“Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë (Albania 6, 1905).”
Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, fshat shqiptar tani në Greqi dhe vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Uashington. Rrjedh nga një familje e vjetër feudale, dera e Zenelbejve të Konicës, kurse e ëma vinte nga dera e bejlerëve të Delvinës. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër në Kolegjin Saverian, Mbas dy vjetësh ai la Shkodrën dhe shkoi për të vijuar studimet në shkollën e Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu më 1890-ën, kur ishte 15 vjeç. Në këtë shkollë ai u njoh me djaloshin tiranas Murat bej Toptanin, me të cilin e lidhën bindjet atdhetare. Studimet e plota i kreu në Francë.
Ishte pinjoll i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste një frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris. Ku u konvertua në besimin e krishterë katolik me emrin Faik Domenik Konica. Kjo ngjarje ndodhi në verën e vitit 1895, kur ai sapo kishte mbaruar studimet e larta në Dizhon të Francës për Gjuhësi Romane dhe Filozofi. Pagëzimin e Faik Konicës me emrin Domenik e dëshmojnë edhe disa letra të viteve 1895-‘97 dërguar shqiptarëve të Bukureshtit, ku ai ka firmosur me emrin e ri Faik Domenik Konica. Këto letra ruhen edhe sot në dosjen e tij në Arkivin Qendror të Shtetit shqiptar.
Pas vitit 1895, ai nuk e mohoi kurrë faktin se ishte konvertuar në i krishterë, edhe pse emrin Domenik nuk e përdori në shkrimet e tij. Si 21-vjeçar nxori numrin e parë të revistës “Albania”, ndër revistat më të mira shqiptare, që u botua deri më 1909 në Bruksel e Londër, me ndihmën e Austro-Hungarisë, e cila nxiste lëvizjen kombëtare shqiptare për të penguar shtrirjen e sllavëve në Ballkan. Në rikrishterizimin e shqiptarëve myslimanë ky rilindës shihte një nga faktorët kryesorë për forcimin e unitetit kombëtar të kombit tonë. Pas pagëzimit, Faiku i propozoi mikut të tij të ngushtë, Murat bej Toptanit, të pagëzohej edhe ai e të dy së bashku të nxisnin miq e shokë të tjerë për t’u pagëzuar dhe ata. Mirëpo Murati iu përgjigj se nuk mund ta bënte një hap të tillë, pasi vëllezërit Frashëri, te të cilët ai ishte dhëndër, do ta dëbonin nga shtëpia. Murati pra i dha të kuptonte Faikut se pagëzimi në të krishterë i shqiptarëve myslimanë që jetonin brenda Perandorisë Osmane, ishte një veprim që nuk mund të kryhej, prandaj ky nuk nguli më këmbë për këtë problem. Djaloshi tiranas pati të drejtë, atmosfera shoqërore dhe ajo fetare në trojet shqiptare të perandorisë nuk mund ta lejonte një kapërcim aq të madh në ndërgjegjen e shqiptarëve myslimanë, të cilët kishin disa breza ose shekuj që jetonin si myslimanë. Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta. Faik Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare.
***
FAIK KONICA:
Gjuha është një tregues i sigurt i gjendjes qytetëruese të një populli… sa më shumë përgjithësohen tek një popull mirësjellja, takti dhe ai qëndrim i përmbajtur për të respektuar rregullat e vendosura në një shoqëri të zhvilluar, aq më shumë pasthirrmat priren drejt zhdukjes. Si të tilla, tek formonin fjalorin e njeriut të egër primitiv, teksa i shohim në përdorim aq të dendur midis popullatave të Afrikës moderne, teksa ende çmohen në letërsinë e racave të ngrohta dhe komunikuese të Jugut, pasthirrmat nuk janë më veç një kujtim disi qesharak ndër shkrimtarët gjithë elegancë të shumicës së vendeve të Veriut. (Ese për gjuhët artificiale).
Qartësia apo paqartësia, saktësia apo pasaktësia e ideve dhe e mendimeve, qëndrimi ndaj veprimeve të jetës varen shpesh nga metoda e mirë apo e keqe e të menduarit, ose thjesht, nga mungesa e çdo lloj metode. Edukimi, me një fjalë, s’është gjë tjetër veçse si t’i mësohet fëmijës të veprojë në jetë vetëm pasi të mendojë, të mendojë vetëm pasi të arsyetojë dhe të arsyetojë vetëm metodikisht dhe nëpërmjet një metode të mirë, domethënë shkencore. (Ese për edukimin).
Një nga detyrat më të vështira të edukimit ka të bëjë me atë që unë do ta quaja pa frikë kundër-trashëgimia. Ashtu sikurse ka kundërhelme, ka në fakt edhe një trajtim psikik për të zbutur apo zhdukur – sipas shkallës së qëndresës që shfaqin– të metat, pasionet apo veset e trashëguara. (Ese për edukimin)\
Turqit janë një popull oriental e teokratik, nomadë dhe pushtues. Brenda këtij karakteri të katërfishtë ndodhet çelësi i krejt historisë së tyre (Albania 4, 1906).
Shumica e atyre që kanë marrë mbi vete misionin modest “të ndriçojnë opinionin publik” as që kanë ndjesinë më elementare ta nisin fillimisht nga vetvetja për t’u mirinformuar. Venë e vënë në përdorim mënyra hulumtimi të cilat, sikur të zbatoheshin në çdo shkencë, do bënin për të qeshur edhe një nxënës shkolle (Albania 6, 1905).
Botëkuptimi i një patrioti të vërtetë : të ngjallësh tek kombit tënd – me shijen e mendimit intelektual dhe me ndjenjë të fuqishme dinjiteti kombëtar – dëshirën e zjarrtë për përparimin e shoqërisë në kuptimin e plotë të fjalës. Ksenofobia, as që ishte pjesë e natyrës së patriotit. Ashpërsia dhe poshtërsia s’kanë si të jenë detyra patriotike. E megjithatë, gjithkush është i lirë të dojë a të urrejë, ose thjesht të jetë moskokëçarës (Albania 1, 1905).
Ka pasur në çdo kohë, dhe përherë do ketë individë të gatshëm për të folur e shkruar lidhur me çështje për të cilat nuk ia kanë haberin të shprehin as fjalën e parë. Por për mendjet e matura, të etura për të studiuar seriozisht një vend e një popull, nuk ka dhe nuk do të ketë veçse dy metoda në përdorim, jashtë së cilave gjithçka tjetër nuk është veçse mashtrim: metoda e parë ka të bëjë me ndërmarrjen e udhëtimeve për të bërë anketime të hollësishme e sistematike drejtpërdrejt në vend; e dyta, me leximin sa më shumë që të jetë e mundur të broshurave e librave të lidhura me çështjen konkrete, me qëllim që të arrihet nëpërmjet induksionit – përmes një morie dokumentesh, faktesh dhe pohimesh kontradiktore – të veçohet e vërteta dhe të koordinohet një tërësi pikëpamjesh të qarta e objektive (Albania 6, 1905).