dosje për të riun, i cili rrezikon deri në 12 vjet burg.
“Pacienti duhej të kryente një rinosettoplastica, një operacion estetik në hundë, i cili edhe mund të priste nuk ishte rast urgjent për t’u bërë, mund të shtyhej”- ka thënë mjeku kirurg për mediat italiane.
Javët e fundit, personi i infektuar kishte rënë në kontakt me shumë turistë që kishin ardhur nga Lombardia në zonën turistike të ‘Valle d’Aosta’ nga ku dhe mund ta ketë marrë COVID-19.