MENU
klinika

"The Guardian" in Memoriam

Ulay, njeriu dhe artisti par excellence

04.03.2020 - 12:46

      Kritiku i artit Noah Charney, shkruan për pionierin e artit performues, Ulay. Shkrimin e tij, Telegrafi e sjell të plotë, si më poshtë:

Për herë të parë e takova Ulay-n gjatë një darke të shtruar nga ylli më i madh i rokut slloven. Gruaja e muzikantit përgatiti peshk të pjekur me kripë dhe, teksa kërciste korja, ndjeva një teptisje teksa përmes avullit e shikoja Ulay-n, njeriun që e kisha studiuar në orët e historisë së artit, e tani rrinte ulur në anën tjetër të tavolinës

Ulay – i lindur si Frank Uwe Laysiepen – ishte i njohur; ishte fotograf me shumë ndikim dhe artist i madh i performancës. Do të vajtohet nga bota e artit si një nga më të mëdhenjtë e epokës postmoderne. Por, mua do të më mungojë si mik i mrekullueshëm e i sjellshëm, që ka qenë edhe artist gjenial.

Njëjtë si unë, Ulay u martua me një grua sllovene dhe u vendos në Lubjanë, në anën me diell të Alpeve. Ishte një nga artistët e paktë të gjallë, i nderuar në shumë parathënie të librave të historisë së artit. Mund ta gjeni atë në kapitullin e fundit, pasi të keni kërkuar për Lysippus-in dhe Giotto-n, Donatello-n dhe Michelangelo-n, Ingres-in dhe Picasso-n. Atje është, zakonisht i ndërlidhur me partneren e tij afatgjatë – romantike dhe artistike – Marina Abramoviç.

Në fund të viteve 1970-80, puna e tyre si duo ishte bazike për rrjedhën e artit të performancës (megjithëse Ulay gjithmonë preferonte fjalën gjermane, aktion). Megjithatë, ishin artistë të shkëlqyer edhe në karrierat e tyre individuale. Ulay nisi si fotograf, si një nga përfaqësuesit e paktë zyrtarë të Polaroid-it në vitet 1960 – edhe pse po bëhej më i famshëm me artin e performancës, sidomos me të paharrueshmen e vitit 1976, “There Is a Criminal Touch to Art” (Ka një prekje kriminale në art), ku vodhi me sukses pikturën preferuar të Hitlerit nga një muze i Berlinit dhe e vari në murin e një familjeje të varfër emigrante turke. Pastaj thirri autoritetet që të vijnë e ta marrin atë. Kjo ishte vjedhje arti si vepër arti.

Karriera e tij e pavarur merrej me shkrirjen e zhanreve të ndryshme, dekada para se kjo të bëhej trend. E shpiku një alter ego të gjinisë hibride, Renais Sense, duke e bërë njërën anë të fytyrës së tij si grua dhe tjetrën si burrë. Ishte pionier në artin trupor, duke e konsideruar trupin si medium par excellence artistik, ndërsa besonte te tronditja si taktikë artistike.

Tek “Imponderabilia”, një nga veprat më të famshme të artit të performancës të të gjitha kohërave, ai dhe Abramoviçi rrinin të zhveshur në një portë të ngushtë galerie, duke i detyruar vizitorët të ngushtohen për të kaluar mes tyre, e duke u përballur me lakuriqësinë e tij ose të saj. Veprat tjera përfshinin shfaqjen në të cilën ata ia fusin shuplakat njëri-tjetrit, të interesuar për tingullin që bëjnë. Në një tjetër vrapuan duke përplasur shpatullat me kolonat e një parkingu. Kolonat nuk ishin të ngulitura po të vendosura në sajë, kështu që mund të rrëshqitnin pak nga secila goditje. Por, ishin të rënda për çka shkaktuan nxirje në trup.

Veprat e mëvonshme analizuan aftësitë fizike të trupit të njeriut. “Nightsea Crossing” ishte një seri prej 22 performancash, në 90 ditë, gjatë të cilave të dy uleshin përballë njëri-tjetrit, plotësisht të qetë, për orë të tëra. Të dy praktikuan meditim ajurvedik dhe stërviteshin gjatë për këto shfaqje, të cilat kërkuan përqendrim dhe forcë të jashtëzakonshme mendore. Në intervistat me Ulay-n, ai shpjegoi sesi stërviteshin që të “eliminonin të kruarit me mendje “. Mes shumë pengesave ishin mizat e bezdisshme, për të mos i përmendur anëtarët e audiencës që bënin lojëra për t’i shpërqendruar.

Ulay dhe Abramoviç gjithmonë do të ndërlidhen me njëri-tjetrin, edhe pse përfundimisht patën rënie në raporte. M vonë u takuan rastësisht, ose nga fati, gjatë një tërheqjeje ajurvedike në Indinë rurale. Ulay ishte aty me gruan e tij të talentuar, stilisten Lena Pislak, e cila prej vitesh ka qenë shoqja, mbështetja dhe forca e tij drejtuese. Por, nuk ndodhi ajo që ka mundur të jetë e pakëndshme. Të dy artistët vendosën të linin problemet mënjanë dhe, përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, u bënë përsëri miq. Vite më vonë, ata madje biseduan për të shkruar një libër të përbashkët kujtimesh.

Ishte një ndjesi atërore në lidhje me Ulay-n. Kur ai më dërgonte email ose më shkruante mesazhe, do të më quante “i dashur”. Ai iu bashkua kauzave të aktivistëve, duke e quajtur veten “artivist” për ujë të pastër. Foli me gjuhë poetike, me elokuencë, me llojin e frazave që doni t’i shënoni apo t’i gdhendni në gur, madje edhe nga bisedat rastësore. “Dikush mund të mësojë shumë gjëra në jetë”, më tha dikur, “por jo artin. Çmenduria që ju duhet, nevoja për t’ju dridhur gjatë tërë kohës. Je artist edhe kur je në gjumë. Për shkak të nevojës”. Ai ishte artist deri në kockë.

Trashëgimia e tij do të mbahet gjallë nga Fondacioni “Ulay”, që u hap vitin e kaluar në Lubjanë. Ulay ishte, mbi të gjitha, njeri me ngrohtësi dhe dashamirësi të madhe. Kam kaluar orë të panumërta në tavolinën e tij të kuzhinës, në apartamentin e tij të ndritshëm në Lubjanë duke ndarë Marlborot e tij dhe duke pirë birrë të veçantë të shëndetshme, të cilën ai pëlqente ta quante ilaçi i tij magjik, i përgatitur për të nga Lena.

Bëmë plane për ta shkruar një libër së bashku, por kurrë nuk e gjetëm kohën për ta përfunduar. Ai e kishte mundur dy herë kancerin (dikur i dokumentuar në filmin “Projekti Kancer”). Çdo herë kishte bërë një tërheqje ajurvedike dhe kjo, e kombinuar me ndihmën e klinikës onkologjike në Lubjanë, e kishte dërguar kancerin e tij në tërheqje. Kundër të gjitha parashikimeve, me mbështetjen e madhe të atyre që ishin pranë tij, ishte aktiv, madje edhe si i sëmurë. “Vdekja është përgjigjja përfundimtare”, tha ai. “Por, jeta është absolute”.

Në një moment e kishte cilësuar sëmundjen dhe dokumentimin e saj si një performance. Ishte aktioni i tij i fundit.