61-vjeçari nga Tirana i infektuar me COVID 19 që Ministria e Shëndetësisë e vdiq dhe e ngjalli brenda pak minutash mësohet se është një ish-boksier dhe trajner boksi.
Në njoftimin e dytë që hodhi poshtë të parin,Ministria e Shëndetësisë thotë se [pacienti 61-vjeçar i raportuar nga spitali Infektiv ka pësuar vdekje klinike dhe mjekët po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për ta kthyer në jetë.
Megjithatë, thotë Ministria, gjendja mbetet tepër e rëndë. 61-vjeçari nga Tirana është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) dhe mësohet se ka edhe sëmundje bashkëshoqëruese.
Në 24 orët e fundit në vendin tonë u shënuan 2 të vdekur me COVID 19, duke e çuar në katër numrin e viktimave. Ndërkohë zyrtarisht janë 89 persona të infektuar, ndërsa katër raste të reja të dyshuara në Vlorë pritet të konfirmohen nga Ministria e Shëndetësisë.