Fundjava futbollistike ishte shumë pozitive për legjinarët kuqezi që luajnë në Europë. Sot ka vijuar me një kryevepër të Ylber Ramadanit. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare tregohet gjithnjë e më shumë lideri i skuadrës së Vejle në kategorinë e dytë daneze dhe me golin e tij ka ndihmuar ekipin që të nisë arratinë drejt kthimit në elitë.
Në sfidën e sotme në shtëpi përballë Koge, e para për vitin 2020, gjithçka u zgjidh nga Ramadani në minutën e 60-të të sfidës. Tani Vejle ka 6 pikë diferencë nga Fredericia e vendit të dytë dhe 7 nga Viborg i vendit të tretë.
Bekim Balaj ka gjetur rrugën e rrjetës për herë të 6-të në këtë sezon në Austri, duke ndihmuar ekipin e Sturm Graz të merrte një barazim të rëndësishëm para fillimit të pjesës vendimtare të sezonit ku ekipet në kampionat ndahen në grupet që luftojnë për titull e për mbijetesën.
Balaj e ka nisur edhe ndeshjen e sotme si zëvendësues, pasi nuk po luan si titullar në radhët e skuadrës së tij, por me rezultatin 1-0 për miqtë e Austria Vjenës, trajneri i i Sturm vendosi t’i jepte hapësirë edhe sulmuesit shqiptar në minutën e 73-të të sfidës.
Endri Çekiçi vazhdon të lërë shenjë në radhët e skuadrës së Olimpija Ljubljanës. Sulmuesi shqiptar ka tundur përsëri rrjetën, në një transfertë mjaft të komplikuar për skuadrën e tij, e cila falë këtij goli arriti të mbronte vendin e parë në renditje.
Ky ishte goli i 8 sezonal në kampionat për Çekiçin, duke kaluar kështu vitin e tij më të mirë në kampionat sa i përket golave të realizuar. Një vit më parë, me 1 gol të shënuar me Dinamo Zagreb 2 dhe 6 të Olimpija Ljubljana, Çekiçi kishte regjistruar edicionin më të mirë të tij.
Edhe Odise Roshi e ka filluar mjaft mirë pjesën e dytë të sezonit në Rusi, pasi në ndeshjen e parë zyrtare për vitin 2020, ka arritur të tundë rrjetën me ekipin e Akhmat Grozni. Ekipi i tij përballej me FK Rostov të vendit të dytë, por ka bërë një paraqitje të mirë dhe ia ka dalë të marrë pikë, fale edhe meritës së mesfushorit të përfaqësueses shqiptare.
Pas avantazhit të miqve në fundin e pjesës së parë, ka qenë Roshi ai që ka vendosur barazpeshën në shifra në fillimin e pjesës së dytë. Mesfushori shqiptar realizoi golin e barazimit me një penallti në minutën e 49-të.
Ndërsa Armando Broja vazhdon të shënojë rregullisht me klubin e Chelsea. Në ndeshjen mes londinezëve U-18 dhe Milëall U-18, në minutën e 62-të, Broja gjeti rrugën e rrjetës, teksa kontrolloi bukur sferën brenda zonës dhe më pas nuk e pati të vështirë për të realizuar përballë portierit kundërshtar.
Ndërkohë, më parë, Brojës i ishte anuluar edhe një gol spektakolar me kthesë. Ky ishte një gol vendimtar për futbollistin e Shpresave, pasi i dhuroi Chelsea biletën për në gjysmëfinalen e FA Cup për të rinjtë.